Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kongresit që të vlerësojë nëse administrata Obama ka kryer abuzime gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, në kuadër të hetimeve të ndikimit të mundshëm të Rusisë në zgjedhjet presidenciale. Trumpi u referohet dyshimeve për përgjime
Presidenti Trump, ditën pas akuzave të rënda që hodhi kundër Obamës (“ka spiunuar telefonat e mi”) nuk është sprapsur, duke i kërkuar Kongresit që të hapë një hetim mbi rastin që ai denoncoi. Fjalëve të Trumpit, i cili për momentin nuk ofroi prova, iu kundërpërgjigj menjëherë një zëdhënës i paraardhësit të tij: “Akuza thjesht të rreme”.
Tani, në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet: “Lajmet për hetime ndoshta të motivuara politikisht gjatë fushatës zgjedhore 2016 janë shumë shqetësuese. Presidenti Donald Trump ka kërkuar që, si pjesë e hetimit të tyre ndaj veprimtarisë së Rusisë, komisionet inteligjencës në Kongres, të ushtrojnë autoritetet e tyre mbikëqyrëse, për të përcaktuar nëse ka patur një abuzim të pushtetit ekzekutiv në vitin 2016. As Shtëpia e Bardhë dhe as presidenti nuk do të komentojnë më tej (lajmin), deri kur të kryhet një kontroll i tillë”.
Disa ditë më parë, udhëheqësit demokratë dhe republikanë të komisionit të inteligjencës në Kongres kishin arritur një marrëveshje për hapjen e një hetimi mbi lidhjet e mundshme midis fushatës së Trumpit, dhe Moskës. Për momentin janë katër linja hetimit të miratuara, të cilave tani Shtëpia e Bardhë kërkon që t’u shtohet edhe përgjimi i dyshuar, që sipas Trumpit u kërkua nga Barack Obama. Duhet kuptuar nëse “masat aktive të Rusisë, përfshijnë lidhje midis Rusisë dhe individëve të lidhur me fushata politike”, duhet të identifikohen burimet e informacioneve mbi kontaktet e Michael Flynn dhe ambasadorit rus, Sergei Kislyak, aktivitetet kibernetike dhe masa të tjera aktive që Rusia ka vënë në zbatim kundër Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të saj. Dhe në fund, duhet të shqyrtohen përgjigjet e qeverisë amerikane ndaj këtyre masave.
Ashtu siç kishin njoftuar Kryetari i Komisionit, Republikani Devin Nunes dhe anëtari i Partisë Demokratike, Kongresmeni Adam Shif, hetimi dypalësh “do të mbulojë plotësisht të gjitha elementet e provave që mbledhim dhe do të shohim se ku të shpien këto prova”.
“Ne duhet të ndjekim faktet kudo që ata mund të na çojnë … dhe kjo duhet të përfshijë edhe përpjekjet e hakerëve rusë, edhe nxjerrjen e dokumenteve dhe çdo marrëveshje të fshehtë të mundshme mes Rusisë dhe qytetarëve amerikanë”.
Çfarë ndodhi
“Sapo kam zbuluar se Obama kishte vënë nën kontroll telefonat e Trump Tower pak përpara fitores”, ka denoncuar në një seri postimesh në Twitter presidenti i SHBA, duke drejtuar gishtin dhe akuzuar për spiunazh paraardhësin e tij. “Nuk u gjet asgjë. Ky është makartizëm”.
“A është e ligjshme që një president në detyrë të bëjë përgjime në garën presidenciale para votimit?”, pyet Trump. “Për këtë ishte shprehur tashmë një gjykatë. Sërish është prekur fundi”.
Më tej, Trumpi ka shtuar: “Vë bast që një avokat i zoti do të ngrinte një goxha kauzë, mbi faktin që presidenti Obama përgjonte komunikimet e mia në tetor, pikërisht para zgjedhjeve. Prej sa kohës kanë vazhduar përgjimet e urdhëruar nga Obama mbi procesin e shenjtë elektoral? Kjo është Nikson-Uotërgejt. Ai njeri është i keq (ose i sëmurë)”.
“Vetëm një mashtrues mund të montojë një kauzë si kjo. Asnjë president nuk mund të urdhërojë një përgjim. Këto kufizime janë miratuar me kohë për të mbrojtur qytetarët nga njerëz si ti”: kështu, Ben Rhodes, një prej njerëzve më besnikë të Obamës, ish zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare, ka replikuar në Tuiter me Trumpin, i cili ka akuzuar paraardhësine tij se kish vendosur nën përgjim telefonat në kullën Trump. Rhodes, më pas duke iu drejtuar atyre që kanë duartrokitur fjalimin e Trumpit në Kongres, ka sulmuar: “A është ende presidencial ai që quan paraardhësin e tij të sëmurë?” /bota.al