Kinema & TV

Stereotipet e Hollivudit: Pse rusët janë gjithmonë “të këqinjtë”

Tom Brook

Hollivudi përdor shpesh stereotipet kur paraqet keqbërësit në filma – por pse vallë duan ta largojnë një pjesë jo të vogël të audiencës?

rus 1

Nga një ish operativ sadist i KGB-së në filmin “The Avengers”, tek “The Russian Evildoers” dhe në “A Good Day to Die Hard”, këto kohët e fundit nuk ka pasur mungesa të keqëbërësve rusë në ekran. Politikanët rusë dhe prodhuesit e filmave e kanë bërë tashmë të qartë pakënaqësinë e tyre ndaj përshkrimit vazhdimisht negativ, si keqbërës, që u bën industria amerikane e filmave. Ka pasur madje kërcënim për një bojkotim nga rusët të filmave të Hollivudit, duke nënvizuar rrezikun që marrin përsipër studiot kur ato demonizojnë një komb të tërë.
Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, raportoi në gusht që Batu Khasikov, një anëtar i komitetit të kulturës në dhomën më të lartë të asamblesë kombëtare federale, ka thtnë se “filmat ku gjithçka që i referohet Rusisë demonizohet haptaz, ose tregohet në një mënyrë primitive dhe të trashë,  duhet të bojkotohen dhe të mos transmetohen”.
Ka një histori të gjatë të përshkrimit të rusëve si keqbërës. “Edhe përpara Luftës së Ftohtë, Rusia paraqitej shpesh si një kërcënim gjeopolitik për Perëndimin,” thotë James Chapman, professor i Studimeve të Filmave në Universitetin e Leicesterit. “Por ky stereotip merr një modulim të veçantë ideologjik gjatë Luftës së Ftohtë, kur bëhet lidhja jo vetëm Rusinë, por edhe komunizmin sovjetik.”
Çuditërisht, rënia e Murit të Berlinit nuk i dha fund keqbërësve rusë në ekran. Ndoshta për pak kohë prania e tyre ra disi, por rusët mbeten keqëbërësit më të parapëlqyer të studiove filmike. “Ju nuk mund as të ndizni televizorin, dhe të zgjidhni filmat pa iu referuar rusëve si të tmerrshëm,” thotë Nina Hrushova profesore Ruso-Amerikane me banim në SHBA, stërmbesë e liderit sovjetik Nikita Hrushov. Hrushova tregon sesi portretizohen rusët në kinemanë amerikane dhe në vlerësimin e saj, mbizotërimi i rusëve si keqbërës nuk ka rënë me të vërtetë që nga ditët e Luftës së Ftohtë. “Asnjëherë nuk u zbeh ideja e Rusisë si një armike konstante,” thotë ajo.
Studiuesit e shohin qëndrimin e ashpër të presidentit rus, Vladimir Putin si arsyen për praninë e shtuar të keqbërësve rusë në filma. “Unë mendoj veçanërisht se, qysh nga rishfaqja e Putinit dhe e një linje më të ashpër regjimi, sidomos me problemet e sotëm në Ukrainë, ka ekzistuar ndjesia që Rusia mbetet një kërcënim gjeopolitik dhe një fuqi e egër – edhe pse është pas-komuniste  –  dhe unë mendoj se kjo është me të vërtetë arsyeja që ju shihni këta lloj keqbërësish,” thotë Chapman.
Çfarë është e vjetër, është e re
Rusët mund të jenë “shejtani” i zgjedhur sot, por gjatë dekadave, raca dhe kombësi të ndryshme kanë pasur momentet e veta, kur keqbërësit e tyre kanë qënë në qendër të vëmendjes. Rreth kohës së Luftës së Dytë Botërore, për arsye të dukshme, gjermanët u shfaqën si të këqinjtë në filmat amerikanë, ashtu si edhe japonezët.
Një grup që ka qënë demonizuar për dekada të tëra, në shkallë të ndryshme intensiteti janë Arabët – dhe Myslimanët. Edhe përpara ditëve të roleve të Rudolf Valentinos në filmat pa zë, si “The Sheik” në 1921, përshkrimi i arabëve ishte ai i personazheve të diskutueshëm, të cilët vidhnin dhe vrisnin. Në komunitetin arabo-amerikan, përshkrimet e Hollivudit nëpër dekada janë parë sikur vuanin nga ‘sindroma 3B’, pasi arabët shfaqeshin ose belly dancers, ose bilionerë (miliarderë), ose bombavënës.
Pas sulmeve të 11 shtatorit, ka patur një shqetësim në rritje në mesin e arabo-amerikanëve, se ata po shfaqeshin në role si terroristë. Megjithëse disa filma u shfaqën me portretizime më të rrumbullakosura arabësh të zakonshëm, Dr Jack Shaheen, autor i “Real Bad Arabs” shprehet se nuk ka patur shumë ndryshim, në mënyrën se si Hollivudi paraqet një popull të tërë.
“Fatkeqësisht, keqbërësit arabë dhe myslimanë shfaqen akoma rregullisht në filma dhe në seritë televizive,” konstaton ai.
Kjo u bë e qartë me riproduksionin e filmit të luftës të vitit 2012 “Red Daën”. Ishte filmuar me keqbërës kinezë, por për shkak të shqetësimeve që mund të rrezikonin futjen e tij në tregun e filmit në Kinë, keqbërësit u transformuan në pas-produksion në koreano-verioë – me kosto të konsiderueshme. Duke patur parasysh se nuk ka shpërndarje të filmave të Hollivudit në Korenë e Veriut, prodhuesit e dinin se nuk do të kishte humbje në të ardhura, nëse e armiqësonin këtë vend.
Përshkrimet e Hollivudit për keqbërësit mund të kenë pasoja shumë konkrete dhe të prekshme. Siç është rasti me Rusinë, ata i inatosin politikanët – mund t’u ofrojnë atyre shembuj. Në blogun e saj, Nina Hrushova, e cila duket qartë se nuk është admiruese, nxjerr pretendimin e madh se Vladimir Putini është influencuar shumë nga parada e Hollivudit për rusët e këqij. “Ai kaloi në atë imazhin e keqbërësit që u prezantua nga Hollivudi për Rusinë dhe për udhëheqësit rusë. Ai i pa të gjithë këta filma. U duk se mendoi: “Mirë atëhere, ju do të më portretizoni mua si keqbërës gjithësesi, kështu që unë mund edhe të shkoj dhe të filloj të ‘kafshoj’ toka nga vendet e tjera”.
Eshtë ndikuar apo jo Putini prej të këqinjve të Hollivudit, e vërteta është se është ndezur një debat në lidhje me praninë e filmave hollivudianë në ekranet rusë. Hrushova mendon se industria e filmit amerikan me të vërtetë mund të ketë pasoja. “Është plotësisht e mundshme që tregu rus të mbyllet ndaj Hollivudit,” thotë ajo.
Duke pasur parasysh se Rusia përfaqëson tregun e shtatë më të madh të filmave në botë, pse duhet që studiot të vihen kundër një prej blerësve më të fuqishëm? Një nga mundësitë është se ankesat e Rusisë mbi filmat e Hollivudit mund të kenë një ndikim në marrdhëniet me publikun, që ky të jetë pozitiv në favour të studiove. “Ata duhet të jenë të kënaqur për interesin dhe vëmendjen,” thotë James Chapman. Gjithashtu Klaus Dodds, professor i Gjeopolitikës në Royal Holloëay, Universiteti i Londrës thotë, “Unë mendoj se Hollivudi është më shumë i shqetësuar për tregun kinez”. Me të vërtetë, ka një obsesion mbi Kinën në Hollivud – por tani që pakënaqësia ruse mund të ulë të ardhurat, do të ketë gjithësesi një farë rivlerësimi.
Gjuetia për keqbërës të rinj
Me kaq pak sa kanë mbetur, është e qartë se Hollyvudi ka nevojë për keqbërës të rinj. Shteti Islamik mund të jetë një burim për personazhe keqbërësish, por është plot vështirësi sepse është i përbërë nga kaq shumë kombësi të ndryshme të dala nga Lindja e Mesme, Amerika e Veriut, Britania dhe më tutje.
Duke pasur parasysh kompleksitetet e gjeopolitikës së sotme është e konceptueshme se keqbërësit nuk do të përcaktohen më prej kombësisë së tyre. Upton thotë: “Një nga gjërat që ka të ngjarë të shihni në të ardhmen e afërt është se të këqinjtë mund të jenë ndotës apo dëmtues të klimës”. Në fakt, tashmë është provuar kjo, ku armiq të ambientit janë shfaqur në filmin me të ardhura më të larta të të gjitha kohërave, “Avatar”.
Problemi është se askush nga keqbërësit në filmat e sotëm nuk e kanë peshën e atyre të të kaluarës. Gjatë Luftës Së Ftohtë, veçanërisht gjatë kohëve dramatike si Kriza e Raketave në Kubë një keqbërës Rus në ekran ishte shumë më shumë kërcënues për arsye se të apasionuarit pas filmave e dinin se qendrat e kontrollit të lëshimit të raketave bërthamore amerikane dhe sovjetike ishin gati për të shkuar në luftë. Fatmirësisht, ky lloj i kërcënimit bërthamor është pakësuar, por si rezultat ai ka “eleminuar” dhe keqbërësit tanë. Ne thjeshtë duhet t’ia dalim me armiqtë e mjedisit dhe kërcënimin e përgjithshëm të terrorit, derisa Hollivudi, në një goditje frymëzuese, të rishpikë superkeqbërësit e kinemasë./BBC/ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button