Analiza

Sistemet e të dhënave për zhvillimin e qëndrueshëm

Screen Shot 2015-05-07 at 09.52.15

nga Jeffrey D. Sachs

Revolucioni i të dhënave po transformon me shpejtësi çdo pjesë të shoqërisë. Zgjedhjet menaxhohen përmes të dhënave biometrike, pyjet monitorohen prej pamjeve satelitore, veprimtaria bankare ka migruar nga degët lokale në smartphone, dhe radioskopitë po ekzaminohen në të njëjtën kohë edhe “nga ana tjetër e botës”. Me pak investime dhe largpamësi, të përshkruara në një raport të fundit të përgatitur nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm i OKB (SDSN), mbi Zhvillimin e të Dhënave, revolucioni i të dhënave mund të shndërrohet në motorrin e revolucionit të zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe të përshpejtojë progresin drejt fundit të varfërisë, duke nxitur përfshirjen sociale, dhe mbrojtjen e mjedisit.

Screen Shot 2015-05-06 at 18.59.26Qeveritë e botës do të miratojnë Objektivat e rinj të Zhvillimit të Qëndrueshëm në një samit special të Kombeve të Bashkuara në 25 shtator. Do të jetë ndoshta grumbullimi më i madh i udhëheqësve botërore në histori, teksa 170 krerë shtetesh dhe qeverish do të miratojnë objektiva të përbashkët që do të udhëheqin përpjekjet për zhvillimin global deri në vitin 2030. Sigurisht, objektivat janë më të lehtë të miratohen, se sa të arrihen. Kështu që do të na duhen mjete të reja, duke përfshirë sisteme të dhënash, për t’i shndërruar këta objektiva në realitet deri në 2030-ën. Në zhvillimin e këtyre sistemeve të rinj të të dhënave, qeveritë, bizneset dhe grupet e shoqërisë civile duhet të nxisin katër qëllime kryesorë.

I pari, dhe më i rëndësishmi, është ai që lidhet me të dhënat për ofrimin e shërbimeve. Revolucioni i të dhënave u jep qeverive dhe bizneseve mënyra të reja dhe shumë të përmirësuara për të ofruar shërbime, luftuar korrupsionin, reduktuar burokracinë, dhe garantuar qasje në vende që më herët kanë qenë të izoluar. Teknologjia e informacionit është duke e revolucionarizuar tashmë ofrimin e kujdesit shëndetësor, arsimit, qeverisjes, infrastrukturës (për shembull energjia elektrike e parapaguar), veprimtarisë bankare, reagimit në raste emergjencash, dhe shumë të tjera.

Qëllimi i dytë lidhet me të dhënat për menaxhimin publik. Zyrtarët mund të kenë tashmë informacion në kohë reale në lidhje me gjendjen aktuale të uzinave shtetërore, rrjeteve të transportit, operacioneve të emergjencave, mbikëqyrjes së shëndetit publik, krimeve të dhunshëm dhe shumë më tepër se kaq. Reagimi i qytetarëve mund të përmirësojë gjithashtu funksionimin, si për shembull informacionet e trafikut me burim shoferët. Sistemet e informacionit gjeografik (GIS) bëjnë të mundur monitorimin në kohë reale të qeverive lokale dhe rajoneve të largët.

Qëllimi i tretë lidhet me përgjegjësinë e të dhënave për qeveritë dhe bizneset. Eshtë e vërtetë e rëndomtë tashmë se burokracitë qeveritare gjejnë mënyra më pak të kushtueshme për t’i bërë gjërat, fshehin hendeqet në ofrimin e shërbimeve, ekazgjerojnë performancën, ose, në rastet më të këqinj, thjeshtë vjedhin kur e dinë që mund të shpëtojnë paq. Shumë biznese nuk janë më mirë. Revolucioni i të dhënave mund të ndihmojë që të dhënat e verifikueshme të jenë të aksesueshme për publikun në përgjithësi dhe për marrësit e shërbimeve publikë dhe privatë. Kur shërbimet nuk arrijnë në kohë (për shkak, le të themi, të një bllokimi në prodhim apo korrupsionit në zinxhirin e furnizimit), sistemi i të dhënave do i bëjë të mundur publikut që të pikasë problemet dhe të bëjë përgjegjës qeveritë dhe bizneset.

Në fund, revolucioni i të dhënave duhet t’i bëjë të mundur publikut që të dijë nëse një objektiv global është arritur me të vërtetë. Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjecarit, që u vendosën në vitin 2000, kishin target-e sasiorë për vitin 2015. Por, ndonëse sot jemi në vitin e fundit të Objektivave, ne ende na mungon një dije e saktë nëse disa prej tyre janë arritur, dhe kjo për shkak të mungesës së të dhënave në kohë reale dhe me cilësi të lartë. Disa prej objektivave më të rëndësishëm raportohen me një vonesë prej disa vitesh. Banka Botërore, për shembull, nuk ka publikuar të dhëna të detajuara për varfërinë, qysh prej vitit 2010.

Revolucioni i të dhënave mund t’u japë fund këtyre vonesave dhe mund të përmirësojë cilësinë e të dhënave. Për shembull, në vend që të mbështeten në studimin e familjarëve, një herë në disa vite, për të përllogaritur normën e vdekshmërisë, sistemet e rregjistrimit civil dhe statistikave të jetës mund të mbledhin të dhëna për vdekshmërinë në kohë reale, të cilat do të jenë të shoqëruara me informacione shtesë, si shkaku i vdekjes.

Po kështu, të dhënat mbi varfërinë mund të mblidhen me një kosto relativisht të ulët dhe me një shpeshtësi shumë më të madhe se sa sot, duke përdorur smartphone-t për të zëvendësuar studimet “me letër”. Disa analistë kanë sugjeruar që përdorimi i telefonëve celularë mund të ulë kostot e studimeve me deri 60% në disa vende të Afrikës lindore, gjatë një periudhe 10-vjeçare. Kompanitë private, si Gallup International, mund të punojnë krah zyrave statistikore më tradicionale të sektorit publik, për të përshpejtuar mbledhjen e të dhënave.

Revolucioni i të dhënave ofron një mundësi të jashtëzakonshme për ofrimin e shërbimeve, menaxhimin, llogaridhënien dhe vlerësimin, falë një ekosistemi shumë të dendur teknologjish që grumbullojnë informacion në një shumëllojshmëri mënyrash: pamjet satelitore, ndjesorët në distancë, të dhënat biometrike, gjurmimi me GIS, studimet e familjarëve, mediat sociale, si dhe kanale të tjerë.

Për të mbështetur objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, këto të dhëna duhet të jenë të disponueshme për të gjithë vendet me një shpeshtësi të lartë – të paktën brenda një viti për target-et kryesorë dhe në kohë reale, për sektorët ku ofrimi i shërbimeve është jetik (shëndeti, arsimi e kështu me radhë). KOmpanitë private, duke përfshirë telekom-et, kompanitë e marketingut social, projektuesit e sistemeve, kompanitë e sondazheve, si dhe ofruesit e tjerë të informacionit, duhet të jenë të gjithë të integruar në këtë ekosistem të të dhënave.

Në përgatitjen e raportit të ri, ekipi i objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, punoi me shumë agjenci partnere, për të përgatitur një “vlerësim të nevojave” për mënyrën se si të nisë revolucionin e të dhënave. Raporti ofron një plan veprimi, i cili ngrihet mbi partneritete mes sistemeve kombëtarë të statistikave dhe kompanitë private të informacionit, si dhe ofrues të tjerë joqeveritarë të dhënash. Siç e thekson raporti, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të kenë nevojë për ndihmë financiare, për të krijuar sisteme të rinj të dhënash.

Ndërkohë që vlerësimet e kostove janë domosdoshmërisht të përkohshëm, sidomos në këtë epokë shpikjesh të përditshme në teknologji, studimi i ri sugjeron se sistemet e përshtatshëm të të dhënave për objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm do të kërkojnë të paktën 1 miliardë dollarë në vit për të mbuluar të 77 vendet me të ardhura të ulëta. Nga kjo shumë, pothuajse gjysma duhet të financohet përmes ndihmës zyrtare për zhvillim, që nënkupton një rritje me të paktën 200 milionë dollarë në vit, të prurjeve aktuale të donatorëve.

Tani është koha për një rritje të tillë të financimit. Në korrik, bota do të mblidhet në Adis Abeba për Konferencën e Financimit Ndërkombëtar për Zhvillim, dhe vetëm pak javë pas kësaj, në selinë e OKB për miratimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Me veprime të shpejtë përpara këtyre dy samiteve të rëndësishëm, bota do të jetë e gatshme për lançimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, me sistemet e të dhënave që u nevojiten këtyre për të patur sukses.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Data for Development

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button