HistoriMAIN

Sokrati, mësuesi i keq

“Meleti, biri i Meletit, nga demo i Pitto-s, kundër Sokratit, biri i Sofroniskut, nga demo i Alopekes, paraqiti këtë akuzë dhe u betua: Sokrati është fajtor që nuk njeh perënditë që qyteti i pranon dhe që fut hyjni të reja. Për më tepër, është fajtor për korruptimin e të rinjve. Për këtë kërkohet dënimi me vdekje.”

Kështu fillon, me këtë denoncim të depozituar në vitin 399 p.e.s. pranë arkonit të Athinës, procesi ndaj Sokratit, filozof i madh që u lartësua nga brezat pasardhës, por u akuzua nga bashkëqytetarët e tij, mbi të gjitha në një regjim demokratik si ai i Athinës. Aktorët e asaj ngjarjeje ndoshta nuk e dinin, por procedimi në të cilin ishin protagonistë do të bëhej ndër më të diskutuarit në shekuj.

I DASHUR DHE I KRITIKUAR

Kur u njoh me denoncimin ndaj tij, Sokrati ishte tashmë shtatëdhjetë vjeç. Biri i skulptorit Sofronisk, ai ishte afruar që në rini me filozofinë duke frekuentuar sofistët dhe retorët më të mëdhenj të kohës së tij, ndër ta Protagora nga Abdera dhe Gorgia nga Lentini. Po të kishim ecur në rrugët e mbushura të Agorasë, pa dyshim do ta kishim vënë re, me trupin e tij të shkurtër dhe të trashë, teksa i pyeste pa pushim bashkëqytetarët e tij për temat më të ndryshme, nga natyra e njeriut te idealet e drejtësisë dhe moralit, pa kursyer kritika për politikanët dhe demagogët.

Duke ftuar në reflektim përmes një dialogu të vazhdueshëm me bashkëbiseduesit e vet, Sokrati futi në historinë e filozofisë perëndimore maieutikën, një metodë e re për të menduar – më pas e quajtur “metoda sokratike” – dhe ishte gjithashtu i pari që i dha rëndësi të ashtuquajturit daimonion (“demon”), një lloj “zëri” të brendshëm që ishte në gjendje të udhëhiqte vendimet morale të individëve.

Falë personalitetit të tij të ndritur dhe pa komplekse, me kalimin e viteve filozofi mblodhi rreth vetes një grup ndjekësish të rinj. Pranë tyre nuk mungonin as kundërshtarët dhe tallësit, gjithmonë gati për të qeshur me çuditë e tij, si për shembull komediani i famshëm Aristofani, i cili në një nga komeditë më zbavitëse (Retë, e shfaqur në vitin 423 p.e.s.) e përshkroi si një dembel ekscentrik dhe pa sens praktik. Më shumë se një farsë, megjithatë, ngjarjet e Athinës në kohën e Sokratit i ngjanin një tragjedie.

KLIMË E NXEHTË

Pas humbjes në Luftën e përgjakshme të Peloponezit kundër Spartës, në vitin 404 p.e.s. athinasit u detyruan të duronin shembjen e demokracisë, realizuar nga partia oligarkike, e cila vendosi regjimin filo-spartan të “tridhjetë tiranëve”, përgjegjës për vrasje, konfiskime dhe përndjekje politike. E urryer nga populli, Tridhjetëshja pati jetë të shkurtër dhe vitin pasardhës u dëbuan nga qyteti, që u rikthye të qeverisej nga demokratët. Por pavarësisht përpjekjeve për të rikthyer paqen shoqërore, plagët e shkaktuara nga ato ngjarje të dhimbshme vazhduan për një kohë të gjatë të mbillnin urrejtje dhe përçarje. Në atë klimë të ndezur politike, Sokrati u soll gjithmonë si qytetar shembullor.

Gjatë konfliktit tridhjetëvjeçar kundër Spartanëve, ai veshi armaturën e hoplitit duke luftuar në betejat e Potideas (432 p.e.s.), Deliosit (424 p.e.s.) dhe Amfipolit (422 p.e.s.); dhe në rastet e rralla kur merrej me politikë, u dallua për ndershmëri. Si anëtar i këshillit të qytetit (boulé), për shembull, në vitin 406 p.e.s. ishte i vetmi që kundërshtoi dënimin me vdekje, të konsideruar të padrejtë, të admiralëve athinas që kishin marrë pjesë në betejën e Arginusëve, të akuzuar për mos-shpëtimin e të mbyturve. Dhe nuk mjaftonte kjo: në kulmin e represioneve të regjimit të Tridhjetëshes, ai refuzoi të merrte pjesë në një grup të ngarkuar me arrestimin e një të pafajshmi.

NJOHURI TË RREZIKSHME

Por nëse Sokrati ishte treguar i moderuar, pse ndaj tij u ngritën akuza kaq të rënda? Një rol vendimtar luajti fakti që disa nga personazhet më të diskutueshëm të qytetit, të lidhur ngushtë me partinë oligarkike dhe simpatizues të Spartës, kishin qenë nxënësit e tij. Ndër ta, spikatnin i riu aristokrat Alqibiadhi dhe sidomos Krizia, më i zjarrti i Tridhjetë Tiranëve. Njohje të rrezikshme, të cilat u konsideruan si prova se ai ishte një “mësues i keq”, armik i demokracisë, gjë që sipas disave, do të justifikonte një proces politik kundër tij. Përveç Meletit, biri i një poeti, për të cilin dimë pak, ata që e paditën Sokratin ishin edhe dy figura të njohura, Likoni dhe Anito, të dy politikanë të fraksionit demokratik. I pari ishte orator, i dyti, i konsideruar nga të gjithë si promovuesi i vërtetë i padisë, vinte nga një familje e pasur zejtarësh.

Sipas asaj që shkruan Platoni (nxënës i Sokratit dhe jo tamam i paanshëm), Aniti madje e kishte kërcënuar në mënyrë të fshehtë filozofin: “Do të thosha se e ke kollaj të flasësh keq për të tjerët. Nga ana ime, po të më dëgjoje, do të të këshilloja të bëje kujdes.”

Historiani Ksenofonti, gjithashtu ndjekës i Sokratit, shkon më tej, duke thënë se filozofi e kishte përçmuar Anitin për zanatin e tij si lëkurpunues, dhe e kishte këshilluar të birin që të mos ndiqte rrugën e të atit. Një arsye tjetër për t’u urryer.

AKUZAT E RRËZUARA

Por të kalojmë te procesi famëkeq. Procedura e përcaktuar nga ligjet e Athinës parashikonte dëgjimin e fjalimeve të gjata të akuzës dhe të mbrojtjes, pas të cilave një juri prej 500 qytetarësh thirrej të votonte për fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit. Në rastin kur të pandehurit i ngarkohej faji, ai kishte të drejtë të propozonte një dënim alternativ, për të cilin juria votonte sërish dhe në mënyrë përfundimtare.

E gjitha kjo, në vetëm një ditë. Në praninë e një publiku të madh dhe të zhurmshëm, Meleti, Aniti dhe Likoni, nga fjalimet e të cilëve nuk ka mbetur gjurmë, përsëritën pikat kryesore të akuzës: korruptimi i të rinjve dhe futja e hyjnive të reja “demonike” në vend të perëndive tradicionale të qytetarëve. Sipas fjalimit me të cilin Sokrati u mbrojt, i raportuar nga Platoni në shkrimet e tij që kanë mbërritur deri tek ne, në të dyja rastet Sokrati rrëzoi akuzat pjesë pas pjese: “Nëse është e vërtetë që unë vazhdoj të korruptoj të rinjtë […] do të duhej të ishin paraqitur këtu për të më akuzuar dhe për t’u hakmarrë […], ndërsa ju, athinas, do të gjeni të kundërtën; do të gjeni që ata janë të gjithë gati të më ndihmojnë, e jo të më dëmtojnë, gjë që do të më kishte ndodhur nëse do t’i kisha korruptuar siç pretendojnë Meleti dhe Aniti.”

Pastaj, për sa i përket demonëve për të cilët ai fliste, që ishin të ashtuquajtur “bij bastardë të perëndive”, ai shtonte: “kush do të guxonte të thoshte se janë bij perëndish, dhe jo vetë perëndi?”

VDEKJE E QETË

Duke iu përgjigjur kundërshtarëve të tij dhe drejtuar direkt bashkëqytetarëve, Sokrati këmbënguli se nuk kishte dhënë asnjëherë mësim për para, por se ia kishte kushtuar jetën kërkimit të së vërtetës. Roli i tij kishte qenë ai i zgjimit të ndërgjegjes qytetare të athinasve, edhe me koston e të qenit i bezdisshëm, si një mizë që pickon vazhdimisht një kalë të madh dhe dembel.

Vetëmbrojtja e Sokratit e ndau jurinë në dysh, por ajo në fund e shpalli filozofin fajtor me një diferencë prej vetëm 30 votash. Ndryshe nga çdo pritshmëri, në momentin kur duhej të propozohej një dënim më i butë nga vetë i akuzuari – si internimi – Sokrati papritur ngriti më tej tonin, duke riafirmuar pafajësinë e tij dhe duke propozuar që të mbahej nga shteti në Pritane, vendi ku priteshin dhe nderoheshin qytetarët më të mirë të Athinës.

Një lëvizje tronditëse, që nga njëra anë konfirmonte moralin e tij ekstrem, por nga ana tjetër u interpretua si provokim. Rezultati qe tragjik: me 360 vota kundrejt 140, ai u dënua me vdekje.

Pjesa tjetër është histori e njohur: një muaj më vonë ai piu kupën fatale, duke refuzuar të arratisej nga burgu pavarësisht lutjeve të nxënësve të tij dhe duke pranuar vendimin për të mos kundërshtuar ligjet e qytetit.

Një fund tragjik dhe madhështor, që e përjetësoi famën e tij si njeri i drejtë, i përkushtuar deri në fund ndaj shoqërisë dhe i gatshëm të vdiste për koherencën. / bota.al

Back to top button