I shtrirë në arkivol dhe i mbuluar me petkat e kuqe, Papa Françesku ka diçka solemne, si sovranët e mëdhenj të së kaluarës, me të cilët Papët garojnë ende sot për madhështi dhe pompozitet, ndonëse Bergoglio është përpjekur të shmangë këtë karakter madhështor.
Mbretërit e së kaluarës zotëronin një trup të dyfishtë, siç ka shkruar historiani Ernst Kantorowicz, për të cilin kërkohej një funeral i dyfishtë, për të varrosur të ndjerin dhe njëkohësisht për të transmetuar mbretërinë te trashëgimtarët.
Ceremoniali i Papëve, nga ana tjetër, prej shekujsh nuk e ndan më trupin shpirtëror nga ai fizik, por i mban të bashkuar edhe në momentin e kalimit dhe të varrimit. Në ritualin e funeralit mbretëror trupi kalonte në plan të dytë, ndërsa figura e tij ngadhënjente. Për këtë arsye, duke filluar nga fundi i Mesjetës, u ndërtuan rituale sipas të cilave trupi duhej t’i nënshtrohej imazhit. Portreti realist, ka shkruar Giovanni Ricci në “Princi dhe vdekja”, ia rrëmben të vdekurit homazhet funerare duke futur “një trillim përjetësie”.
Kjo ishte një luftë politike për të ruajtur pushtetin për familjen mbretërore dhe pasardhësit e saj: ajo që ka rëndësi është vazhdimësia dinastike. Ndërsa ai i Papës është një post i zgjehdur që nuk i nënshtrohet transferimit të autoritetit përmes trashëgimisë së gjakut. Aty ku “politika duket e paaftë të zgjidhë misteret e jetës dhe të vdekjes” (Ricci), forca shpirtërore e Kishës komunikon vazhdimësinë e fronit të Shën Pjetrit përmes kolegjialitetit dhe zgjedhjes së kryer nga kardinalët, të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë. Aty ku strukturat monarkike janë ndier për shekuj me radhë të rrethuara nga vdekja, Papa dëshmon një qëndrueshmëri tjetër në drejtimin e Kishës.
Agostino Paravicini Bagliani, në librin “Trupi i Papës”, ka rindërtuar mënyrën me të cilën ky institucion mijëravjeçar ka ditur të menaxhojë identitetin e vet të dyfishtë: nga njëra anë aspekti fizik dhe trupor i papës, dhe nga ana tjetër elementi shpirtëror mbi të cilin mbështetet figura e tij. Nuk kërkohet të ruhet pjesa vdekatare me teknika mumifikimi, por përdoret një varrim që e vendos trupin e Papës si themel të ndërtesës së Kishës, si në kuptimin fizik, ashtu edhe simbolik – një rit që e varros sipas një pastrimi duke e përfshirë atë në formën e relikes. Trupit të pajetë i jepet, në mënyrë të ngjashme me Shenjtërit, një respekt dhe kult që është pjesë e traditës së vetë Kishës së Romës.
Ritet që shoqërojnë shpirtin tregojnë se shenjtëria e tij nuk qëndron në aspektin fizik. E megjithatë dy papë – Gjon Pali II dhe Françesku – në 40 vitet e fundit kanë treguar se trupi i tyre është aty dhe mund të vuajë. Shfaqja e sëmundjes dhe shprehja e dhimbjes nuk janë fshehur, por janë shfaqur publikisht, janë ekspozuar përpara kamerave fotografike dhe atyre televizive nga mbarë bota.
Papa Bergoglio i ka shtuar kësaj edhe aspekte që lidhen me përvuajtshmërinë françeskane: kërkesën për t’u varrosur në tokë, një varr të thjeshtë dhe pa zbukurime të veçanta, dhe vetëm një mbishkrim: Franciscus, siç është shkruar në testament. Ai ka saktësuar më tej: «Duke pritur Ditën e Ringjalljes».
Temës së trupit që vuan i është shtuar edhe ajo e ringjalljes së mishit, e vendosur nga ky Papë si element vendimtar i besimit dhe kredos së tij. Trupi i lavdishëm për Françeskun do të jetë vetëm ai i Ditës së Gjykimit. Një dëshmi besimi në mesazhin e krishterë në një epokë ku trupi vdekatar duket se është bërë i vetmi realitet i sigurt, të cilit i kushtohet vëmendje dhe kujdes i ekzagjeruar. Papa Bergoglio, përmes temës së zgjatjes së jetës – aq aktuale sot – i jep një kuptim tjetër mesazhit të tij të Shpresës.