Stephen Hawking dorëzoi një studim të fundit shkencor dy javë para se të vdiste, dhe ai hedh themelet për zbulimin e një universi paralel.
Hawking, që ndërroi jetë të mërkurën në moshën 76 vjeç, ishte bashkëautor i një studimi matematikor që kërkon prova për teorinë e multiverseve, e cila parashtron ekzistencën e shumë universeve përveç tonit.
Dokumenti, i quajtur “Një dalje e butë nga inflacioni i përjetshëm” u rishikua për herë të fundit në 4 mars, dhjetë ditë para vdekjes së tij.
Sipas Sunday Times, studimi do të botohet në një revistë shkencore, pasi të përfundojë rishikimi i tij.
ArXiv.org një faqe e universitetit Cornell, që gjurmon studimet shkencore para se të botohen, ka një kopje të studimit.
Sipas Sunday Times, përmbajtja e studimit parashtron matematikën e nevojshme për një kërkim në hapësirën e thellë, për të mbledhur prova që mund të vërtetojnë se ka universe të tjerë.
Studimi tejet teorik parashtron se ekzistenca e shumë universëve mund të matet përmes rrezatimit që në fillimet e kohëve. Kjo nga ana e vet mund të matet përmes një anije kozmike në hapësirën e thellë, e cila të jetë e pajisur me sensorët e duhur.
Thomas Hertog, profesor i fizikës që ishte bashkëautor me Hawking, tha se studimi synon që “të transformojë idenë e një multiversi, në një kuadër shkencor të provueshëm”.
Hertog që punon në Universitetin KU Leuven në Belgjikë, i tha Sunday Times dhe ishte takuar personalisht me Haëking, për të marrë miratimin e fundit para se të dorëzonin studimin.
Gazeta tha që, nëse një provë e tillë gjendet, kjo do i bënte shkencëtarët kandidatë kryesorë për Çmimin Nobel. Por duke qenë se nuk jepen pas vdekjes, Hawking nuk do të ishte i kualifikueshëm. / Bota.al