Bota

Skakiera e Sirisë / Ja si është ndezur “loja” mes fuqive

Screen Shot 2015-10-06 at 10.39.18

“Pentagoni ka shpenzuar 500 milionë për të stërvitur 5 rebelë kundër Shtetit Islamik. Shpresojmë të jenë 5 Terminatorë”. Sarkazma është e John McCainit, kundërshtari i përhershëm i Barack Obamës, republikani më autoritar për temat strategjike. I bën jehonë humorizmi i ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov: “Rebelët e moderuar që mbështet Obama? Janë fantazma. Askush nuk di ndonjë gjë për ta”. Për të reaguar pikërisht ndaj këtyre perceptimeve, Barack Obama ka nisur një rishikim të strategjisë së tij në Siri. Që është ehde më urgjente, tani që Rusia po vepron ushtarakisht në atë teatër lufte, duke provokuar tensione që s’kanë fund, duke përfshirë edhe fluturimet pranë hapësirës ajrore të Turqisë (anëtare e NATO-s).

Obama nuk mund të pranojë të përshkruhet si “lideri i prapavijës” (tjetër batutë e McCainit), që e braktis Sirinë dhe e lë në duart e Putinit. Plani i tij i ri është parashikuar nga Nju Jork Tajms, që ka zbuluar dy elemente. Ka përgatitje për një ofensivë të re në Sirinë verilindore, një “front i madh” që duhet të vërë nën presion Raqqan, kryeqyteti i Shtetit Islamik. Sulmi nga toka duhet të hedhë në terren forcat më të besuara filoamerikane, bashkë me një batalion të ri luftëtarësh arabë. Me një farë disekuilibri mes tyre: kurdët mund të hedhin 20 mijë luftëtarë shumë efikasë e të sprovuar, ndërkohë që luftëtarët e rinj arabë do të jenë maksimumi 5 mijë. Një tjetër operacion i besuar rebelëve sirianë, është “mbyllja totale” e 60 miljeve në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, një sektor prej ku vazhdojnë të kalojnë furnizime me armë dhe vullnetarë xhihadistë, në drejtim të zonave të kontrolluara nga Shteti Islamik. Në mbështetje të këtyre dy ofensivave tokësore, duhet të nisë një tjetër fazë sulmesh ajrore, këtë herë duke përdorur mbi të gjitha bazën ajrore më të afërt, atë të Incirlikut në Turqi.

Fillimi i kësaj faze të re në operacionet e koalicionit, është edhe pasojë e “ngecjes taktike”, të pranuar në mënyrë eksplicite nga Gjenerali Martin Dempsey, i cili kohët e fundit është larguar nga drejtimi i forcave të armatosura të SHBA.

Sarkazma e opozitës republikane në Uashington, por edhe kritikat që vijnë nga Hillary Clintoni, (e cila propozon një zonë ndalim fluturimi si dhe një korridor humanitar në Siri), janë një problem për Obamën. Por jo kaq i madh, sa ai që ndeshi kur Rusia hyri në veprpim. Një javë nga lajmërimi i parë që Putini e bëri pikërisht nga Nju Jorku, në OKB, për Obamën u bë urgjente që të reagonte. Shumëkush e akuzon “se ua ka lënë Sirinë rusëve”, ndoshta duke harruar që Siria është “e rusëve” të paktën që nga viti 1971, viti i inaugurimit të bazës ajrore – atëherë sovjetike – në Latakia, si dhe asaj detare në Tartus. Megjithatë, rikthimi i Putinit si aktor vendimtar në Lindjen e Mesme, është një sfidë për Obamën. Shtëpia e Bardhë nuk mund të nënvlerësojë pasojat e ndërhyrjes ushtarake ruse. Në shtatë ditë bombardime, amerikanët janë bindur se Putini nuk po sulmon Shtetin Islamik, por opozitën filoamerikane. Tëorema sipas të cilës duhet të mbështetet Assadi, “i vetmi ledh mbrojtës kundër terrorizmit”, është një shpikje e Putinit, që Shtëpia e Bardhë e kundërshton. Sepse Assadi ka mbështetur disa herë xhihadistët.

Ndërkohë rriten risqet për “incidente”: mes koalicionit të udhëhequr nga SHBA, dhe avionëve rusë. Plani i konsultimeve teknike mes ushtarakëve amerikanë dhe rusëve, që synon parandalimin e përplasjeve dhe incidenteve të tjerë të pavullnetshëm, për momentin funksionon pak. Imagjino se çfarë mund të ndodhë, kur të hyjnë në veprim të ashtuquajturit “vullnetarë rusë”: domethënë do të nisë edhe ndërhyrja ushtarake nga toka, nën udhëheqjen e Putinit. Obama duhet të përballojë edhe nervozizmin në rritje të aleatëve arabë, nga Arabia Saudite në Katar, të shqetësuar prej mbështetjes së Putinit për Assadin. Në brendësi të Sirisë, 41 fraksione rebele denoncojnë “pushtimin brutal rus që përjashton çdo zgjidhje politike”.

“Putini vetëm sa i hedh benzinë zjarrit”, vazhdon të përsërisë Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Ashton Carter. Por tani Obama synon një përgjigje konkrete, në terren, dhe i beson të ashtuquajturit Syrian Arab Coalition: është ky emri i koalicionit të ri mes një dyzine fraksionesh rebele, që duhet të luftojnë në krah të peshmergëve kurdë, kundër SHtetit Islamik. Një prani e rëndësishme edhe politikisht: për të siguruar Turqinë, e cila nuk ka besim tek luftëtarët kurdë. Duke shpresuar që Syrian Arab Coalition, nuk është ushtria e fantazmave, me të cilën tallet Lavrovi. Dhe që të qetësojë zemërimin e kongresit, për ata 500 milionë dollarë të paguar nga taksapaguesit amerikanë. /Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button