Histori

Si e pushtuan osmanët kryeqytetin e Bizantit, Konstandinopojën

Nga Mark Miller

Konstandinopoja i kishte rezistuar për shumë shekujt sulmeve armike, derisa më në fund teknologjia e re – topat e mëdhenj të Perandorisë Osmane – e gjunjëzuan kryeqytetin e Perandorisë Bizantine. Rënia e Konstandinopojës në majin e vitit 1453, ishte fundi i një epoke për pjesën më të madhe të Evropës dhe Lindjes së Mesme.

Pasi armët e mëdha bënë punën e tyre, trupat osmane e plaçkitën qytetin e lashtë, dhe masakruan banorët e tij. Gati 4.000 persona u vranë, dhe 50.000 të tjerë u morën si skllevër. Shumë nga banorë kryen vetëvrasje, duke e ditur se ç’do të thoshte të përballeshe me ushtarët osmanë, apo të jetoje si skllav.

Konstandinopoja, ishte kryeqyteti i Perandorisë Bizantine ose siç quhej ndryshe Perandoria Romake Lindore. Ajo u bë gjithashtu një nga qytetet kryesore të Krishterimit. Qyteti e mori këtë emër sipas Perandorit Kostandin, i cili sundoi në shekullin IV-të, gjatë ditëve të para të ngritjes së Krishterimit.

Sot qyteti quhet Stamboll, dhe shumica e banorëve të saj janë myslimanë. Pasojat e rënies së Konstandinopojës ishin të tmerrshme për banorët e qytetit, të cilët u përballën me përdhunime, masakra dhe skllavëri.

Bizantinët arritën t’i zmbrapsin sulmet e mëhershme

Nga fillimi i shekullit XV-të, Perandoria Bizantine kishte nisur të rrudhej, kur osmanët nisën të rrëmbenin territoret e saj. Pos sulmi i osmanëve nuk ishte i pari. Konstandinopoja kishte përballuar shumë të tilla:në shekujt VII-VIII nga arabët, në shekullin IX-X-të nga bullgarët, në shekujt IX, X, XI nga rusët, dhe në shekullin IX nga sllavët.

Në shekullin e XIII ndodhi një sulm nga ana e kryqtarëve, i pasuar nga një pushtim i shkurtër, për shkak se njëra nga portat dalëse të qytetit ishte lënë e hapur. Forcat bizantine brenda qytetit dhe një flotë në port, i penguan pushtuesit për shumë shekuj. Forcat e armatosura të Konstandinopojës kishin një armë sekrete të quajtur Zjarri Grek, i cili ishte një lëng tepër i ndezshëm.

Muret e Konstandinopojës

Por pasuria më e madhe që kishte qyteti, ishin muret e saj mbrojtëse dhe hendeku. Në shekullin e V-të perandori Teodosi II, ndërtoi mbrojtjen e qytetit duke ngritur një seri prej 3 muresh me një gjatësi prej 6.5 kilometrash.

Përveç kësaj, Kostandinopoja ishte vendosur në një gadishull, dhe rrethohej në 3 anët nga uji.

Ishte shumë e lehtë të mbaheshin anijet armike jashtë portit, duke vendosur një zinxhir në hyrje. Por këtë herë, në prillin e vitit 1453, vlerësohej se trupat që mbronin muret e qytetit ishin vetëm 5.000, dhe qyteti kishte vetëm disa anije për t’u mbrojtur nga anijet armike. Forcat bizantine ishin të pakta, të armosura dobët, dhe shumë pak anije.

Osmanët kërkojnë dorëzimin e Konstandinopojës

Më 5 prill, sulltani osman Mehmeti II, u vendos me ushtrinë e tij jashtë qytetit, duke i dërguar fjalë Konstandinit IX të dorëzonte qytetin. Konstantini nuk ktheu përgjigje. Mehmeti ishte i vendosur të nënshtronte kryeqytetin e lashtë, dhe ai kishte një forcë të fuqishme që e mbështeste në këtë synim.

Mehmeti kishte diçka që nuk e kishin pasur të gjithë ata që kishin sulmuar me herët Kostandinopojën:armë të mëdha të rrethimit, të projektuara nga një hungarez i quajtur Urban. Dhe Mehmeti kishte një forcë ushtarake që vlerësohej nga 60.000- 200.000 njerëz. Ai gjithashtu kishte një flotë që priste aty pranë, për të hyrë në port.

Armët e rrethimit të osmanëve ishin të frikshme. Njëra nga armët ishte 9 metra e gjatë dhe 3 metra e gjerë. Ajo mund të lëshonte një top prej 500 kilogramësh, në një distancë prej më shumë se 1.5 kilometrash. Arma do të nxehej aq shumë, sa që mund të përdorej vetëm 7 herë në ditë. Por osmanët kishin topa të tjerë të fuqishëm, që mund të gjuanin deri në 100 herë në ditë.

Një bombardim i pamëshirshëm

Më 6 prill, armët gjigante nisën t’i shkatërronin muret e frikshme të Konstandinopojës. Mbrojtësit i hodhën poshtë sulmuesit nga vrimat e mureve, dhe u përpoqën t’i riparonin të çarat vrima gjatë natës. Ata vetë gjuatën me topa shumë më të vegjël. Mbrojtësit e Konstandinopojës rezistuan për 6 javë.

Ata i zbrapsën për një farë kohe anijet osmane në hyrje të portit. Por osmanët ndërtuan një platformë përgjatë vijës së rrethimit, dhe i transportuan nga toka 70 anijet e tyre deri në port. Ata filluan të bombardonin muret më të dobëta përbri detit.

Rebelim në shtëpi

Në fund të muajit maj, perandori osman mësoi se disa nga nënshtetasit e tij në Azinë e Vogël po rebeloheshin, tani që ushtria ndodhej larg. Mehmeti i bëri një ofertë Konstandinit IX:Ky do të paguante një haraç, dhe osmanët do të tërhiqeshin duke i dhënë fund rrethimit.

Mehmeti shpresonte të kthehej shpejt në Azinë e Vogël, por Konstandini refuzoi. Dhe ky rezultoi një gabim tragjik. I tërbuar nga inti, Mehmeti u tha njerëzve të tij se mund ta plaçkisin qytetin dhe të bënin çdo gjë me të, kur ai të kapitullonte. Dhe Konstandinopoja qe një nga qytetet më të pasura në botë.

Më 29 maj, Mehmeti nisi një sulm total mbi qytetin, duke dërguar trupa më të fuqishme kundër saj në 3 valë goditjesh. Sulmi i fundit nga jeniçerët, trupat e tij elitë, solli shkatërrimin e Konstandinopojës. Sërish, një portë e vogël ishte lënë e hapur në një nga muret, e cila u lejoi jeniçerëve të hynin në qytet.

Ata ngritën flamurin osman në qytet, më pas hapën portën kryesore, dhe lejuan hyrjen e pjesës së mbetur të ushtrisë. Konstantinopoja dikur e paprekshme, kishte rënë. Në momentet e fundit të dëshpëruara, qyteti u mbrojt në disa prej mureve nga gratë dhe fëmijët.

S’ka nevojë të thuhet se ata u kapën shpejt. Disa prej tyre ikën me vrap në shtëpitë e tyre për të mbrojtur familjet e tyre. Të tjerët në mbrojtje të kishave. Ky nuk qe një veprim i mençur, pasi kishat e qytetit ishin të pasura me ar dhe xhevahire të ndryshme të çmuara.

Trupat osmane i thyen ikonat, statujat, afresket dhe kishat e krishtera përfshirë Kishën e Shën Sofisë. Mehmeti hyri në qytet më vonë gjatë asaj dite, dhe tha se kisha e madhe madhështore do të shndërrohej në një xhami. Sapo hyri, ai urdhëroi fundin e masakrave. Pas rënies së Konstandinopojës, Mehmeti e bëri atë kryeqytetin e tij të ri. Pak kohë më vonë ra edhe pjesa tjetër e Perandorisë Bizantine, duke u bërë pjesë e Perandorisë Osmane.

Me shkurtime nga Ancient Origins – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button