Horizonti.alMAIN

Si ta ngadalësojmë kohën

A mund të ndihemi sikur kemi më shumë kohë duke ndryshuar perceptimin tonë për të?

Tempus fugit: koha fluturon. Nëse ndonjëherë të duket sikur ditët po kalojnë me një shpejtësi marramendëse mes takimeve, njoftimeve në telefon dhe dozave të kafesë, dije se nuk je i vetmi. Kjo frazë latine e ka origjinën në shkrimet e poetit romak Virgjil, rreth dy mijë vjet më parë.

Kohët e fundit, një sondazh vitin e kaluar zbuloi se 6 në 10 persona ndihen sikur nuk kanë mjaftueshëm kohë për të përmbushur gjithçka gjatë ditës. “Koha fluturon” nuk mjafton për ta përshkruar; shpesh ndjehemi sikur ka kaluar në regjim supersonik.

Por kërkime të reja nga Universiteti George Mason në SHBA ofrojnë një dritë shprese për ngadalësim. Neuroshkencëtarët atje po studiojnë dilatimin e kohës, një fenomen ku perceptimi ynë për kohën duket se zgjatet dhe ngadalësohet.

Në studimin e fundit, ata po shqyrtojnë nëse imazhe, përvoja ose skena të caktuara kanë më shumë gjasë të ndikojnë në këtë ndjesi të zgjatjes së kohës dhe zbuluan se imazhet që lënë mbresa mund të ndikojnë ndjeshëm në këtë perceptim. Sa më mbresëlënëse të jetë një pamje, aq më shumë ka të ngjarë që ta perceptosh sikur e ke parë për më gjatë sesa ka ndodhur realisht.

Në laborator, bëhet fjalë për sekonda, thotë profesori Martin Wiener, që drejtoi studimin. “Kjo do të thotë që një moment shfaqet më i gjatë për vëzhguesin sesa është në të vërtetë,” thotë ai.

 “Ndoshta ne ‘zgjatim’ kohën për të marrë më shumë informacion. Është një mënyrë në të cilën truri thotë: ‘Po shoh diçka dhe është e rëndësishme, ndaj më mirë ta zgjeroj kohën për të mbledhur sa më shumë informacion nga ky moment.’”

Kjo ngre një pikë interesante: A mund të ngadalësojmë mendërisht kohën, të mësojmë të jetojmë më shumë në moment dhe të zgjatim kohët e bukura?

Ne e dimë që perceptimi subjektiv i kohës është i ndryshueshëm. Logjika dhe arsyeja na thonë se koha fluturon kur jemi të lumtur dhe shkon shumë ngadalë kur jemi duke pritur ose jemi të mërzitur.

“Problemi është, kur ndjehemi sikur kemi më shumë kohë, zakonisht nuk është një ndjesi e mirë,” thotë Wiener.  “Në përgjithësi, kur koha tërhiqet ngadalë, ato janë momente që na mërzisin ose na shqetësojnë – koha punon kundër nesh.”

Faktorë të tjerë mund të ndikojnë në mënyrën si e përjetojmë kohën. Për shembull, përvojat e zhurmshme ndihen më të gjata sesa ato të qeta, ndërsa pamjet emocionale apo frikësuese japin ndjesinë se i ke parë për më gjatë sesa ato më pasive.

Nëse je person impulsiv ose me ADHD, koha mund të duket se kalon më shpejt për ty sesa për njerëzit e tjerë.

Dhe pastaj është edhe ndjesia e “rrjedhjes” (flow): një gjendje mendore ku ti je “në elementin tënd”, kur ti je plotësisht i zhytur në diçka që gjithashtu të jep kënaqësi.

“Gjendja e rrjedhës (flow) është një përvojë ku koha duket se ngadalësohet pak në çast, por në një mënyrë të këndshme,” thotë Wiener. “Meditimi është një shembull. Është një nga ato raste ku koha duket se zgjatet.”

Wiener thekson se ka një dallim mes kohës që përjetojmë në moment dhe mënyrës se si e kujtojmë më vonë.

 “Koha fluturon në çastin që ndodh, por kur kthehemi pas në kujtime, na duket sikur ka zgjatur më shumë. Nëse shkon me pushime për një javë në një vend ku nuk ke qenë kurrë, kur të kthesh kokën pas, mund të mendosh: ‘Uau, bëra gjithë këto gjëra?!’”

Në mendjen tonë, një javë pushimi na duket më e gjatë sesa një javë tipike me rutinën e zakonshme të përditshme që fluturon. Ndoshta kjo ndodh sepse truri nuk ndalet të përthithë informacionin kur përjetojmë të njëjtën gjë të përditshme.

 “Kur përjetojmë të njëjtën gjë, përvojat nuk mbeten në mendje si të paharrueshme,” thotë ai. “Dhe na mungon koha.”

Si ta përkulim kohën sipas vullnetit tonë?

Si mund ta përkulim kohën sipas dëshirës sonë dhe t’i japim vetes më shumë prej saj – qoftë edhe në mënyrë të shtirur, si një jetë në “slow-motion”?

Studimi i Wiener-it sugjeron që: “Të kërkosh informacion interesant, gjëra të reja dhe ndryshe, stimuluese dhe emocionuese, është e dobishme, sepse jo vetëm që zgjat ndjesinë e kohës, por edhe përmirëson kujtesën tonë për ato situata.”

Bëhet fjalë për të pasur hobi të rinj, për të parë vende të reja, për t’u zhytur në tema të panjohura apo për të takuar njerëz të rinj. Me fjalë të tjera, nëse do të përjetosh më shumë kohë, duhet të bësh më shumë me kohën që ke. / bota.al

Back to top button