Analiza

Si në Luftën e Ftohtë. Kremlini “hesht” Zërin e Amerikës

si ne luften e ftohteLufta e Ftohtë, kjo e reja, vazhdon dhe duket se dëshiron ta kopjojë atë të parën edhe në detajet më të vegjël. Me Sergei Lavrovin, i cili përdor një gjuhë e cila e bën të duket si rimishërimi i Gromikos, ora e Moskës vazhdon të ecë së prapthi dhe në këtë rikthim tek e ardhmja, nuk mund të mungonte një detaj thelbësor: “zërat armiq”, sic quheshin radiot e huaja në gjuhën ruse. Prej disa ditësh, një rus nuk mund ta sintonizojë radion e tij tek “Zëri i Amerikës”. Letrës formale të rinovimit të kontratës nga Uashingtoni, Dmitri Kiseliov, prezantuesi kryesor i televizionit shtetëror dhe kreu i Russia Today, kompania shtetërore e propagandës ruse jashtë vendit, i është përgjigjur thatë: “nuk duam të vazhdojmë bashkëpunimin”.

Një shenjë e kohëve, ndërkohë që Rusia po izolohet nga pjesa tjetër e botës që e konsideron armiqësore, duke rikthyer retorikën dhe rregullat e BRSS. Në vitet shtatëdhjetë, afro 30 milionë sovjetikë ngjisnin veshët pas radiove të vogla, në përpjekje për të kapur valët e Zërit të Amerikës, BBC, Radio Liberty dhe Deutsche Welles, shpesh herë pothuajse të padëgjueshme në rrëmujën e frekuenca të emetuara prej “glushilke”-ve, ose zhurmuesit që funksiononin deri në vitin 1991. Dëgjoheshin natën, fshehtas edhe familjarëve, të mbyllur vetëm në dhoma, duke rrezikuar inkriminimin për “veprimtari antisovjetike” apo, minimumi, duke rrezikuar telashe të mëdha në punë apo në shkollë. Zëri i Amerikës, i lindur në vitin 1942 për t’iu kundërvënë propagandës së Gëbelsit, filloi të transmetojë në rusisht në vitin 1947, një vit pas BBC-së, e cila u aktivizua menjëherë pasi Churchilli përdori termin “perdja e hekurt” në fjalimin e tij historoik në Fulton.

Histori kohërash të tjera, dhe që në vitet 90, Kongresi amerikan ishte përpjekur të mbyllte financimet për Radio Liberty. Armiqtë ishin zhvendosur gjetkë, dhe ndërkohë që Zëri i Amerikës zgjeronte redaksitë që transmetonin në gjuhën arabe dhe siriane, ajo ruse i shkurtonte orët në eter. Por Rusia mbetet njëvend i paparashikueshëm, dhe të papunët e luftës së ftohtë duan të rikthehen në shërbim. Kiseliov – i njohur për faktin që ka propozuar të digjen zemrat e homoseksualëve dhe i vetmi gazetar i goditur nga sanksionet e BE – e quan radion amerikane “zërin e përtejmë, nga një botë tjetër që nuk ekziston më”, dhe e ndalon duke e quajtur “të bezdisur” (por e tija, Russia Today vazhdon të transmetojë lirisht në SHBA).

Një veprim që edhe shumë komentatorë putinianë e konsiderojnë të ekzagjeruar, mbi të gjitha sepse është i kotë: ndryshe nga vitet ’70, ekziston interneti dhe Zëri i Amerikës prej kohësh transmeton pothuajse ekskluzivisht në internet, ndërkohë që Radio Liberty prej dy vitesh mund të ndiqet ekskluzivisht vetëm në faqen e internetit. Në pritje që të bllokohet për “ekstremizëm” sic ka ndodhur me shumë media dhe blogje rusë, duke përfshirë atë të liderit të opozitës, Alexei Navalny. Putini denoncon “kolonën e pestë të nacional-tradhëtarëve” dhe deputetë të ndryshëm propozojnë, ashtu si në kohërat sovjetike, dëbimin për disidentët. Dhe duket e mundshme që redaksitë ruse të “zërave armiq”, pas pak kohësh do të fillojnë të marrin sërisih zërat më brilantë të gazetarisë dhe kulturës së Moskës, që nuk gjejnë punë gjetkë.

Leave a Reply

Back to top button