Analiza

STRATEGJIA / Misioni: Ripushtimi i Paqësorit. Obama saldon aleancën antikineze

StrategjiaSapo u fut në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 2009, Barak Obama dërgoi Sekretaren e tij të Shtetit, Hillary Clinton në mision në Azi, dhe i rezervoi kryeministrit japonez, Taro Aso, nderin e vizitës së parë zyrtare të presidentit të ri të SHBA. Një hapje drejt lindjes, që bëri menjëherë xheloze Europën, e mësuar me “marrëdhënien speciale” transatlantike. Por udhëheqësi i ri, i lindur në Hauai dhe i rritur në Indonezi, e shihte me ngrohtësi dhe natyrshëm Paqësorin si vendi i rrënjëve të tij. Qëndrime personalë, sigurisht, por ndryshimi i qasjes ishte pikësëpari frut i punës së analistëve të Obamës që denonconin: “Amerika e është e çbilancuar drejt Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore, ku është e angazhuar pothuajse e gjithë forca e saj ushtarake, pikërisht kur në Azinë Lindore po ndodhin ndryshimet ekonomikë dhe socialë më të rëndësishëm të historisë së njerëzimit”.

Më tej, erdhi vendimi i presidentit për të ndryshuar drejtim, duke e fokalizuar strategjinë amerikane mbi të gjitha në Paqësor dhe në Lindjen e Largët. Katër vite pas atij ndryshimi, udhëtimi i ri i Barak Obamës në Azi – presidenti u nis dje për në Tokio – shërben për t’i ridhënë forcë një politike që, ndonëse mjaft e qartë në fazën e vet fillestare, mori pak nga pak konotacione gjithnjë e më të ngatërrueshëm për shkak të faktorëve të ndryshëm e të njëkohshëm: pikësëpari, shpërthimi i krizave në rajone të tjerë të botës – nga lufta civile në Siri, tek agresioni rus në Ukrainë – që e detyruan Obamën të rishikojë sërish prioritetet e tij. Më tej, kompleksiteti ekstrem i panoramës gjeopolitike dhe historike të Lindjes së Largët, që detyron SHBA të bëjnë llogaritë me fërkime dhe konflikte në zonë, të cilat lindin prej ekspansionizmit kinez, prej sjelljeve të paparashikueshme të diktatorit ekscentrik të Koresë së Veriut, por edhe prej nacionalizmit në rritje në Japoni, ndërkohë që edhe mes aleatëve të Amerikës shfaqen shpesh herë shkëndija. Për shembull, ndonëse të dyja janë të kërcënuara prej Kinës, Japonia dhe Korea e Jugut po jetojnë një sezon tensionesh që sa vijnë e rriten.

Lloji i tretë i problemeve është ekonomik dhe ka një emër: TPP. Aleanca Tregtare Transpaqësore duhej të funksiononte si me zamkë mes SHBA dhe aleatëve të tjerë aziatikë, duke përfshirë Kanadanë dhe Australinë: një zonë e lirë shkëmbimesh tregtarë që zë 40% të tregtisë botërore, në gjendje të shndërrohet edhe në një bllok politik, i cili potencialisht mund të përfshinte apo kushtëzonte edhe vetë Kinën. Por edhe Trans Pacific Partnership, aleanca që në teori është më e lehtë të realizohet, është në qendër të vëmendjes: për shkak të vështirësive të Obamës për të siguruar, nga një Kongres i përçarë, “rrugën së shpejtë” të miratimit të marrëveshjes tregtare, por edhe sepse, pavarësisht dekadave me zhvillim të shpejtë të tregtisë globale, proteksionizmi mbetet i fortë në shumë tregje. Duke filluar pikërisht nga Japonia, e cila i reziston hapjes për mishin e ardhur nga SHBA dhe mbron fort prodhuesit e vet të orizit.

Misioni i Obamës, i cili pas Japonisë do të vizitojë Korenë e Jugut, Filipinet dhe Malajzinë (tre aleatë dhe një vend mik, por pa shumë lidhje të forta me SHBA) shërben për të siguruar partnerët, duke përsëritur angazhimin e SHBA për të mbrojtur aleatët nga çfarëdolloj agresioni, por edhe për t’u përpjekur për rifillimin e negociatave tregtare. Më tej, presidenti amerikan dëshiron të favorizojë gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjet territoriale të Kinës me fqinjët e saj përmes negociatave, dhe jo përmes provave të forcës. Por, këtu i ka duart pjesërisht të lidhura, për shkak të rivaliteteve të vjetër dhe të thellë mes vendeve të rajonit si dhe mosbesimit të Kinës, e cila e përjeton misionin e Obamës në Lindjen e Largët si një “grand tour” me objektiv frenimin e ambicjeve të Kinës.

Kjo e Obamës është bërë një punë pothuajse e pamundur. Nëse u jep siguri ushtarakisht aleatëve, provokon reagimin e zemëruar të Kinës, si ai që u eksperimentua nga kreu i Pentagonit, Chuck Hagel, gjatë vizitës së tij të fundit në Pekin. Nëse këmbëngul në tonet zbutës dhe pajtues, ushqen dyshimet e partnerëve që në rast sulmi në Azi, Amerika mund edhe të mos ndërhyjë me forcë të mjaftueshme në mbrojtje të aleatëve të saj.

Agresioni rus në Ukrainë i shton frikërat: Obama mund të jetë i detyruar të merret më shumë me Putinin, edhe gjatë udhëtimit të tij në kryeqytetet aziatikë. Dhe këtu, aleatët e Amerikës druhen se agresiviteti i Moskës mund të shtyjë edhe Pekinin që të guxojë më shumë në konfliktin me fqinjët, duke menduar që Uashingtoni do të bëjë të pamundurën për të mos lejuar që të gjendet mes dy zjarreve. (Corriere della Sera)

Leave a Reply

Back to top button