HistoriMAIN

Si e ndryshojnë pandemitë rrjedhën e historisë

Nga Stephen Mihm

Kur Covid-19 u shfaq për herë të parë vitin e kaluar, paralelja historike që bënë të gjithë ishte pandemia e gripit e vitit 1918. Por për shkak se ajo ishte kalimtare, është e vështirë të gjesh prova se shkaktoi një ri-orientim gjithëpërfshirës të jetës së përditshme.

Pasi ajo mbaroi, shumica e njerëzve thjesht e harruan atë që ndodhi. Patogjenë të tjerë globalë qëndruan më gjatë me njerëzimin, dhe patën ndikime shumë më të mëdha në shoqëri. Për shembull, shihni atë që pasoi goditjen e dyfishtë të sëmundjeve ndaj Perandorisë Romake: Murtaja Antonine, që bëri kërdinë midis viteve 165 dhe 180, dhe Murtaja Qipriote, e cila u shfaq në vitin 249 dhe qëndroi vërdallë deri në vitet 260. Të paktën një ose të dyja këto sëmundje, besohet të jenë paraardhëse të virusit modern të variolës, i njohur më mirë si sëmundja e lisë.

Kur mbërritën ato murtaja, Krishterimi ishte një fe ende jo shumë e rëndësishme. Sociologu dhe studiuesi fetar Rodni Stark ka argumentuar se reagimi ndaj epidemisë nga ky sekt i vogël besimtarësh, e ndihmoi Krishterimin të niste dominimin, duke shkatërruar gradualisht besimet më të vjetra pagane.

Stark pretendon se ndryshe nga paganët, të cilët u larguan nga vendi, të krishterët iu përgjigjën sëmundjes me bamirësi fetare. Ata ushqyen të sëmurët, si paganët ashtu edhe të krishterët. Ata ofruan një argument bindës për një fe më të mirë për njerëzit, duke konvertuar në Krishtërim shumë prej tyre gjatë kohës së kujdesit paliativ, ku ushqimi, uji, dhe gjërat e tjera minimale bënin shpesh ndryshimin midis jetës dhe vdekjes.

Studimi i Stark, sugjeron se të Krishterët – veçanërisht gratë më të reja që ushqenin fëmijët  e tyre të vegjël – mbijetuan më shumë sesa bashkëmoshatarët e tyre paganë; gjithashtu ato konvertuan shumë nga të mbijetuarit. Kini parasysh se fetë e sanksionuara nga shteti i lanë njerëzit të vdisnin, ndaj arsyet e rritjes meteorike të krishterimit në këtë periudhë bëhen gjithnjë e më të qarta.

Vdekja e Zezë, ose murtaja bubonike, vrau një të katërtën e popullsisë së Evropës në vitet 1300, duke e bërë atë një nga shpërthimet epidemike më të këqija në historinë njerëzore. Ajo nxiti ​​një dhunë të shfrenuar kundër hebrenjve.

Shumë të mbijetuar u larguan në atë që është sot Polonia dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore, duke nisur fazën tjetër të diasporës hebreje. Por ajo pandemi pati më vonë edhe më shumë trashëgimi pozitive. Ndonëse historianët debatojnë ende rreth ndikimit të saj të saktë, pandemia e la Evropën feudale me një mungesë serioze të punës së fshatarëve, duke forcuar pozitën negociuese të këtyre të fundit.

Kjo pati efekte të paparashikuara më herët, si vendosjen e pagës së parë minimale, si dhe sfida shumë më të rëndësishme për rendin shoqëror të kohës. Afro një dekadë pas valës së parë të murtajës bubonike, revoltat popullore përfshinë Evropën.

Një studim i fundit nga historiani i historisë mesjetare Samuel Kun, zbuloi se protestat nuk zhvilloheshin nga njerëz që protestonin për mungesën e ushqimit apo kushteve të punës. Përkundrazi, kërkesat e të mbijetuarve ishin politike, duke kritikuar shtrëngimet e mëdha të jetës nën sistemin feudal.

Murtaja, argumenton ai, krijoi atë që ai e quan “një vetëbesim të ri nga ana e fshatarëve, artizanëve dhe punëtorëve, se edhe ata mund të ndryshojnë botën”.Shpërthimet epidemike të kohëve më të fundit, kanë qenë më pak katastrofike, por gjithsesi kanë pasur pasojat e tyre. Për shembull, marrim kolerën, një sëmundje bakteriale që sulmoi sistemin e zorrëve, duke vrarë shpesh brenda disa orësh të sëmurët.

Edhe pse e kishte origjinën në Indi, dëmet më të mëdha ajo i shkaktoi tek qytetet industriale në Perëndim, duke lulëzuar për shkak të ujit të pijshëm të ndotur nga ujërat e zeza. Në fillim, zyrtarët e shëndetit publik nuk e kuptuan këtë lidhje, duke menduar se ajo ishte përhapur në ajër nga një “miazmë” misterioze.

Në Londër, vendndodhja e disa prej shpërthimeve më të këqija të kolerës, aroma e rëndë e ujërave të zeza, nxiti ndërtimin e një sistemi modern të kanalizimeve, që arrinte të nxirrte nga qyteti jashtëqitjet njerëzore. Ndërsa sistemi i ri po merrte formën që njohim sot, mjeku britanik Xhon Snou e kuptoi se kolera vinte nga uji i pijshëm i ndotur, duke nxitur hartimin e një sistemi të ri sanitar të kanalizimeve.

Ndërsa teoria e Snout fitoi terren, kanalizimet moderne u bënë thelbësore në betejën kundër sëmundjes së kolerës, dhe qytetet anembanë botës filluan të heqin qafe mbeturinat e tyre në vend se t’i linin ato të përziheshin me ujin e tyre të pijshëm.

Nëse kolera na garantoi shpikjen e pajisjeve hidraulike moderne, tuberkulozi frymëzoi ndërtimin e “dhomave të diellit” në banesat e gjithë SHBA-së. Mjekët e përshkruan “helioterapinë”, si një mënyrë për të “dezinfektuar” trupin, ndaj amerikanët gjetën mënyra për të rritur ekspozimin e tyre ndaj rrezeve ultravjollcë.

Ai ishte momenti kur nxirja në diell u bë një simbol i shëndetit të mirë dhe bukurisë. Sipër ironi të fatit, ishte pikërisht theksi i ri tek higjiena dhe kanalizimet, që mund të ketë çuar në lindjen e një sëmundjeje tjetër epidemike: poliomieliti.

Kur kjo sëmundje filloi të gjymtonte dhe vriste fëmijët në fillim të shekullit XX, mjekët vunë re diçka të çuditshme:fëmijët e bardhë, ishin prekur nga rastet më të rënda. Një teori është se foshnjat në mjedise më të varfra (dhe më të pista) e kishin hasur shpesh virusin e poliomelitit dhe ishin të mbrojtur nga antitrupat e nënës.

Ata sëmureshin në një formë më të lehtë. Ndërkohë, fëmijët që rriteshin në shtëpi super të pastra, dhe të dizenjuara për t’i mbrojtur ata nga mikrobet si tuberkulozi, u ndeshën me poliomelitin më vonë, kur nuk kishin imunitet nga nëna e tyre.

Kjo teori është sfiduar vitet e fundit, por gjithsesi ajo thekson shkallën në të cilën pasojat e kontakteve tona me mikrobet nuk janë as të parashikueshme dhe as të kuptueshme me lehtësi.

Në rastin e Covid-19, është ende shumë herët për të kuptuar pasojat e plota.

Nëse jemi me fat, historianët në shekullin XXV, do të rrëfejnë takimin tonë me koronavirusin e ri, për të shpjeguar ndërprerjen e pashpjegueshme të praktikës së shtrëngimit të duarve dhe shtimin e takimeve me bërryl, apo ngritjen e një “feje” të re misterioze të njohur thjesht si “Zoom”. Po nëse ne nuk jemi aq me fat? Mendoni pak për romakët. / Bloomberg – Bota.al

Back to top button