Ekonomi

Si u pasurua Perëndimi (dhe pjesa tjetër e botës)

Pasurimi i Madh i dy shekujve të fundit ka një burim kryesor: lirinë e njerëzve të zakonshëm për të ndjekur ëndrrat e tyre për përmirësimin e kushteve ekonomike

Screen Shot 2016-05-27 at 09.01.35

Nga Deirdre N. MekKloski

Pse jemi kaq të pasur? Një amerikan fiton mesatarisht 130 dollarë në ditë, gjë që e vendos  SHBA-së ndër vendet e para të tabelës. Kina qëndron tek 20 dollarë në ditë (në fakt, fuqia blerëse përshtatet me të ardhurat) dhe India në 10 dollarë, edhe pas emergjencës që kaloi vendi në dekadat e fundit si pasojë e një socializmi paralizues prej 1 dollari në ditë.  Pas disa gjenerataash të përmirësimit ekonomik, testimit në tregti, edhe ata do të jenë të pasur.

Aktualisht,  krahasimi mbi pasurimin përfshin shumicën e vendeve në ditët e sotme, me përjashtime trishtuese. Dy shekuj më parë, të ardhurat mesatare botërore për person (me çmimet e sotme) ishte rreth 3 dollarë në ditë. Kishte qenë ashtu qëkur njerëzit jetonin në shpella. Sot ajo është 33 dollarë në ditë, që është niveli aktual i Brazilit dhe niveli i SHBA-së në vitin 1940. Gjatë 200 viteve të fundit, të ardhurat mesatare reale për person, duke përfshirë edhe tragjeditë e sotme si Çadi dhe Koreja e Veriut, janë rritur me 10 herë. Kjo është mahnitëse. 

Në vendet që aplikuan me seriozitet tregtinë e hapur dhe përmirësimin ekonomik si Japonia, Suedia dhe SHBA, kjo rritje është thuajse 30 herë, duke qenë edhe më mahnitëse. Dhe këto shifra nuk marrin parasysh përmirësiminradikal që nga viti 1800 në mallra dhe shërbimet që kemi zakonisht në dispozicion. Shqetësimet e sotme mbi stanjacionin e pagave reale në SHBA dhe ekonomitë e tjera të zhvilluara janë të ekzagjeruara, nëse i vendosim ato në perspektivën historike. 

Sikurse kanë argumentuar ekonomistët Donald Bodrò dhe Mark Perry, shifrat zyrtare nuk marrin parasysh përfitimet reale të progresit tonë të habitshëm material. Shikoni pamjen madhështore të rafteve në supermarkete dhe qendrat tregtare. Mendoni për pajisjet magjike që përdoren për komunikim dhe argëtim, të cilat tanimë janë në dispozicion edhe për njerëzit me të ardhura modeste. A njihni ndokënd që është klinikisht depresiv? Ai mund të kurohet me një varg barnash efektive, asnjëra prej të cilave nuk qe dikur në dispozicion të miliarderit Huard Hjuxh në dëshpërim e tij të thellë. 

Asgjë e ngjashme si Pasurimi i Madh i dy shekujve të fundit, nuk ka ndodhur kurrë më parë. Dyfishimi i të ardhurave- përmirësimi 100 përqind i kushteve njerëzore – ka ndodhur shpesh, gjatë lavdisë së Greqisë dhe madhështisë së Romës, në Kinën e dinastisë Song dhe Indinë e Mughalit. Por njerëzit ranë shpejt në rutinën e mjerueshme të të ardhurave të Afganistanit të ditëve të sotme, me 3 dollarë në ditë ose më keq. 

Një përmirësim revolucionar prej 10.000 përqind, duke marrë parasysh çdo gjë nga mallrat e konservuara tek ilaçet kundër depresionit, ishte jashtë diskutimit. Deri sa kjo ndodhi. Po çfarë e shkaktoi atë? Shpjegimet e zakonshme ndjekin ideologjinë. Në të majtë, nga Marksi e tutje, çelësi është thënë të jetë shfrytëzimi. Pas vitit 1800, kapitalistët kapën vlerën e tepërt nga punëtorët e tyre dhe e investuan atë në mullinj të errët satanike. 

Në të djathtë, nga i bekuari Adam Smith e tutje, truku dukej se qendrohet tek kursimet. Malësorët e egër mund të bëheshin po aq të pasur sa holandezët – “shkalla më të lartë e mirëqenes”, siç e theksoi Smith në vitin 1776 – nëse ata do të kursenin mjaftueshëm për të grumbulluar kapital (dhe ndaluar vjedhjen e bagëtive nga njëri-tjetri).

Një zgjerim i kohëve të fundit i pretendimit të Smith, i paraqitur nga ekonomisti nobelist Dagllas Nort (dhe tanimë e përqafuar si ortodoksi nga Banka Botërore) është se eliksiri i vërtetë janë institucionet. Sipas kësaj pikëpamje, nëse ju jepni i avokatëve të një kombi rroba të bukura dhe jaka të bardha, do të merrni diçka të ngjashme si zbatimi i ligjit sin ë Angli. Do të sundojë ligji, korrupsioni do të zhduket, dhe kombi do të akumulonë kapitale në shkallën më të lartë të pasurisë.

Ajo që pasuroi botën moderne nuk ishte kapitali i vjedhur nga punonjësit apo ruajtja e kapitalit në mënyrë virtuoze, dhe as institucionet që në mënyrë rutinore e akumulojnë atë. Natyrisht kapitali dhe sundimi i ligjit qenë të nevojshme, por kështu ishte forca punëtore, ujë i lëngshëm dhe shigjeta e kohës. Kapitali u bë produktiv për shkak të ideve për përmirësim – idetë e nxjerra nga një marangoz, telegrafist apo ekspert kompjuterash. Siç e thekson edhe Met Ridli në librin e tij “Optimisti racional” (2010), ajo që ka ndodhur gjatë dy shekujve të fundit është se “idetë filluan të bënin seks”. 

Ideja e një hekurudhe ishte një bashkim i motorëve me avull me presion të lartë dhe makinave që ecnin mbi shinat në minierat me qymyr. Ideja për një kositëse bari u shoqërua me një motor benzine në miniaturë me një korrëse mekanike po në miniaturë. Dhe kështu me radhë, nëpërmjet çdo lloj shpikjeje të imagjinueshme. Bashkim i ideve në kokat e njerëzve, shkaktoi thjeshtë një shpërthim të përmirësimeve.

Nëse akumulimi i kapitalit apo sundimi i ligjit do të kishin qenë të mjaftueshme, Pasurimi i Madh do të kishte ndodhur në Mesopotami në vitin 2000 P.E.S, apo Romë në vitin 100 ose në Bagdad në vitin 800. Deri në në vitin 1500, dhe në shumë aspekte deri në 1700-ën, Kina qe vendi më i përparuar teknologjikisht. Qindra vjet para Perëndimit, kinezët hapën kanale masive për të lundruar lart dhe poshtë kodrave, dhe vetë kanalet ishin shumë më të gjata se çdo në vend të Evropës. 

Zona e tregtisë së lirë së Kinës dhe sundimi i saj ligjor kanë qenë shumë më të gjera se në hapësirat e fragmentuara edhe konfliktuale të Evropës, të ndarë nga tarifat dhe tiranitë. Por nuk qe Kina por Evropa Veriperëndimore ku ndodhi për herë të parë Revolucioni Industrial dhe Pasurimi i Madh. Pse idetë filluan papritur të lindin atje? Pse gjithçka nisi në fillim në Holandë në vitin 1600 dhe pastaj Angli rreth viteve 1700, dhe pastaj në kolonitë e Amerikës së Veriut, fqinjin e varfëruar të Anglisë, Skocinë, dhe pastaj Belgjikë, Francë Veriore, dhe Rinlandin gjerman?

Përgjigja, me një fjalë, është “liria”. Rezultoi se njerëzit e çliruar qenë të zgjuar. Skllevërit, bujkrobërit, gratë shërbyese, njerëzit e ngrirë në një hierarki zotërinjsh apo burokratësh jo. Gjithnjë e më shumë evropianë u çliruan si pasojë e aksidenteve të caktuara të politikës evropiane, që nuk kishin asnjë të përbashkët me virtytet kryesore evropiane. 

Nga reformacioni i Luterit, nëpërmjet revoltës holandeze kundër Spanjës pas vitit 1568, trazirave e Anglisë gjatë Luftës Civile të viteve 1640 dhe në prag të revolucioneve amerikane dhe franceze, evropianët arritën të besojnë se njerëzit e thjeshtë duhet të jenë të lirë. Ju mund ta quani atë: jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Për të përdorur një tjetër koncept të madh, ajo që erdhi – ngadalë dhe në mënyrë jo të përsosur, ishte barazia. 

Nuk ishte një barazi e rezultatit, e cila mund të etiketohet “franceze” në nder të Zhan Zhak Rusosë dhe Tomas Piketi. Ishte si të thuash “skoceze”, në nderim të Dejvid Hjum dhe Adam Smith:barazia para ligjit dhe barazia e dinjitetit social. Ajo i bën njerëzit të guximshëm për të ndjekur përmirësimin e jetesës për inteesin e vet. 

Sikurse vinte në dukje Smith “duke e lejuar çdo njeri të ndjekë interesin dhe rrugën e tij mbi planin liberal të barazisë, lirisë dhe drejtësisë”. Dhe ky është koncepti tjetër befasues që shpjegon pasurimin tonë:”liberalizmi”, në kuptimin e tij “i denjë për një njeri të lirë”. Në shekullin XVIII-të, mendimtarë liberalë si Volteri dhe Benxhamin Frenklin mbrojtën me guxim lirinë e tregtisë. Nga vitet 1830 dhe 1840, një inteligjencë shumë e zgjeruar, kryesisht bijtë e etërve borgjeze, filluan të nënqeshin me arrogancë me liritë që kishin pasuruar pleqtë e tyre dhe bënë të mundur kohën e lirë e tyre. Bijtë mbështetën përdorimin e fuqishëm e monopolit shtetëror të dhunës për të jetësuar shpejt njërën apo tjetrën utopi.

Për shembull intelektualët në të djathtën politike, kthyen kokën pas me nostalgji ndaj një mesjete të imagjinuar, të lirë nga vulgaritetet e tregtisë, një epokë e artë jo tregtare në të cilën sundonin qiratë dhe hierarkia. Një vizion i tillë konservator dhe romantik i kohës së shkuar përshtatej mirë me pozitë e lartë të së djathtës në klasën sunduese.  Më vonë në shekullin e XIX, nën ndikimin e një versioni të shkencës, e djathta përvetësoi darvinizmin social dhe eugjenikën duke zhvlerësuar lirinë dhe dinjitetin e njerëzve të zakonshëm, ngritur lart misionin e kombit mbi individin dhe rekomanduar kolonializmin, sterilizimin e detyruar dhe fuqinë spastruese të luftës.

Ndërkohë në të majtë, një kuadër i ndryshëm intelektualësh zhvilluan idenë joliberale se idetë nuk kanë rëndësi. Ajo që ka rëndësi për progres, deklaruan të majtët, ishte vala e pandalshme e historisë, e ndihmuar nga protesta, grevat dhe revolucionet kundër veprimeve mizore të borgjezisë. Më vonë, në socializmin evropian dhe progresivizmin amerikan, e majta propozoi mposhtjen e monopoleve borgjeze të mishit, sheqerit dhe çelikut duke tubuar nën rregullore, sindikata, planifikime qendrore apo kolektivizima të gjitha monopolet në një monopol kryesor të quajtur shtet.

Ndërsa i gjithë ky mendimi i thellë mundonte inteligjencën e Evropës, borgjezia tregtare – e përbuzur si nga të djathtët dhe të majtët por edhe nga shumë në mes  -krijoi Pasurimin e Madh dhe botën moderne. Pasurimi përmirësoi ndjeshëm jetën tonë. Duke vepruar kështu, dëshmoi se si darvinizmi social dhe Marksizmi ekonomik qenë të gabuara. 

Racat, klasat dhe etnitetet e supozuara inferiore nuk provuan të jenë sikurse qenë përshkuar. Proletariati i shfrytëzuar nuk u zhyt më në mjerim; ai u pasurua. Rezultoi se burrat dhe gratë e zakonshëm nuk kanë nevojë të drejtohen nga lart, dhe kur u nderuan dhe lanë vetëm, u bënë jashtëzakonisht kreativë. Pasurimi i Madh është ngjarja më e rëndësishme laike qëkur qeniet njerëzore zbutën grurin dhe kuaj. 

Ai ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë më i rëndësishme historikisht se ngritja dhe rënia e perandorive apo lufta e klasave në të gjitha shoqëritë ekzistuese. Perandoria nuk e pasuroi Britaninë. Suksesi i Amerikës nuk u var nga skllavëria. Fuqia nuk çoi në bollëk dhe shfrytëzimi nuk qe motori që e nxiti zhvillimin. Progresi drejt stilit francez të barazisë së rezultateve u arrit jo nga tatimet dhe rishpërndarja, por nga koncepti shumë i ndryshëm skocez i barazisë. 

Motori i vërtetë ishte zgjerimi ideologjia e liberalizmit klasik. Pasurimi i madh e ka rifilluar historinë. Ai do t’i japë fund varfërisë. Për një pjesë të mirë të njerëzimit, kjo tashmë ka ndodhur. Kina dhe India, të cilat kanë zbatuar disa nga parimet e liberalizmit ekonomik, kanë një rritje shpërthyese. Brazili, Rusia dhe Afrika e Jugut, për të mos folur për Bashkimin Evropian gjenden në stanjacion. Ekonomistët dhe historianët e majtë, të djathtë dhe të qendrës nuk mund ta shpjegojnë dot Pasurimin e Madh. Ndoshta shkencat e tyre kanë nevojë të rishikohen, drejt një “humanomiksi” që i merr seriozisht idetë. 

Shënim: Dr. Mekkloski është profesore e ekonomisë, historisë, anglishtes dhe komunikimit në Universitetin e Ilinoisit në Çikago. Kjo ese është përshtatur nga libri i saj i ri “Bourgeois Barazia: Ja si idetë dhe jo kapitali apo institucionet pasuruan botën”. / “Wall Street Journal” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button