Jeta e japonezëve është mjaft stresuese me ditë të gjata pune, pak pushime, presione për shkak të hierarkisë së shoqërisë etj. Të gjitha këto kanë lindur një dukuri, atë të vdekjes për shkak të stresit në punë, ose për shkak të një pune të mbingarkuar. Dukuri që njihet me emrin karoshi. Vdekja për shkak të stresit në punë ose karoshi (過労死) është një rrezik për shëndetin dhe njihet zyrtarisht si sëmundje nga Ministria e Shëndetsisë japoneze që nga viti 1987, me një mortalitet në rritje nga komplikacionet e shëndetit si goditje cerebrale apo atake kardiake. Një vdekje e pësuar nga dikush që punon më shumë se 65 orë në javë për më shumë se një muaj konsiderohet karoshi. Kjo dukuri filloi të lindte pasi shkatërrimit të Japonisë nga Lufta e Dytë Botërore. Sipërmarrja filloi të konsiderohej si një familje, ku i punësuari i dedikonte trup e shpirt dhe në këmbim i ofrohej një punë gjithë jetën, rritje rroge dhe rangu dhe përfitime të tjera si mundësia për të çuar fëmijët në shkolla të caktuara apo institute. Rasti i parë karoshi u raportua në vitin 1969, kur një nënpunës i një shoqërie gazetash vdiq për shkak të një ataku kardiak në moshën 29 vjeçare, duke punuar pa pushim dhe pa fjetur. Ky rast nuk pati vëmendjen mediatike dhe nuk u bë i ditur emri i personit, derisa katër vite më vonë Hosokawa, Tajiri dhe Uehara publikuan një libër me titull “Karoshi” dhe që aty dukuria filloi të kuptohej si një problem shëndetsor që prek të gjithë shoqërinë sepse është një mënyrë jetese nga e cila rrjedh një pasojë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, japonezët punojnë më shumë se 12 orë duke lënë mënjanë jetën personale dhe dukuria karoshi numëron 10.000 vdekje në vit, një shifër jo shumë e qartë pasi ka edhe raste që nuk publikohen. Nga ana tjetër vetëvrasjet për shkaktë stresit në punë, njihen me emrin karoshisatsu (過労自殺).
Simptomat e karoshit janë varësia nga puna dhe ankthi i pamundësisë për të mbyllur gjithçka në ditët e pushimit, në pushime si dhe ndenja e fajit kur nuk e bën si duhet punën, si dhe problemet e gjumit, dhimbjet e stomakut dhe të kokës. Disa ndërmarrje kanë kufizuar numrin e orëve ekstra si dhe janë ofruar për të gjetur zgjidhje për një ekuilibër të jetës personale dhe profesionale. Megjithatë shumë pak e ndjekin sepse shihet me sy të keq dalja shpejt nga puna kur të tjerët punojnë akoma. Mbetet ende shumë për të bërë në drejtim të trajtimit të kësaj dukurie. / Bota.al