Analiza

Sport në shkretëtirë

Poligone, hippodrome, stadiume, kartodrome. E më pas parku tematik i Ferrarrit si dhe General Practicioner e Formula 1, gara golfi e varkash me vela. Kështu Abu Dhabi ka vënë bast mbi garat e lidhura ngushtë me luksin. Deri kur, në fund të kthehet në Montekarlon e Emirateve

abu dhabi

Atje ku në 2008-ën kishte vetëm shkretëtirë e ambicie, sot, shtatë vjet më pas, gjendet një Montekarlo i ri, me shumë restorante Cipriani, milionerë rusë me kartëmonedha mbledhur shuk në xhepa, koncerte nga Pharrell Williams, princër të cilëve nuk u afrohesh dot, dhe Ferrari flakëruese. Mund të thuhet, pushteti i dollarëve të naftës. Por do rrezikoje t sintetizoje së tepërmi. Pasi dollarët vetëm nga nafta do të ishin lodhur së transformuari Abu Dhabin, ose një qytet deri dje të populluar nga fise mbarështuesish mushkash e peshkatarësh perlash, në atë skenar të shkëlqyeshëm të luksit që është sot.
Përbërësi magjik, katalizatori mes disponueshmërisë së lartë të burimeve ekonomike që burojnë nga zbulimet e naftës dhe ambicia e klasave drejtuese vendase – që duke kaluar nga këto anë perceptohet qartë si diçka në kufijtë e megalomanisë – ka qënë një tjetër sport. Nuhatja ishte e Khalifa bin Zayed Al Nahayan, kalifi aktual i emiratit dhe sipas Forbes, njëri nga njerëzit më të pasur të botës, me një pasuri personale të vlerësuar prej 21 miliard dollarë (është vëllai i presidentit të Manchester City).
Pasi trashëgoi në 2004-ën mbretërinë nga babai i tij – që kishte parashikuar të vinte në punë paratë e naftës për ndërtimin e rrugëve, spitaleve e ujësjellësave – kalifi ka vënë bast gjithçka në sport, një botë që tamam në ato vite njihte jo pak vështirësi, veçanërisht ekonomike, nga pothuaj gjithë pjesa tjetër e globit. Kështu, ndërkohë që rivali fqinje Dubai investonte paratë e veta në “fluskat” ndërtimore, në kryeqytet favorizoheshin investimet e të huajve, që donin të sillnin mes atyre dunave të largëta e të panjohura garat më prestigjoze të botës, çfarëdo të ishin ato. I pari që e kuptoi potencialin e madh të Abu Dhabit ishte, siç ndodh pothuaj gjithmonë, Bernie Ecclestone, “padroni” i Formula 1. Plaku Ecclestone e tregon gjithmonë me shumë kënaqësi historinë e zbarkimit në atë botë.
Kishte kohë që i kishte shkrepur në kokë për të sjellë Formula 1 në ato anë. “Në atë kohë askush nuk e kuptonte – përsërit gjithmonë – por ajo zonë është një nga më të arritshmet nga pothuaj e gjithë bota. Nga Azia e Europa mbërrihet me fluturime relativisht të shkurtra, e mund të llogarisësh aeroporte fantastike si dhe shoqëri ajrore të pasura e efikase. Përveç kësaj, ka një zonë oraresh të shkëlqyer, sidomos për kanalet televizive.
Kështu në 2000-shin Ecclestone filloi të fliste me Dubain që kish kohë që ishte në vëmendjen e tregjeve të mëdhenj financiarë, si rrugë e mega-investimeve në sektorin e luksit. Por Dubai ishte djegur në kohën e konkurrencës së paparashikuar të Bahrein-it. Në 2004-ën u krye kështu gara e parë në Lindjen e Mesme në historinë e Formula 1, në Manama. Dhe ndërkohë që Michael Schumacher rudhi buzët prej pamundësisë për të ngritur dolli për fitoren me të zakonshmin Mowt &Chandon (i zëvendësuar për motive ligjore me ujë trëndafili me gaz), menaxherit të vjetër anglez i shkëlqenin sytë për shkaqe personale. “Ishte një klimë fantastike – tregon sot – e arabët kishin vendosur në fushë një potencial të tillë organizativ, sa që mu duk gjithçka e qartë: cilitdo në të ardhmen që do të kishte dashur të bënte para me sportin, do t’i duhej të shkonte në ato anë”.
Kështu rinis shpejt bisedimet me autoritetet e Dubait, që u dogjën për herë të dytë. Pikërisht nga Khalifi bin Zayed Al Nahayan i cili doli me një ide të pabesueshme. Të krijohej një ishull artificial në mes të shkretëtirës e të transformohej në mbretërinë jo vetëm të Formula 1, por të të gjithë sporteve. Punimet zgjatën pak dhe në 2009-ën u mbajt çmimi i parë i madh i Abu Dhabit.
Ishte fillimi i një pranvere të re për një qytet që deri në atë moment perceptohej vetëm si zona e përgjumur, ekonomike, politike e fetare e rajonit. Sot, duke admiruar mrekullinë e kopshteve që lulëzojnë në shkretëtirë, ose duke ndjekur me sy tendat portokall që ndajnë më dysh detin artificial prapa kuintave të hoteleve të luksit, mund të thuhet që ai bast është fituar. Ishulli Yas – ky është emri i Montecarlos së Emirateve – tërheq miliona turistë e mbi të gjitha investitorë rusë dhe amerikanë. Në të njëjtën zonë kanë nxjerrë kokën me shpejtësi dhjetra megastruktura të çdo natyre: Bota Ferrari Abu Dhabi, parku tematik; logon e të cilës me kalë, në një të kuqe të flaktë, mund ta shihni edhe nën dritën e  Hënës, Supermarketi Yas, qendra tregtare më e madhe e botës; një park akuarium; një nga hotelet më spektakolare të botës, Viceroy. E më tej, kudo poligone, hipodrome, stadiume, kartodrome. Struktura gjigande, shumë të reja, efikase e gjithmonë të frekuentuara.
Një sukses që ka diktuar linjën në të gjithë zonën, duke detyruar edhe Dubain t’i kthehet fuqishëm sportit, duke investuar mbi vetë strukturat e duke ftuar investorë të huaj. Fitorja e organizimit të Expo 2020 ka bërë më pas pjesën që mbetet. Dy qytetet historikisht në konkurrencë janë bashkuar momentalisht duke shtuar kështu tërheqjen e gjithë zonës për investuesit. Të cilët kanë ardhur deri nga Italia. RCS Sport, shoqëria që organizon Xhiron e Italisë, në 2014-ën ka pagëzuar Turin e Dubait, një garë me etapa midis dunave e grataçelave, që këtë vit, për edicionin e dytë do të ketë si dëshmitar Vincenzo Nibali-n, triumfatorin e Tour De France.
Sepse përveç automobilizmit sportet më të ndjekura janë golfi, varkat me vela e hipizmi, ose ato më lehtësisht të shitura në rrethin e “zakonshëm” të luksit. Të lodh më shumë futbolli. Kampionati vendas nuk është ndonjë kushedi se çfarë, megjithëse kërkohet të tërhiqen me honorare të frikshme futbollistë me famë nga Europa. Njerëzit vazhdojnë të preferojnë Premier Liga-n, Bundesliga-n e deri tek Seria A. Botë të largëta e zona që kërkojnë të bëjnë pasarelë në këto anë: një Italian tjetër, Enrico Bendoni, në partneritet me Këshillin Dubai Sports nga 2009-ta organizon “çmimet e futbollit Botëror” për t’i dhënë çmime ekselencës botërore të futbollit. Këtë vit Carlo Ancelotti, Cristiano Ronaldo, James Rodriguez bashkë me disa të tjerë të mëdhenj kanë pozuar të lumtur përpara Atlantis the Palm, njëri nga hotelet më të kushtueshëm të planetit.
Të çiftosh sportin me luksin. Ky ka qenë njëri nga çelësat e këtij suksesi. Por jo i vetmi. Sipas deklaratave të Qeverisë – e kontestuar nga Amnesty International, që e akuzon hapur se ka investuar mbi sportin për të mbuluar pas shkëlqimit të famës, represionin dhe dhunimin nga regjimi diktatorial – arsyeja e të gjithë këtij suksesi duhet të kërkohet në shpirtin e popullit arab, tradicionalisht i prirur ndaj disiplinës e garës.
E vërteta është ndoshta pak më shumë prozaike. Emirët kanë ditur të bindin organizatorët e huaj të sjellin produktin e duhur në një vend dukshëm të egër. E për ta bërë janë ushtruar edhe për një regjim fiskal veçanërisht të favorshëm. Praktikisht, nuk paguhen taksat. Rregullorja është e rreptë, por fiskaliteti është zero; falë zonave të lira: zona të tëra të qytetit të dedikuara biznesit. Janë 38 midis Dubait, Abu Dhabit, Sharjah-ut, Fujairah-ut, Ajman-it, Ras al Khaimah-ut e Umm Al Quwain-it. Në këto zona ndërmarrjet e huaja nuk paguajnë ndonjë taksë, as për ndërmarrjen, as për import eksportin, as për personelin. Tamam si në Montecarlo. Madje më mirë./Corriere della Sera/
e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button