I ati i saj vuante nga personaliteti i dyfishtë dhe për të, fëmijëria ishte ndryshe nga ajo e fëmijëve të tjerë. Njëri personalitet i tij quhej Phil dhe karakterizohej nga humori dhe sjellja e mirë, të cilat e bënin atë të dukej babai më i mirë. Personaliteti tjetër njihej me emrin Stan. Kur ai shfaqte këtë personalitet, bëhej i frikshëm në sytë e familjes së tij, e sidomos të Sias, e cila ishte një fëmijë në atë kohë. Ajo nuk e gjykoi kurrë të atin, sepse edhe vetë kishte një personalitet të mbyllur dhe të çuditshëm.
Muzika ishte pjesë e pandarë e familjes së saj, ndaj ajo nisi këtë karrierë. Albumi i saj i parë u shit me vetëm 1200 kopje. Kjo gjë e bëri Sian të vendoste zhvendosjen për në Londër, në mënyrë që të bënte muzikë dhe të jetonte me të dashurin e saj, i cili në atë kohë jetonte në Londër. Pikërisht kur ajo mbërriti në Londër, i dashuri i saj vdiq i aksidentuar nga një taksi. Për gjashtë vitet më pas, Sia u shndërrua në një të alkoolizuar kronike. Ajo madje, nisi edhe të konsumonte drogë gjatë asaj kohe, vetëm për të përballuar dhimbjen dhe vuajtjen e saj. Gjithsesi, ajo gjatë atyre viteve publikoi dy albume dhe sërish suksesi i saj ishte shumë i vogël.
E dëshpëruar, ajo u zhvendos për në New York, e pasigurtë për të ardhmen që e priste. Në New York, fatmirësisht, arriti të shkëputej nga varësia e saj prej alkoolit e drogës. Në atë kohë, një nga këngët e saj më të famshme, “Six feet under”, arriti të shfaqej në një televizion të njohur muzikor. Fama e menjëhershme e bëri të vendoste disa data për të mbajtur një tur muzikor, por njëkohësisht filloi të përjetonte edhe kriza paniku. Personaliteti i saj introvert filloi të dilte edhe një herë në pah. Ajo filloi të mos dilte më nga shtëpia, përveç rasteve kur i duhej të nxirrte për shëtitje qentë e saj. Diagnoza e saj u vendos shumë shpejt prej një mjeku psikiatër. Sipas tij, Sia vuante nga depresioni i tipit bipolar. Vuajtjet e shumta e bënë që ajo t’i rikthehej sërish drogës dhe alkoolit…
Ky ishte momenti kur ajo vendosi të largohej nga bota muzikore dhe të kompozonte këngë për këngëtarët e tjerë. Sia ka shkruar këngë për Rihannën, Christina Aguilerën, Beyonce’n, Britney Spears, Katy Perryn, Marron 5, Shakirën, Jennifer Lopez, Celine Dion, Rita Orën etj. Vetëm pas katër vitesh më vonë, ajo u ndje shumë më mirq dhe vendosi të publikonte një album të ri. Më në fund, albumi u rendit në krye të çdo klasifikimi dhe kënga e saj “Chandelier” ka arritur thuajse 2 miliardë klikime në YouTube. Sia ende ka probleme me personalitetin e saj, ndaj dhe gjatë performancave në skenë e fsheh fytyrën e saj. Sërish, çdo sukses që ajo ka arritur, e ka arritur e vetme dhe pa ndihmën e askujt.
“Jeta është një punë e brendshme dhe ne thjesht duhet të bëjmë më të mirën tonë”, është shprehur ajo.