Analiza

Si t’i mbijetosh epokës së alarmizmave në fshatin tonë global, ku të gjithë flasin njëkohësisht

Sot, të bësh gazetari, do të thotë të rrëfesh se çfarë ndodh në sipërfaqe, jo çfarë ka nën të. Profesionistët e informacionit nuk mendojnë se detyra e tyre është që të qetësojnë, por të shkundin dhe nxisin publikun. Dhe sot lajmet vijnë papushim nga gazeta, revista dhe të gjitha pajisjet e teknologjisë që zotërojmë. na e përlasin në fytyrë, sa herë që hapim një prej tyre. Prandaj, edhe në qoftë se në botë ka dhjetëra-mijëra kurse që mësojnë gazetarinë, ajo që me të vërtetë na nevojitet, është dikush që të mësojë lexuesit dhe shikuesit, se si të konsumojnë lajmet dhe të mbeten të shëndoshë mendërisht

Nga David Randall

Donald Trump, Kim Jong-un, kërcënimet bërthamore, Bashar al Assadi, gazrat toksike, Vladimir Putini, Shteti Islamik, terroristët që lëshojnë kamionët kundër njerëzve të pafajshëm. Sado që lajmet e rreme mund të kallin frikë, ato nuk janë asgjë, në krahasim me ato reale. Në Google, kërkimi për “luftën e tretë botërore”, ka arritur një rekord të lartë në ditët e fundit, bashkë me kërkimin për “luftë bërthamore”. Nëse keni ndërmend të ndryshoni zanat, nuk ka patur ndonjëherë kohë më të mirë, për të qenë konsulentë antistres.

Por, para se të rendni në rrugë duke ulëritur, do të doja t’ju ofroja disa reflektime qetësuese. Marrim rrezikun, në dukje, që Trumpi dhe Koreja e Veriut ndezin një luftë bërthamore. Them në dukje, për shkak se mund t’ia vlejë të konsiderojmë hipotezën që, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, të dyja të angazhuara për të vënë nën presion Kim Jong-un, e dinë se çfarë po bëjnë. Arsyeja e agresivitetit të Trumpit dhe kërcënimeve ekonomike të Kinës ndaj Phenianit, mund të jetë se, shërbimet sekrete të të dy vendeve, u kanë sugjeruar qeverive të tyre, që këto presione mund të shpien në një grusht shteti ushtarak kundër Kimit.

E them këtë jo sepse kam qasje në informacione të rezervuara, por sepse rregulli im i parë kur lexoj për dy shtete që shkëmbejnë kërcënime është: ajo që na duket se shohim, nuk është realiteti. Shpesh herë ka arsye të tjera më të thella, oër të cilat askush nuk flet. Nëse gabohem, shpejt të gjithë do të katandisemi në pluhur radioaktiv, por të paktën nuk do t’i keni kaluar ditët e fundit të jetës, duke kërkuar në mënyrë obsesive fjalën “apokalips” në Google.

Nëse nuk jeni të abonuar në një faqe për ekspertët e politikës së jashtme, nuk do t’i dëgjoni këto gjëra të thuhen në media. Sot, të bësh gazetari, do të thotë të rrëfesh se çfarë ndodh në sipërfaqe, jo çfarë ka nën të. Profesionistët e informacionit nuk mendojnë se detyra e tyre është që të qetësojnë, por të shkundin dhe nxisin publikun. Dhe sot lajmet vijnë papushim nga gazeta, revista dhe të gjitha pajisjet e teknologjisë që zotërojmë. na e përlasin në fytyrë, sa herë që hapim një prej tyre. Prandaj, edhe në qoftë se në botë ka dhjetëra-mijëra kurse që mësojnë gazetarinë, ajo që me të vërtetë na nevojitet, është dikush që të mësojë lexuesit dhe shikuesit, se si të konsumojnë lajmet dhe të mbeten të shëndoshë mendërisht.

Sa i përket mjeteve tradicionale të informimit, kur publiku gjendet përballë një lajmi, ai ka nevojë për pak skepticizëm instiktiv të gazetarëve ekspertë. CIli është burimi? Përse na e thonë tani? Eshtë vërtetë një fakt i ri, apo vetëm propagandë e ndonjë qeverie, politikani, kompania apo grupi presioni?

Duhet të dijmë se, kur një gazetar përdor fjalë të tilla si “krizë”, “katastrofë”, apo “dramë” për të përcaktuar një ngjarje, zakonisht nuk është asgjë e tillë, por vetëm një prej ulje-ngritjeve të shumta të jetës, dhe kur flitet për “indinjatë popullore”, shpesh herë u referohet disa dhjetëra personave që e kanë shprehur në Tuiter. Duhet të dijmë se, lajmet e bazuara në atë që ka thënë dikush zakonisht mund të injorohen, për sa kohë që nuk ndodh me të vërtetë diçka. Duhet të dijmë se, nevoja për të mbushur me përmbajtje kanalet që transmetojnë 24 orë në 24, çdo ditë, detyron që të rrëfehen deri në hollësitë më të vogla, gjëra krejt normale. Por mbi të gjitha, konsumatorët e lajmeve duhet të mbajnë parasysh dy ligjet e para që rregullojnë interpretimin e tyre: i pari është që situata nuk është asnjëherë aq e rëndë sa thonë aktivistët dhe zëdhënësi, i dyti është që një lajm është i përpunuar, nuk është një pasqyrë e jetës reale.

Të gjithë këto natyrisht që gjejnë zbatim në lajmet e prodhuara prej profesionistëve, që megjithatë sot janë më pak se gjysma e atyre në qarkullim. Eshtë edhe iluzioni i lajmeve të prodhuara minutë pas minute nga njerëz të caktuar apo nga grupe, ose të botuara nga kontaket tona në rrjetet sociale, të përziera me një dozë të mirë thashethemesh, teorish komploti, përpjekjesh për të ndezur antipati apo simpati, që jo gjithmonë shfaqen për atë që janë. Dhe vëllimi i këtij trafiku mund të jetë shumë i madh. Marshall McLuhan kishte të drejtë kur fliste për fshatin global, ajo që nuk kishte parashikuar, ishte se të gjithë do të përpiqeshin të flisnin njëkohësisht.

Duke qenë se, sipas të gjithë studimeve, janë personat më pak të lumtur që kalojnë më shumë kohë në rrjetet sociale, përdorimi dhe interpretimi i mesazheve të tyre duhet të mësohet në shkollë, shtu sikurse dhe si të lexohen dhe interpretohen lajmet e mjeteve tradicionale të informimit.

Jetojmë të gjithë në një fazë të hiperaktivitetit të informacionit, të paprecedentë. Eshtë koha që shkollat dhe universitetet t’u mësojnë nxënësve dhe studentëve jo vetëm si të shmangin rreziqet në Internet, por edhe si të lexojnë, kuptojnë dhe t’u japin kuptim lajmeve që marrin përmes pajisjeve të tyre elektornike, në çdo orë të ditës.

David Randall ka qenë Kryeredaktor i të përjavshmes Independent on Sunday. Këtë artikull e ka shkruajtur për “Internazionale”. Libri i tij i fundit është: “Trembëdhjetë gazetarë pothuaj të përsosur”

Përgatiti: Ermal Gjinaj / bota.al

Leave a Reply

Back to top button