Filozofi

Shoqëria jonë? E prapambetur që në gjenezë

Titulli e tregon qartë mesazhin që unë dua të përcjell me këtë shkrim. Ndoshta nuk është diçka e re, pasi edhe ty mund të të ketë ndodhur të vërtetosh se sa mbrapa jemi ne si shoqëri, ndaj nuk dua që të më gjykosh si radikal në mendimet e mia, pasi ta mbyllësh së lexuari këtë shkrim.

Ndoshta nuk e beson, por sado që vitet kalojnë, ne nuk kemi ecur aspak përpara, por jemi ende në periudhën e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Nuk e kam fjalën këtu për zhvillimin në tërësi, pasi kur flet për ndryshim, shumicës i shkon mendja tek teknologjia. Është normale kjo gjë, për aq kohë sa gjithë ditën secili e kalon me celularin e tij në rrjetet sociale. Shumica e të rinjve shqiptarë po preferojnë të parazitojnë, në vend që të mendojnë të gjejnë ndonjë punë për t’i mbyllur vetë shpenzimet e tyre. Rroftë babi dhe mami që mendojnë për këtë të ri, kur jashtë vendit çdo prind e lë fëmijën e vet të përballet me jetën, që në momentin kur mbush 18 vjeç.

Teknologjia është një ndryshim i madh dhe të gjithë e pranojmë. Jeta jonë është lehtësuar shumë me të rejat më të fundit. Mirëpo në këtë shkrim, me prapambetje unë i referohem aspektit të mendësisë dhe të menduarit.
Unë dhe kushdo tjetër që preferon ta shohë në detaje shoqërinë e një vendi, pritëm që ndoshta zhvillimi teknologjik do të sillte edhe ndryshim në mendësi. Ndodhi komplet e kundërta. Teknologjia solli shthurrjen, banalizmin, nxori në pah analfabetizmin dhe mungesën e njohurive gjuhësore të shqiptarëve, dhe kurrsesi nuk ndihmoi në ndryshimin e mendimeve të tyre.

Nëse sot shihet në rrugë një djalë që mban veten, apo që heq vetullat, apo që lyen flokët, ai paragjykohet dhe paragjykohet rëndë. Nëse sot shihet një vajzë të vishet bukur, të lyhet dhe të ecë gjithë krenari në rrugë, ajo paragjykohet. Nëse sot një çift ndahet për përplasje interesash, mospërputhje karakteri apo për çfarëdo arsye tjetër, paragjykohet femra, ajo që ka natyrën më të dobët. Dhe më interesantja nga gjithë këto raste, është se paragjykojnë ata që nuk kanë çfarë të bëjnë, pasi nuk i shkon në mendje dikujt që është i zënë me punë, të merret me jetën e tjetrit.

Kjo prapambetje në mendësi ka funksionuar që në kohën e gjyshërve apo stërgjyshërve tanë. Me siguri edhe juve ju kanë folur gjyshërit tuaj keq për ndonjë, e kanë ofenduar ekstremisht. Ju duket normale? Juve thoni jo, por çfarë bëni ju kur jeni përballë njërit nga rastet e mësipërme? Veproni po njësoj. Ne nuk kemi ndryshuar dhe kot tregojmë per personin me ide moderne, sikur kemi mendime të emancipuara dhe liberale. Nuk ndodh aspak kështu. Ne flasim për liberalizëm pa qenë vetvetja. Në momentet kur ne shprehemi lirshëm, jemi paragjykues, ofendues dhe tregojmë se sa prapambetur jemi me mendimet tona.

Vendet e tjera po ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në rrjetet sociale, në televizione dhe kudo në massmedia për të liberalizuar mendimet e njerëzve. Ajo që duhet kuptuar, është se një vend ka po aq nevojë për t’u përfshirë në organizata më të mëdha (si psh. vendi ynë në BE), sa ka nevojë edhe të liberalizojë mendimet e njerëzve të tij. Një shqiptar nuk di të kuptojë kur i mbaron e drejta e tij dhe fillon e drejta e personit tjetër. Një shqiptar nuk di të kuptojë se nuk duhet t’i fusë hundët në jetën e të tjerëve. Një shqiptar nuk e mendon se sa shumë e lëndon dikë me paragjykimet e tij. Një shqiptar nuk e kupton sa i ulët duket kur nuk sheh jetën e vet, por merret me jetën e të tjerëve. Për aq kohë sa ne nuk i ndryshojmë këto aspekte, shoqëria jonë kot pretendon të jetë kushedi se çfarë. Ne jemi asgjë. Ne përballë syve të botës, jemi asgjë. Jemi vetë kuptimi i prapambetjes dhe injorancës, siç kemi qenë përherë. / f.xh. / Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button