Nga Jeffrey Mankoff
“Center for Strategic & International Studies”
Çfarë javë kanë qenë këto të fundit, për presidentin rus Vladimir Putin! Ndërsa kriza në Ukrainë buçet, dhe ekonomia ruse vazhdon të mbetet në pikëpyetje, Putini duket se po e sheh se është koha për një qasje të re, dhe duket se pezmatimit që ka mbizotëruar mes Moskës dhe Perëndimit, që nga nënshkrimi i marrëveshjes Minsk-II në shkurt, mund t’i vijë fundi.
Nëse periudha e pezmit, do t’i hapë rrugën luftimeve të reja në Ukrainë, apo disa përpjekjeve për një rezolutë të mirëfilltë diplomatike, kjo mbetet për t’u parë. Sinjalet, që kanë ardhur nga Moska në javët e fundit, kanë qenë të përziera. Në anën pozitive të fabulës, liderët e republikave të vetëshpallura popullore të Donjeckut dhe Luhanskut, në Ukrainën Lindore njoftuan në 20 maj, se projekti e Kremlinit “Novorossiya” kishte marrë fund.
Putin, pati evokuar konceptin e Novorossiya, një term i epokës cariste, duke iu referuar zonës që sot përfshin pjesën më të madhe të Ukrainës Lindore dhe Jugore si dhe Moldavisë, gjatë fazave fillestare të konfliktit në lindje të Ukrainës. Ndërsa konturet e sakta të vizionit të Putinit mbi Novorossiya, nuk u artikuluan asnjëherë, vëzhguesit e interpretuan atë si një përpjekje të Kremlinit, për ta shpërbërë shtetin ukrainas me forcë (si Krimea, por në një shkallë më të gjerë), duke sfiduar haptazi rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë, me theksin tek sovranitetin shtetëror dhe paprekshmëria e kufijve.
Duke e marrë të mirëqenë, se Novorossiya është e “vdekur”, kjo mund të çelë shtegun drejt një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë. Marrëveshja Minsk-II, bënte thirrje për tërheqjen e të gjithë luftëtarëve dhe armatimeve të huaja, si dhe ndaj qeverisë në Kiev, për të rimarrë kontrollin mbi kufirin shtetëror midis Donjeckut, Luhanskut dhe dhe Rusisë.
Dhënia fund e projektit Novorossiya, dhe së bashku me të edhe të mbështetjes ruse ndaj “republikave popullore”, mund të përbëjë një hap drejt përmbushjes së marreveshjes së Minskut, të cilën zyrtarët amerikanë dhe evropianë, e cilësojnë një parakusht, para se sanksionet mbi ekonominë e Rusisë të hiqen.
Koha e zhbërjes së këtij projekti, ishte gjithashtu potencialisht e rëndësishme, duke ardhur pas vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kerri në Soçi në 11 Maj, dhe takimeve me Putin dhe Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov. Vizita e Kerrit, u shoqërua vetëm me një deklaratë të shkurtër për mediat, aq sa shumë drejtues të administratës Obama dhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit, ishin të frustruar nga ajo që dukej si një grusht shteti në marrëdhëniet publike të Putinit (Kerri nuk përmendi në asnjë rast Krimenë, gjatë konferencës së tij për shtyp, fakt të cilin Kremlini e lexoi si një njohje në thelb të sovranitetin rus mbi gadishull, nga ana e Shteteve të Bashkuara).
Megjithatë, është e lehtë të bësh një paralelizëm me vizitën e Kerrit dhe njoftimin se Novorossiya ishte drejtuar të shndërrohej, në atë që dikur Trocki e quante grumbulli i plehrave të historisë. Kjo mundësi mbetet e hapur, por ndërkohë zhvillimet në Rusi japin pak arsye për të qenë optimist.
Edhe kur Novorossiya u rrëzua si projekt, një numër i madh trupash dhe armatimesh ruse, përfshirë artilerinë e rëndë, tanket dhe raketa-hedhësit, po grupoheshin përgjatë kufirit me Ukrainën. Të shqetësuar, gazetarët raportuan se ushtarët e grumbulluar në rrethinat e Rostovit në Rusi, i hoqën shenjat dalluese nga uniformat e tyre, dhe elementët identifikues në automjetet e tyre, ashtu si vepruan famëkeqët “burrat e vegjël në të gjelbër”, që aneksuan Krimenë në fillim të vitit 2014.
Ndërkohë, Putin firmosi një dekret në 28 Maj, sipas së cilit publikimi i informacioneve mbi vdekjen e ushtarëve rusë në kohë paqeje, përbën një sekret shtetëror. Me fjalë të tjera, qëkur Kremlini mohon fuqishëm se trupat e tij janë duke luftuar në Ukrainë, çdo diskutim i vdekjeve së dyshuar të këtyre trupave, tashmë përbën një vepër shumë të rëndë penale.
Midis tubimit të mijëra trupave të armatosura rëndë, trupave me uniforma pa simbole dhe kriminalizimit të diskutimit mbi viktimat, mundësia e një operacioni të ri dhe me të madh ushtarak –me apo pa Novorossiya e Kremlinit –ngjan si një mundësi gjithnjë e më reale.
Mes gjithë këtyre spekulimeve, rreth luftës dhe paqes, Putin gjeti ndërkaq kohë të enjten për të kritikuar zëshëm arrestimin nga SHBA, të disa zyrtarëve të lartë të FIFA-s në Gjenevë. Nxitimi i Putinit, për të mbrojtur kreun e FIFA-s Sep Blater, i cili u rizgjodh në këtë detyrë të premten, ishte veçanërisht i çuditshëm, duke sjellë ndërmend mbrojtjen e tij ndaj ish-kryeministrit italian Silvio Berluskoni, një “burrë shteti i madh”, i rrëzuar nga pushteti nga armiqtë e tij xhelozë.
Ashtu si Berluskoni, Blater është një “mik i çertifikuar i Putinit”, që ishte i lumtur teksa bëri një sy qorr, ndaj faktit që Rusia mban një rekord negative, përsa i përket transparencës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, duke ia dhënë Rusisë të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 2018.
Kritikat e Putinit ishin gjithashtu në përputhje me shumë nga retorikat e tij të mëparshme, lidhur me Shtetet e Bashkuara që i tejkalon shpesh kufijtë e saj, duke injoruar të drejtën ndërkombëtare (kjo nga një njeri që ka aneksuar territorin e vendit fqinj), dhe duke aplikuar ligjin amerikan jashtë kufijve të SHBA-së.
Në botën e Kremlinit, arrestimi i zyrtarëve të korruptuar të FIFA-s, është në fakt pjesë e fushatës së gjatë të Shteteve të Bashkuara, për të dobësuar dhe poshtëruar Rusinë, duke ndjekur një strategji për të imponuar ndryshimin e regjimit. Ndonëse Blater nuk ishte në mesin e të ndaluarve, arrestimet ngritën mundësinë që anëtarët e FIFA-s më në fund nuk do të votonin më për të (edhe pse ata e bënë), dhe se zëvendësimi i tij mund të ri-hapte garën për Kupën e Botës 2018 (ashtu edhe për Kupën e Botës në Katar 2022), në përgjigje të dëshmive të korrupsionit në procesin e konkurrimit.
Për Putin, një njeri për të cilin përsosmëria sportive, përbën një përfaqësim të rëndësishëm të madhështisë kombëtare, disa zhvillime mund të jenë më poshtëruese sesa duke u bërë udhëheqësi i parë që humb të drejtën për të organizuar Kupën e Botës, veçanërisht kur korrupsioni ka zënë rënjë prej dekada të tëra në FIFA, por vetëm tani Uashingtoni zgjodhi të veprojë.
Sigurisht, disa senatorë amerikanë i kanë bërë tashmë thirrje FIFA-s, që t’ia heqë Rusisë të drejtën për të mikëpritur Kupën e Botës 2018, për shkak të pushtimit të Ukrainës Lindore dhe Krimesë. Nëse Rusia ripërtërin ofensivën e saj në Ukrainë, këto thirrje vetëm sa do të shtohen, dhe kriza në Ukrainë mund të përhapet më tej. Në Perëndim, drama e FIFA-s ka lënë momentalisht në hije, ndryshime të rëndësishme që po ndodhin rreth luftës së Kremlinit në Ukrainë.
Me pushimin e pas-Minskut drejt fundit, Putin përballet me një zgjedhje fatale, ndërmjet ndërhyrjes më të hapur të forcave ruse, çka mund të ketë pasoja dramatike si për Rusinë, ashtu edhe Ukrainën, dhe përpjekjeve për të gjetur një rrugëzgjidhje. Të dy vendet, përballen me perspektivën e një vere të gjatë dhe të nxehtë.
Shënim:Jeffrey Mankoff është zv.drejtor në Programin mbi Rusisë dhe Euroazisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.