Margaret Thatcheri dhe Ronald Reagani kishin një marrëdhënie të pazakontë. Një marrëdhënie speciale. Biografi i të dyve, Geoffrey Smith e përshkruan kështu: “Ishte më e ngushtë ideologjikisht dhe më e ngrohtë personalisht, se sa çdo marrëdhënie mes çdo kryeministri tjetër britanik dhe çdo presidenti tjetër amerikan.
Personi që ka shërbyer për një kohë të gjatë si Sekretar Shtypi i Thatcherit, e përshkruan në këtë mënyrë marrëdhënien mes të dyve: “Mendoj se politikisht ishin shpirtëra binjakë dhe kjo e shpjegon afërsinë e tyre”.
Thatcheri dhe Reagani ishin takuar shumë vite përpara se gjithësecili prej tyre të vinte në pushtet, dhe kishin kaluar orë të tëra duke diskutuar vizionet e tyre të përbashkëta. “Ishin dy njerëz që thoshin, sikur të mbërrijmë atje, në pushtet pra, e dimë ne se çfarë do të bëjmë”, thotë biografi Smith.
Dhe kështu bënë. Imagjinoni një kryeministër britanik që flet edhe për një president amerikan. “Duke folur në emër të të dyve, Thatcheri shpesh herë shprehej para mediave: Ron dhe unë mendojmë”, vazhdon Smith.
Thatcheri ndryshoi këndvështrimin sentimental që Reagani kishte për Irlandën. “Ai i dha asaj më shumë mbështetje në përballimin e terrorizmit në Irlandën Veriore, se sa çdo president amerikan i mëparshëm”.
Thatcheri e bindi Reaganin se Mikhail Gorbachovi ishte një udhëheqës sovjetik me të cilin mund të punohej.
“Ajo i telefonoi Reaganit dhe i tha: Sapo kam takuar një udhëheqës të ri të BS, dhe ai është ndryshe nga çdo udhëheqës sovjetik që kemi parë”, thotë Smith.
Por Thatcheri nuk ia doli kurrë që të bindte presidentin amerikan të ndante alarmizmin e saj mbi defiçitin e SHBA.
Megjithatë, shlyerja e madhe për britanikët erdhi kur presidenti Reagan mbështeti britanikët në luftën e vitit 1982 me Argjentinën, për ishujt Falkland.
“Reagani e dinte që, nëse nuk e mbështeste dhe ajo humbiste, Thatcheri do të rrëzohej nga pushteti, dhe kështu nga çdo këndvështrim, ai nuk e braktisi”, thotë biografi.
Kishte edhe vështirësi mes të dyve. Për shembull, nuk ishte shumë e lehtë për Reaganin që të bindte Thatcherin, që të lejonte sulmin amerikan të 1986 kundër Libisë, sulm që ai e nisi prej bazave britanike.
Pushtimi amerikan i Grenadës në vitin 1983 e zemëroi jo pak Thatcherin. Sekretari i saj i Shtypit kujton: “Zonja Thatcher ishte e tërbuar dhe përsëriste: Si mund ta bënte pa informuar Mbretëreshin. E kishte fjalën, pa më thënë mua, që të njoftoja kreun e komonuelthit”.
Thatcheri i befasua gjithashtu kur Reagani u përpoq të firmoste një marrëveshje të re çarmatimi bërthamor me Gorbaçovin në Reikiavik, Islandë, në vitin 1986.
“Thatcheri ishte vërtetë e tërbuar, me atë “burrin ne shtëpinë e bardhë”. Si dashka të heqë dorë nga armët bërthamore, a nuk e di ai që kjo teknologji nuk mund të çshpiket”? – kujton Sekretari i Shtypit. Në fund, Thatcherit iu desh të kapërcejë Atlantikun dhe ta bindte Reaganin të ndërronte udhë. “Ajo e ktheu krejt politikën amerikane, pa bërë fare publik faktin që nuk binte dakord”, thotë biografi Geoffrey Smith.
Ishte e lehtë për shumëkënd ta vinte në lojë marrëdhënien mes Thatcherit dhe reaganit, por një gjë ishte e sigurtë: ajo i kishte rrënjët në një afeksion të thellë dhe respekt të sinqertë.
Të dy u bënë mishërimi i asaj që tashmë njihet si erpoka e artë e konservatorizmit, një epokë kur politikat e tyre ndryshuan hartën e botës dhe vizioni i tyre i përbashkët ekonomik, është ende gjallë sot./CNN – bota.al