Sport

Sport / Shkenca e paqëndrueshme e penalltive

Merrni vrull 5-6 hapa, formoni një hark prej 20°-30 °, shënjestroni njërën nga dy qoshet e sipërme të portës – domethënë 50 cm nga kryqëzimi i tranversës me shtyllën pingule- dhe gjuajeni topin me një shpejtësi prej rreth 100 km/h. Jeni mëngjerash? Keni 4 përqind më shumë shanse për të shënuar….

screen-shot-2016-12-03-at-08-06-03

Prova e gjuajtjeve së penalltive, është quajtur shpesh “lotari”, për shkak të paparashikueshmërisë totale të rezultatit përfundimtar. Megjithatë, a jemi vërtetë të sigurtë që çdo “biletë” ka të njëjtën vlerë? Vitet e fundit, fizikantët, matematikanët, ekonomistët dhe psikologët kanë tentuar t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, duke vënë në përdorim metodat sasiore, sasi të mëdha të dhënash, algoritme të sofistikuara dhe analiza statistikore, por edhe kryer eksperimente në terren e në laborator, në mënyrë që t’i përgjigjet sfidës së sfidave:a ekziston penalltia e përsosur?

Edhe para vendosjes së topit në pikën e bardhë të 11-metërshit, është mirë të dini se ekzistojnë disa faktorë që tashmë kanë përcaktuar rezultatin e sfidës. Së pari, hedhja e shortit me anë të monedhës. Nëse kemi fat, dhe ekipi ynë mund të zgjedhë të gjuajë penalltitë i pari, do të kemi një avantazh të konsiderueshëm. Studiuesit Hoze Apesteguia dhe Injacio Palasios-Huerta, pasi analizuan 129 sfida futbollistike të vendosura nga penalltitë, zbuluan se skuadrat që nisnin të gjuanin të parat dhe shënonin golin e parë, kishin 60 përqind mundësi për të fituar. Shpjegimi është psikologjik:nëse filloni të gjuani të parët dhe të gjitha shndërrohen në gola – ngjarje shumë e mundshme, duke qenë se rreth 75 përqind e 11-metërshave realizohen – kundërshtarët ngarkohen me presion, çka rrit shanset që ata të gabojnë. Në fakt, me afrimin e gjuajtjes së pestë, zvogëlohen shanset e shënimit, deri në vlerën 64.3 përqind në penalltinë e njëmbëdhjetë.

Në Botërorin 2014, këto probabilitete ranë në 44 përqind në rastet kur gabimi i mundshëm çonte në eleminimin e ekipit të tyre, ndërsa ngjiten në 91 përqind në rastet kur realizimi i panalltisë mund të konvertohet në fitore. (Frika nga humbja shpie drejt gabimit, më shumë sesa “frika për të fituar”). Fatmirësisht, kapitenët që fitojnë shortin duket se i njohin këto statistika, ndaj zgjedhin gjithnjë të gjuajnë të parët, me përjashtime të rralla dhe fatkeqe (Xhianluixhi Bufon në “Euro 2008”, ku Italia u eliminua me penallti nga Spanja).

Presioni psikologjik bën shakara pa kripë edhe me lojëtarët më të mirë të botës, të cilët sapo mund të kenë fituar një çmim prestigjioz si Lojtari i Vitit nga FIFA dhe Topin e Artë. Të dhënat thonë se këta lojtarë, pasi e kanë marrë çmimin, kanë prirjen të përkeqësojnë performancën e tyre nga pika e bardhë e 11-metërshit, në krahasim me lojtarë të tjerë të të njëjtit nivel. Një dukuri që është në kufi me bestytninë e pastër, dhe e njohur si “mallkimi i fituesit”.

Nëse jeni mëngjarashë, keni një armë më shumë. Të dhënat tregojnë se ata që gjuajnë me të majtën, kanë një shans më të madh për të shënuar (+ 4 përqind) në krahasim me të djathtashët: 76 përqind përkundrejt 72. Kjo prirje mund të varet nga mosnjohja e madhe që portierët kanë në raport me mëngjerashët, vetëm 15 përqind e lojtarëve, dhe për rrjedhojë nga një aftësi e ulët për të parashikuar gjuajtjet e tyre.

Një e dhënë vërtet kurioze ka të bëjë me ngjyrën e bluzës. Duke përsëritur disa studime të kryera më herët tek artet marciale, dhe i aplikuar ato në kampionatin anglez, u zbulua se gjatë 50 viteve të fundit, skuadrat që kanë luajtur në shtëpi me bluzat e kuqe – element do dukej se rriste shpirtin luftarak – fitojnë më shpesh se të tjerët, madje edhe me penallti. Shkojmë tani tek 11- metërshat. Gjatë pozicionimit të topin, dijeni se është më mirë të ecni prapa duke parë portierin dhe pikën ku do të gjuani topin, në vend se të ecni mbrapsht më shpinë nga porta dhe kokën poshtë.

Pasi të keni marrë vrull, duhet të vendosni se ku synoni të gjuani. Jeni në distancën 11 metra larg vijës fatale të portës, 7:32 metra e gjerë dhe 2.44 e lartë. Statistikat thonë se keni 1 një në 4 shanse të dështoni, me një diferencë gabimi që zbret në 10 përqind, në rast se portieri nuk kupton krahun. Zgjedhja më e zgjuar dhe e më e zakonshme duket të jetë gjuajtja majtas ose djathtas, vendimi i justifikuar edhe nga një studim i kryer nga Universiteti Xhon Mur në Liverpul, që në vitin 2009 formuloi ekuacionin e panalltisë së përsosur.

Gjuajtësi i penalltisë duhet të marrë vrull 5-6 hapa, formojë një hark prej 20 °-30 °, duke synuar njërën nga dy qoshet e sipërme të portës – saktësisht 50 cm nga kryqëzimi i shtyllave- dhe të gjuajë topin me një shpejtësi prej rreth 100 km/h. Shumica e lojtarëve, nuk kanë mundësi të marrin me vete makinën llogaritëse dhe të gjitha mjetet e nevojshme, por në mënyrë tejet të pandërgjegjshme, duket se sillen ashtu sikurse thotë ekuacioni.

Ata qëllojnë në fakt në këndin e portës në 83 përqind të rasteve, me një prirje të theksuar të djathtashëve për të gjuajtur në të majtë të portës dhe mëngjerashëve në të djathtë, duke kryqëzuar kësisoj goditjet. Portierët e dinë këtë, prandaj në 57 përqind të rasteve hidhen në të djathtën e tyre, dhe 41 përqind në të majtë. Por ekonomistët nuk duket se mendojnë si fizikantët. Stiven Levit, vë në pikëpyetje zakonet e lojtarëve dhe llogaritjet matematikore pas “penalltisë

së përsosur”, duke zhvlerësuar mitin e gjuajtjes në këndore.

Sipas ekonomistit eksperimental, penalltia më e mirë është ajo që gjuhet aty ku portieri nuk e pret:në qendër të portës. Por vetëm 17 përqind e penalltive përfundon aty, në qendër, pavarësisht nga fakti se vetëm 7 në 100 herë portierët qëndrojnë palëvizur (2 herë nga 100 në ndeshjet ndërkombëtare). Gjuatja në qendër do t’iu japë 81 përqind mundësi të shënoni, në krahasim me 70 përqind të gjuajtjeve në të djathtë, dhe 77 përqind të atyre në të majtë.

Në edicionet e Kupës së Botës, nga Spanja 1982 tek Afrika e Jugut 2010, plot 22 ndeshje janë vendosur nga penalltitë, dhe nga 204 gjuajtje, asnjëra prej tyre që ishte në qendër nuk ishte pritur nga portierët. Pra, pse të gjithë nuk gjuajnë në qendër? Tek e fundit, “Luga e Panenkës” është një ngjarje e rrallë, pikërisht për këtë arsye na habit dhe emocionon. Per ekonomistin Injacio Palasios-Huerta, në librin “Teoria e bukur e lojërave”:Si futbolli mund të ndihmojë ekonominë”, përgjigja qëndron tek “teoria e lojërave”. (E ku tjetër?).

Ndërkohë, arsyetimi i Levit do të qe ideal nëse portierët do të vazhdonin të hidheshin anash edhe nëse lojtarët do të fillonin të gjuanin në qendër – gjë që mund të ndodhë në rast se të gjithë trajnerët do ta lexonin këtë artikull! Në fakt, penalltia është një shembull tipik i një ndërveprimi konfliktual, në të cilën të përdorësh përherë të njëjtën strategji, nuk duket të jetë zgjidhja më e mirë.

Sipas teorisë së lojërave, një penallti është një lojë tipike e shumës zero midis dy pjesëmarrësve (gjuajtësit dhe portierit), dmth lëvizja fituese e një lojtari, përputhet gjithmonë me një humbje për tjetrin. Në ekonomi, çmimi Nobel Xhon Nesh Jr. ka teorizuar se si në ndërveprime të tilla strategjia më e mirë, dhe kësisoj racionale, është të ndryshosh lëvizjet në një mënyrë të paparashikueshme, duke rezultuar në të ashtuquajturin “ekuilibër”.

Pra duhet të gjuani rastësisht, ashtu si në një lotari. Palasios-Huerta tregoi se teoria e Neshit është

e saktë, jo vetëm në përshkrimin e mënyrës se si gjuhen penalltitë, por edhe në përshkrimin e sjelljes së lojtarëve në një mostër të mbledhur gjatë viteve 1995- 2012, ku 9000 penallti të analizuara qenë gjuajtur në mënyra të paparashikueshme dhe forma të ngjashme mes

drejtimeve të ndryshme.

Por a jemi të sigurtë se për një gjuajtës penalltish mendimi i këndit, forcës së goditjes dhe Xhon Neshi, mund ta në ndihmojnë të shënojmë? Shkencëtari kojitiv Gerd Gigerenzer nuk mendon kështu. Në librin e tij të fundit, “Risk Savvy”, Gigerenzer argumenton se duhet të jetë instikti ai që duhet të udheheqë gjuajtësit e penalltive, dhe jo reflektimi i vetëdijshëm, që turbullon automatizmat e konsoliduara ndër vite ndeshjesh dhe stërvitjeje.

Sa më shumë të pritet, sa më shumë të mendohet para se të gjuhet, aq më i madh është rreziku për të bërë gabime. Një diskutim disi i ndryshëm vlen për portierët. Është e vërtetë që një portier duhet t’i besojë instiktit, duke interpretuar lëvizjet e kundërshtarit dhe parashikojë synimet e tij, por është po aq e rëndësishme që ai të përpiqet të ngadalësojë ekzekutimin e gjuajtjes, duke e shpërqëndruar kundërshtarin dhe detyruar atë të mendojë.

Nëse gjuajtësi ndryshon në vrapim e sipër vendimin e tij, rrit shanset për të gabuar. Një portier që lëviz gjatë vijës së portës dhe shtrin krahët në mënyrë të përsëritur, zvogëlon madhësinë e perceptuar të portës dhe kap vëmendjen e gjuajtësit, duke e detyruar atë të gjuajë topin me një kënd të reduktuar prej rreth 32 cm. Një shembull i njohur është Jerzi Dudek i Liverpul, në finalen e famshme të Champions League në Stamboll në vitin 2005, dhe Jens Lehman në ndeshjen Argjentinë-Gjermani në botërorin 2006, që shihte vazhdimisht një copë letër që e mbante në çorape, duke hutuar kësisoj gjuajtësit kundërshtarë në një moment vendimtar.

Përveç kësaj, nëse portieri nuk pozicionohet saktësisht në mes, duke u distancuar qoftë edhe rreth 9 cm më shumë në të djathtë apo të majtë, rrit shanset e gabimit nga ana e gjuajtësit, që priret të synojë qoshen “e ofruar” dhe përgjithësisht më të pambrojtur. Në fund, pasi të kemi gjuajtur dhe arrijmë të shënojmë, mos harroni të gëzoheni, përballë supersticiozëve.

Në fakt, ekziston një lidhje e fortë ndërmjet lojtarëve që shfaqin haptazi gëzimin e tyre pas një penalltie të shndërruar në gol – 66 përqind e bëjnë këtë duke ngritur krahët në qiell – dhe fitores përfundimtare. Pas ngazëllimit, gjuajtësi kundërshtari ka prirjen të gabojë më shumë, ndëra shoku i skuadrës i “infektuar” nga ekzaltimi, ka një probabilitet më të madh të shënojë.

Në kënd apo në qendër, e fortë apo e saktë, reflektues apo instiktiv? Futbolli na magjeps pikërisht për shkak të paparashikueshmërisë së tij. Të dhënat dhe eksperimentet, s’do të mund ta eleminojnë kurrë, por ato mund të na ndihmojnë të hedhim dritë mbi mitet e rreme, besimet e pajustifikuara dhe gabime intuitive. Po penalltia e përkryer? Sigurisht, është ajo që përfundon në portën e kundërshtarëve. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button