Ekonomi

Si ndodh përçimi i normës së interesit në Shqipëri krahasuar me Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-lindore

Nga Ilda Malile

Ky material synon të krahasojë përçimin e nomës së interesit në Shqipëri me atë të Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore. Metodologjia e përdorur për këto vende konsiston në metodat e kointegrimit të serive kohore, të cilat lejojnë studimin e dinamikave afatshkurtra dhe afatgjata të këtij përçimi. Krahasimi bazohet në rezultatet e marra nga Balázs et al (2006) për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, rezultatet e marra nga Petrevksi dhe Bogoev (2012) për vendet e Evropës Jug-lindore dhe në rezultatet e marra nga analiza empirike e këtij studimi për rastin e Shqipërisë.

Përzgjedhja e vendeve me të cilat është bërë analiza krahasuese bazohet në disponueshmërinë e studimeve që investigojnë përçimin e normës së interesit në vende pak a shumë të ngjashme me ekonominë shqiptare, që përdorin pothuajse të njëjtën metodologji dhe periudhë kohore mbi të cilën kryhet analiza empirike. Të dy studimet, Balázs et al (2006) dhe Petrevksi dhe Bogoev (2012) adoptojnë të njëjtën përqasje metodologjike, Metodën e Korrigjimit të Vektorit të Gabimit, por nuk përdorin të njëjtën shtrirje kohore apo të njëjtat norma interesi. Në këto kushte, analiza empirike në rastin e Shqipërisë është kryer dy herë, për të përkuar me të njëjtën shtrirje kohore dhe normat e interesit të përdorura në studimin e Balázs et al (2006), dhe me ato të përdorura në studimin e Petrevski dhe Bogoev (2012).

Ngjashmëria kryesore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, është se të gjitha këto vende kanë përdorur sistemin bankar me dy nivele në fillim të viteve‘90, e cila e bëri normën e interesit të tregut me pakicë të përgjigjej më shpejt ndaj forcave të tregut. Për këtë arsye, shumë studime kanë gjetur se përçimi i normës së interesit në këto vende është bërë më i fortë dhe i shpejtë me kalimin e kohës. Vlen të theksohet se vendet në studim kanë regjim të ndryshëm të kursit të këmbimit. Kështu, vendet e studiuara nga Balázs et al. (2006) kanë regjim fleksibël të kursit të këmbimit si edhe në rastin e Shqipërisë, me përjashtim të Sllovakisë, e cila i’u bashkuar Bashkimit Europian në Maj të vitit 2004, dhe zëvëndësoi monedhën e saj (koruna) me Euron në vitin 2009. Megjithatë para periudhës 2009, Slovakia karakterizohej nga një regjim fleksibël i kursit të këmbimit. Ndërkohë që vendet e marra për studim nga Petrevski dhe Bogoev (2012) kanë regjim fiks të kursit të këmbimit. Një ndryshim i tillë në regjimin e kursit të këmbimit, përveç faktorëve të tjerë, është provuar në mënyrë teorike dhe empirike se ndikon në përçimin e normës së interesit. Në kushtet e një regjimi fleksibël të kursit të këmbimit, një rritje në normën e politikës monetare do të tërheqë kapitalin e huaj, e cila më tej çon në vlerësimin e monedhës vendase derisa ndryshimi i normës së interesit midis normës së huaj dhe asaj vendase kthehet në ekuilibrin e saj. Nga ana tjetër, në kushtet e një regjimi fiks të kursit të këmbimit, një rritje në kapitalin e huaj mund të çojë në rritje të nivelit të likuiditetit dhe si pasojë të shkaktojë presione ulëse ndaj normës së interesit.

Një punim i ngjashëm i cili bën analizë krahasuese mbi shkallën e përçimit të normës së interesit është Fomun (2011). Objektivat kryesore të këtij studimi janë: gjetja e magnitudës dhe shpejtësisë së përçimit nga norma bazë tek normat e tregut me pakicë në Nigeri edhe në Kamerun që nga viti 1980; të kontrollojë nëse një përçim i tillë në të dy vendet është asimetrik apo jo, dhe gjithashtu të vlerësojë nëse ndryshimet në normën bazë janë transmetuar nga Nigeria në Kamerun apo anasjelltas. Arsyeja e përzgjedhjes së Nigerisë dhe Kamerunit për analizë krahasuese është se të dyja këto vende përfaqësojnë dy ekonomi të mëdha të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, dhe kanë tipare të ngjashme për sa i përket tregtisë, kufirit dhe historisë politike. Gjithashtu, Nigeria dhe Kameruni janë anëtare të të njëjtit grup ekonomik, janë prodhuese-nafte, dhe kanë miratuar Programin e Axhustimit Strukturor Botëror në të njëjtin vit, 1998. E veçanta e këtij studimi është se Fomun (2011) përdor teknikën e dritareve të rrëshqitshme e cila lejon investigimin nëse karakteristikat e përçimi të normës së intersit (përçimi afatgjatë dhe afatshkurtër, apo shpejtësia e axhustimit) ndryshojnë më kohën.

Gjithashtu, Gigineishvili (2011), në një analizë ndër-sektoriale për 70 vende nga e gjithë bota, ku përfshihen vendet e zhvilluara, në zhvillim dhe vendet me të ardhura të ulta ka studiuar nëse përçimi i i normës së interesit ndryshon nga vendi në vend dhe ka vlerësuar efektet specifike të çdo vendi të cilat ndikojnë në këtë ndryshim, si psh: PBB-ja, inflacioni, kursi i këmbimit, cilësia e kredisë, konkurrenca bankare dhe kostot operative. Në lidhje me kursin fleksibël të këmbimit, Gigineishvili (2011) gjen se ato vende të cilat përdorin regjim të luhatshëm të të këmbimit kanë një përçim më të dobët se vendet me regjim fiks të kursit të këmbimit, dhe ky përçim është më i fortë në afatin e gjatë se sa në afatin e shkurtër. Sipas Gigineishvili (2011), luhatshmëria e kursit të këmbimit kontribuon në forcimin e përçimit sepse një rritje në normën vendase të interesit do të nxiste hyrjet e kapitalit, gjë e cila në kushtet e regjimit fleksiblël të kursit të këmbimit do të çonte në vlerësim të lekut derisa monedha e huaj dhe ajo vendase të balancoheshin përsëri. Ndërsa regjimeve fikse të kursit të këmbimit i’u mungon kjo loj mbrojtje (buffer), dhe hyrjet e pasterilizuara ose pjesërisht të sterilizuara do të përktheheshin në likuiditet më të lartë dhe do të rezultonin në presionë ulësë në normat e interesit. Gigineishvili (2011) përdor një tregues binar për të matur efektin që ka lloji i regjimit të kursit të këmbimit në përçimin e normës së interesit. Megjithatë, ky tregues binar mund të mos jetë i mjaftueshëm për të kapur këtë efekt sepse vendet ndryshojnë nga shkalla e fleksibilitetit që karakterizon regjimet e tyre të kursit të këmbimit, dhe gjithashtu ndryshojnë nga hapja e llogarive të tyre të kapitalit. Prandaj, Gigineishvili (2011) sugjeron se do të ishtë më e përshtatshme të përdoreshin klasifikime më të rafinuara të regjimeve të kursit të këmbimit, dhe në vlerësim empirik të përfshiheshin tregues që reflektonin shkallën e hapjes së llogarive të kapitalit.

Espinosa-Vega dhe Rebucci (2003) gjithashtu realizojnë një analizë empirike mbi përçimin e normës së interesit në Kili, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Australi, Zelandën e Re dhe në pesë vende Europiane. Duke përdorur të dhëna mujore të krahasueshme me njëra tjetrën, Espinosa-Vega dhe Rebucci (2003) gjejnë se përçimi i normës së interesit në Kili nuk është atipik, pra ndjeshëm i ndryshueshëm nga vendet e tjera të marrë në studim. Duke përdorur modelin e Vektorit të Korrigjimit të Gabimit, studimi gjen se ky përçim në Kili është jo i plotë, megjithatë është më i shpejtë se në vendet e tjera dhe i krahasueshëm me atë të Shteteve të Bashkuara. Studimi teston gjithashtu për prezencën e asimetrisë në përçimin e normës së interesit, por nuk gjen evidencë në mbështetje të saj. Espinosa-Vega dhe Rebucci (2003) gjejnë mbështetje për paqëndrueshmëri të parametrave, në periudhën e krizave të Rusisë dhe të Azisë, por nuk gjejnë mbështetje që një kalim në një regjim më fleksibël të kursit të këmbimit në vitin 1999, dhe një “nominalizim” i targetit të normës së interesit në Kili në vitin 2001 nuk e ka ndikuar në mënyrë të rëndësishme statistikisht procesin e përçimit të normës së interesit. Këto rezultate janë konsistente me pikëpamjen se diferencat ndërmjet Kilit dhe vendeve të tjera të marrë në konsideratë në këtë studim, janë kryesisht rezultat i goditjeve të jashtme dhe jo i ndryshimeve në pjesën e tregut të sistemit bankar apo ndryshimeve të fundit në Kili përsa i përket regjimit të kursit të këmbimit apo politikës monetare.

Pjesa e parë e materialit përshkruan të dhënat e përdorura dhe shtrirjen kohore për çdo vend apo grup vendesh ku është bazuar analiza empirike. Kjo pjesë gjithashtu paraqet rezultatet mbi përçimin e normës së interesit në Shqipëri duke bërë krahasime me vendet të cilat i përkasin grupit të Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe atyre që u përkasin Evropës Jug-Lindore. Pjesa e dytë e materialit paraqet konkluzionet e kësaj analize krahasimore dhe identifikon çështje të tjera të cilat mund të kenë nevojë të hulumtohen më tej.

Përshkrimi i të dhënave, metodologjia, dhe rezultatet empirike

Siç u përmend edhe më sipër, qëllimi kryesor është të paraqesë një analizë krahasuese për përçimin e normës së interesit midis Shqipërisë dhe vendeve të rajonit dhe më gjerë, si edhe bën dallimin midis vendeve me regjim të ndryshëm të kursit të këmbimit.

Analiza empirike organizohet në dy pjesë.

Pjesa e parë krahason përçimin e normës së interesit në Shqipëri me vendet e Evropës Qendrore-Lindore (Republika Çeke, Hungaria, Polonia, dhe Sllovakia). Vlen të përmendet se këto vende (me përjashtim të Sllovakisë) kanë regjim të luhatshëm të kursit këmbimi sikurse edhe Shqipëria. Analiza empirike kushtëzohet sipas periudhës të përzgjedhur nga Balázs et al (2006), i cili lerëson përçimin e e normës së interesit në vendet e Evropës Qendrore-Lindore për periudhën 1995m12 – 2005m12, duke e ndarë në dy nën-periudha. Nën-periudha e parë fillon në 1995m12 dhe përfundon në 2000m12; ndërkohë që nën-periudha e dytë fillon në 2001m01 dhe përfundon në 2005m12. Një ndarje e tillë lejon që të kontrollohet nëse ka patur ndonjë thyerje strukturore apo ndonjë ndryshim të madh i cili ka ndikuar në përçimin e normës së interesit në kohë.

Balázs et al (2006) përdor një kuadër dy hapësh: 1- përçimi nga nga norma bazë tek normat e tregut ndër-bankar dhe tregut primar; dhe 2- përçimi nga nga norma bazë tek norma e tregut me pakicë (depozita dhe kredi). Metodologjia e përdorur është Metodologjia e Korrigjimit të Vektorit të Gabimit (VECM), e cila konsideron efektet asimetrike të mundshme të cilat karakterizojnë procesin e përçimit të normës së interesit. Për qëllime krahasimore, analiza empirike e përdorur në këtë studim përfshin periudhën 2002m01: 2005m12 në rastin e Shqipërisë, dhe përiudhën 2001m01: 2005m12 në rastin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (e cila korespondon me nën-periudhën e dytë të përdorur në studimin e Balázs et al (2006). Në rastin e Shqipërisë, periudha është më e shkurtër se ajo e studimit për vendet e EQL/CEE për shkak të mungesës të të dhënave përpara vitit 2002, edhe gjykojmë se një vit më pak nuk do të ndryshojë në mënyrë thelbësore rezultatet empirike.

Periudha e marrë në studim në këtë analizë krahasuese konsiderohet e shkurtër për kryerjen e një analize kointegrimi, duke patur parasysh që për rastin e vendeve EQL ka vetëm 60 vrojtime dhe për rastin e Shqipërisë ka vetëm 48 vrojtime. Por sipas argumentit të Balázs et al (2006), axhustimi i normës së interesit në kontekstin e përçimit është shumë i shpejtë, ndërkohë që një cikël biznesi ndodh të paktën në një përiudhë kohore 10-vjecare. Edhe pse sipas standardeve ekonometrike nevojiten rreth 100-120 observime, një model me 50-60 observime mund të konsiderohet i përshtatshëm për të bërë një studim të përçimit të normës së interesit. Në këtë këndvështrim, Balázs et al (2006) i’a atribuon mungesën e marrëdhënieve ko-integruese përdorimit të teknikave të kointegrimit jolinear dhe jo serive të shkurtra kohore të të dhënave të normave të interesit.

Normat e interesit të përdorura në rastin e Shqipërisë nuk janë ekzaktësisht të njëjta me ato të përdorura në rastin e vendeve të EQL nën studim të Balázs et al (2006), për shkak të mungesës së këtyre të dhënave për rastin e Shqipërisë apo serive të shkurtra kohore. Kështu, normat e interesit ndërbankar në rastin e Shqipërisë përfaqësohen nga normat me maturitet 7-ditor, ndërkohë që për vendet e EQL-së ato përfaqësohen nga normat e intersit me maturitet 1-mujor të tregut të parasë. Në vendet e EQL-së ku yield-i i bonove të thesarit nuk është i disponueshëm, përdoret norma e interesit 12-mujor e tregut të parasë. Yield-i i bonove qeveritare në rastin e Shqipërisë përfaqësohet nga normat me maturitet 2-vjecar, ndërkohë që pë për vendet e EQL-së nuk tregohet qartë se cilit maturitet i referohet yield-i i letrave me vlerë të qeverisë . Në varësi të disponueshmërisë së të dhënave, normat e interesit të tregut me pakicë në vendet e EQL-së kategorizohen sipas maturitetit (afat-shkurtër, afat-mesëm, afat-gjatë), subjektit (akorduar individëve apo bizneseve), qëllimit (akorduar për konsum konsum, strehim, blerje automobili, overdraft etj), dhe metodologjisë së matjes së normave të interesit(normat e interesit mbi tepricën e kredisë dhe stokun e depozitave apo normat e interesit mbi kreditë e reja apo depozitat e reja të mbledhura ). Duke patur parasysh se ky kategorizim i normave të interesit të depozitave dhe kredive nuk është i njëjtë midis vendeve të EQL-së, dhe duke qenë se në Shqipëri disa nga këto norma interesi nuk janë të disponueshme, krahasimi i rezultateve të VECM-së duhet bërë me kujdes. Në rastin e Shqipërisë, normat e interesit të tregut me pakicë përfaqësohen nga: normat e interesit të depozitave të reja afat-shkurtra në Lek[1] (ato me maturitet 3-, 6- dhe 12-mujor); normat e interesit të kredive të reja afat-shkurtra në Lek (ato me maturitet 0-6 mujore dhe 6-12 mujore); dhe normat e interesit të kredive të reja afat-gjata në Lek (3-deri në -5-vjet dhe ato me maturitet mbi 5-vjet). Sllovenia, edhe pse është pjesë e vendeve të EQL të marra në studimin e kryer nga Balázs et al (2006), nuk është përfshirë në këtë analizë krahasuese për dy arsye kryesore. E para lidhet me mungesën e të dhënave të normave të interesit në Shqipëri, të cilat nuk gjenden të tilla për të përkuar me të dhënat e përdorura për rastin e Sllovenisë në studimin e Balázs et al (2006). Së dyti, nuk janë gjetur mjaftueshëm marrëdhënie kointegruese për rastin e Sllovenisë, e cila nuk lejon një bazë të mirë krahasimore.

Pjesa më e madhe e literaturës në lidhje me përçimin e normës së interesit përdor metodologjinë e VECM-së, e cila lejon të studiohen të dyja, dinamika afatshkurtër dhe ajo afatgjatë e përçimit. Përpara se të bëjmë një vlerësim të Mekanizmit të Korrigjimit të Vektorit të Gabimit, ne duhet të kontrollojmë nëse seritë kohore të normës së interesit të përdorura në këtë analizë krahasimore janë stacionare ose jo. Për këtë arsye, ne kemi kryer testet Augmented Dickey Fuller, Phillips Perron dhe KPSS (Appendix X) për çdo seri kohore të përfshirë në analizë. Edhe pse literatura sugjeron se pjesa më e madhe e serive të normave të interesit pritet të jenë stacionare, testet e stacionaritetit tregojnë se të gjithë të dhënat e normave të interesit në studim janë I(1) me nivel konfidence 10%, me përjashtim të normave të interesit të kredive, të cilat janë I(0). Për këtë arsye, rezultatet në lidhje me marrëdhëniet kointegruese të cilat përfshijnë normat e interesit të kredive si një prej variablave të marrë në konsideratë duhet të merren me kujdes.

Pas analizave të kryera, dalin rezultatet mbi magnitudën dhe rëndësinë statistikore të koefiçentëve afatgjatë. Në fazën e parë të përçimit, (nga norma bazë te norma e interesit ndërbankar dhe tregut primar), është e dukshme që rezultatet janë disi të ngjashme midis Shqipërisë dhe vendeve te EQL-së, veçanërisht kur merren në konsideratë normat e interesit të tregut ndër-bankar, duke u luhatur brenda intervalit [0.87 : 1.01]. Në rastin e bonove qeveritare, Balázs et al (2006) nuk gjen një marrëdhënie kointegruese në Republikën Çeke, Hungari, dhe Poloni; ndërkohë në rastin e Shqipërisë gjendet një marrëdhënie kointegruese midis normës bazë dhe bonove qeveritare (përfaqësuar nga maturiteti 2-vjeçar), edhe pse koefiçenti afat-gjatë nuk është statistikisht i rëndësishëm. Në fazën e dytë të përçimit (nga norma bazë te norma e kredive dhe depozitave), rezultatet nuk janë të ngjashme. Ashtu si në rastin e Hungarisë dhe Polonisë, në rastin e Shqipërisë nuk gjendet një marrëdhënie kointegruese midis normës bazë dhe normës së depozitave afat-shkurtra. Kjo është e vërtetë edhe kur merren parasysh normat e kredive afatmesme dhe ato afatgjata. Ekziston një marrëdhënie kointegruese vetëm në rastin e normës bazë dhe normës së interesit të kredive afat-shkurtra, edhe pse koefiçenti afat-gjatë është statistikisht jo i rëndësishëm dhe me një madhësi më të vogël sesa koefiçenti mesatar afat-gjatë për vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore.

 

Pjesa e dytë e analizës empirike krahason përçimin e normës së interesit midis Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Jug-Lindore (Maqedonia, Bullgaria dhe Kroacia), duke u fokusuar vetëm në fazën e dytë të përçimit: nga normat e tregut të parasë tek normat e interesit të kredive. Gjetjet për përçimin e normës së interesit në Evropën Jug-Lindore janë marrë nga Petrevski dhe Bogoev (2012). Periudha e përdorur për analizën empirike kushtëzohet nga shtrirja kohore e studimit të Petrevski dhe Bogoev (2012), e cila përfshin periudhën nga janari i vitit 2000 deri në dhjetor të vitit 2010. Për shkak të mungesës të të dhënave të normave të tregut të parasë përpara vitit 2002 në Shqipëri, periudha e përdorur në analizën empirike fillon në 2002m01. Metodologjia e përdorur në studimin e Petrevksi dhe Bogoev(2012) konsiston në tre metoda kointegrimi: Metodologjia e Korrigjimit të Vektorit të Gabimit, Engle dhe Granger, dhe Katrorët e Vegjël Dinamik. Përdorimi i tre metodave të ndryshme bën një kontroll të sigurtë të rezultateve të marra, dhe gjithashtu marrin parasysh jo-stacionaritetin e serive kohore të normave të interesit. Në këtë studim krahasues prezantohet vlera mesatare e tre modeleve në lidhje me koeficentin afat-gjatë dhe afat-shkurtër të përçimit, dhe termin e korrigjimit të gabimit, së bashku me vlerat respektive për rëndësinë statistikore. Siç u shpjegua më lartë, në rastin e Shqipërisë, është përdorur vetëm metodologjia VECM. Në ndryshim nga Shqipëria, vendet e Evropës Jug-Lindore operojnë nën një regjim fiks të kursit të këmbimit. Ky ndryshim si edhe shtrirja e shkurtër kohore e përdorur në rastin e Shqipërisë, dhe ndryshimet në seritë kohore të normave të interesit mund ta bëjnë këtë krahasim disi të dyshimtë. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet se normat e interesit në kreditë e reja në Lek janë stacionare, të cilat të çojnë në rezultate të diskutueshme, apo në mungesë të marrëdhënieve kointegruese.

Kështu, në rastin e Shqipërisë, ne gjejmë të paktën një marrëdhënie kointegruese midis normës së interesit ndër-bankare 7-ditor dhe normës së interesit të kredive të reja – me maturitet afat-mesëm deri afat-gjatë, e ngjashme me rastin e Bullgarisë dhe Kroacisë (shih tabelën 3). Koefiçenti afat-gjatë i përçimit është statistikisht i rëndësishëm dhe ka një magnitudë më të madhe se koefiçenti më të madhe se 1 (overshooting) në rastin e Shqipërisë. Të ngjashme janë rasti i Bullgarisë dhe Kroacisë, edhe pse madhësia e koefiçentit afatgjatë është më i vogël se një, vlerësuar mesatarisht rreth 0.47. Gjithashtu, termi i korrigjimit të gabimit është statistikisht i rëndësishëm dhe me madhësi të madhe, për të dy vendet, Bullgarinë dhe Kroacinë, rreth 23%; ndërkohë që shpejtësia e axhustimit të normave të interesit të kredive në Shqipëri është më e lartë, rreth 46%.

Në rastet kur merret parasysh norma mesatare e interesit për kreditë e reja-në rastin e Shqipërisë, ne gjejmë të paktën një marrëdhënie kointegruese me normën e interesit ndër-bankare 7-ditore, me një shpejtësi axhustimit rreth 30%, ndërkohë që në rastin e Maqedonisë ky axhustim është shumë i ulët, rreth 7%. Megjithatë, përçimi afatgjatë në rastin e Shqipërisë është statistikisht i parëndësishëm, dhe vlerësohet rreth 0.37, ndërkohë që në rastin e Maqedonisë është shumë më i lartë, rreth 0.83, dhe gjithashtu statistikisht i rëndësishëm.

 

Qëllimi i këtij materiali ishte të prezantonte një analizë krahasuese të përçimit të normës së interesit midis Shqipërisë dhe dy grupeve të vendeve të ndryshme: vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore (Republika Ceke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia) dhe vendeve të Evropës Jug lindore (Maqedonia, Kroacia dhe Bullgaria). Grupi i parë ka regjim fleksibël të kursit të këmbimit (përveç Sllovakisë) siç është rasti edhe për Shqipërinë, ndërkohë që grupi i dytë ka regjim fiks të kursit të këmbimit. Kështu, ky studim shërben për të theksuar ndryshimet në përçimin e normës së interesit të cilat mund të jenë rezultat i operimit në kushtet e rregjimeve të ndryshme të kursit të këmbimit. Studimi nuk ka për qëllim të identifikojë ndikimin e kursit të këmbimit në përçimin e normës së interesit, por thjesht të ofrojë një pamje krahasimore ndërmjet vendeve me karakteristika të ndryshme.

Analiza empirike tregon qartë se krahasimi i përçimit të normës së interesit midis Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug lindore është mjaft sfidues dhe mund të çojë në konkluzione të gabuara duke patur parasysh ndryshimet në normat e interesit të përzgjedhur për tregun me shumicë dhe ato me pakicë në këto vende, ndryshimet e vogla në metodologjitë e përdorura, dhe shtrirjen kohore kur është bërë analiza empirike. Ishte e pamundur të ndiqeshin ekzaktësisht me atë të Balázs et al (2006) dhe Petrevski dhe Bogoev (2012) për shkak të mungesës së të dhënave për disa seri kohore të normave të interesit (psh normat e interesit të kredive akorduar për qëllime konsumi apo strehimi, normat e interesit mbi tepricën e kredive, normat e interesit për kreditë akorduar bizneseve apo individëve, normat e interesit ndër-bankare me maturim më të madh se një javë etj), apo si rezultat i serive kohore të shkurtra (për shembull normat e interesit për depozitat e reja afatgjata). Gjithashtu, normat e interesit të kredive në Shqipëri janë gjetur të jenë stacionare, e cila e ndërlikon përdorimin e metodave kointegruese të serive kohore dhe interpretimin e rezultateve të marra nga përdorimi i këtyre metodave.

Duke marrë në konsideratë këto diferenca, përçimi i normës së interesit në Shqipëri është më i ngjashëm me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të cilat karakterizohen nga regjim fleksibël i kursit të këmbimit. Ngjashmëri më e madhe gjendet në fazën e parë të përçimit të normës së interesit – nga norma bazë tek norma e tregut me shumicë (tregu ndër-bankar dhe primar).

Nëse bëhet një krahasim i përçimit të normës së interesit midis vendeve që kanë regjim fiks apo të luhatshëm të kursit të këmbimit, është shumë e rëndësishme të kontrollohet për shkallën e ndryshme të fleksibilitetit të kursit të këmbimit pasi ato ndryshojnë nga hapja e llogarisë së kapitalit. Kjo mund të realizohet duke bërë një klasifikim më të mirë të regjimit të kursit të këmbimit dhe duke përfshirë tregues të tjerë që matin shkallën e hapjes së llogarive të kapitalit.

Gjithashtu, një çështje interesante dhe me vlerë e cila mund të ketë nevojë për studim të mëtejshëm është kërkimi nëse impulset monetare (një rritje apo ulje e normës bazë) në ndonjë nga vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug lindore është transmetuar në Shqipëri apo anasjelltas.

Së fundmi, kjo analizë krahasuese mund të jetë më e plotë dhe e saktë nëse rezultatet empirike mbi trasmetimin e normës së interesit për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug lindore nuk do të ishin marrë nga studime të tjera, por të ishin bërë nga autori me qëllim që analiza të bëhet me të njëjtat të dhëna, shtrirje kohore dhe metodologji e njëjtë për vendet nën studim.

 

[1] ALL – Albanian Lek

Leave a Reply

Back to top button