Bota

Struktura sekrete dhe armë lazer: Ja pse përdoren balonat spiune kineze

Nga Federico Giuliani

“Il Giornale”

Kur një balonë misterioze kineze po fluturonte mbi Montana në muajin shkurt, qeveria amerikane nuk ngriti asnjë alarm. Pentagoni u kufizua vetëm në mbikëqyrjen e lëvizjeve të objektit të “paftuar””, pa e bërë publike këtë histori, dhe mbi të gjitha pa marrë masa të menjëhershme.

Ajo bëri bujë vetëm sepse një pasagjer në një avion civil, vuri re një objekt të çuditshëm fluturues. Që nga ai moment, pamjet u bërë virale në shumë rrjete sociale, duke detyruar ndërhyrjen e autoriteteve. Baloni kinez, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, po monitorohej hap pas hapi, në një kohë që qeveria amerikane po vepronte për të mbrojtur veten nga çdo lloj grumbullimi i informacioneve sekrete.

Fjalë që në teori duhej të ishin qetësuese, duke iu referuar bazave të mundshme ushtarake. Si për shembull Baza e Forcave Ajrore Malmstrom në Montana – ku ndodhet 1 nga 3 vende e lëshimit të raketave bërthamore amerikane – Baza e Forcave Ajrore Minot në Dakotën e Veriut dhe Baza e Forcave Ajrore Warren në Wyoming.

Nga ana e saj Kina shpjegoi se balona, ​​që përdoret për studime meteorologjike, i përkiste një kompanie private, dhe se ajo kishte përfunduar aksidentalisht në territorin amerikan. Por sipas shërbimeve sekrete amerikane, balona misterioze u dërgua posaçërisht nga Pekini për të mbledhur informacione konfidenciale .

Sa për kronikë, pas 5 ditësh fluturim mbi territorin amerikan, balona u rrëzua nga një avion gjuajtës në brigjet e Karolinës së Jugut. Ndërkaq, pas disa muajsh nga incidenti, janë shfaqur detaje të reja, që mund të na japin një interpretim ndryshe të gjithë historisë.

Në fakt, objekti fluturues që u shfaq në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara, mund të mos jetë projektuar për të spiunuar, ose të paktën jo vetëm për të kryer atë detyrë. Duke pasur parasysh programin e mjeteve ajrore që po zbaton Kina, dhe operacionet që po zhvillohen në disa baza kineze, ka të ngjarë që Pekini të jetë duke punuar për të zhvilluar një armë lazer të aftë të “verbojë” përkohësisht ose përgjithmonë sensorët e përdorur nga satelitët e vendeve armike.

Ka shumë gjasa që lidhja hipotetike midis armëve lazer dhe avionëve, të përbëjë një kërcënim serioz për Uashingtonin. Dhe kjo për të paktën dy arsye. Së pari, balonat dhe avionët kinezë mund të ngrihen qëllimisht në një lartësi specifike, dhe pastaj të shënjestrohen me lazer për t’i ndihmuar studiuesit kinezë të kuptojnë se si rrezja udhëton nëpër atmosferë.

Pastaj qarkullon edhe një tezë të dytë, shumë më e pasigurt:armët lazer mund të montohen tek objektet fluturuese të lartpërmendura, dhe të përdoren për të nxjerrë jashtë funksionit satelitët e vendeve armike. Ndërsa termi i parë nënkupton ndriçimin e një sateliti me aq shumë dritë saqë të mos mundet dot të gjurmojë për një kohë të kufizuar asgjë nga ajo po përpiqet të shohë.

I dyti nënkupton një dëmtim të përhershëm të sistemit të imazhit. Po cili është synimi për të nxjerrë jashtë loje një satelit? Në rast se një qeveri dëshiron të nisë një sulm kundër një rivali, ajo mund ta bëjë këtë edhe duke përdorur raketa balistike apo edhe bërthamore.

Problemi është se falë satelitëve të tij dhe një rrjeti mbrojtës të duhur, vendi i sulmuar do të ishte shumë mundësi në gjendje që ta parandalonte kërcënimin, përpara se të materializohej ai, sidomos nëse flasim për Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë duke mos qenë në gjendje të mbështetet tek monitorimin përmes satelitëve, shteti i shënjestruar do ta gjente veten në një lloj errësire informative, dhe kësisoj do të ishte i paaftë të parandalonte çfarëdolloj kërcënimi, qoftë nga raketat apo nga grumbullimi i ushtrive rivale përgjatë kufijve të tij.

Dhe pasi të jetë riparuar defekti dhe të realizohet një sulm i afërt i armikut, do të ishte tepër vonë për kombin që ndodhet nën sulm. Për këtë arsye, nuk është rastësi që Uashingtoni ka filluar të investojë shumë tek të ashtuquajturit satelitë të paralajmërimit të hershëm, të cilët përdorin sensorë për të kapur sinjale termike me rreze infra të kuqe nga raketat balistike dhe hipersonike.

Në përgjithësi, nëse nuk janë në gjendje të mbështeten tek satelitë, forcat ushtarake të një vendi të caktuar, nuk dinë ku t’i vendosin mjetet dhe njerëzit e tyre, dhe as nuk janë në gjendje të kuptojnë se ku mund të godasin rivalët e tyre.

Balonat kineze, mund të jenë mjete që Pekini mund t’i përdorë përballë një skenari katastrofik, për të përmbushur pak a shumë drejtpërdrejt pikërisht këtë qëllim:të çaktivizojë satelitët amerikanë dhe të godasë Uashingtonin. Siç e theksoi portali Quartz, duket se në provincën Xinjiang, ekziston një bazë, Bohu, ku gjenden qendrat e kërkimit dhe zhvillimit për armët lazer, të afta të sulmojnë satelitët amerikanë, si dhe vendet e testimit për raketat.

Duke përdorur të dhëna nga kompania e të dhënave satelitore BlackSky, analistët konfirmuan se Kina po përdor mjete fluturuese më të lehta se ajri. Disa imazhe satelitore, kanë zbuluar një mjet rreth 32 metra i gjatë, pranë një hangari 260 metra të gjatë dhe 140 metra të gjerë.

Nuk duhet të jetë i njëjti objekt fluturues i parë dhe i rrëzuar në Shtetet e Bashkuara disa muaj më parë, por mund të ketë funksione të ngjashme. Analisti Sean O’Connor beson se Kina po zhvillon atje armët lazer anti-satelitorë. Këtë mendim ndajnë edhe Jeffrey Lewis dhe Eli Hayes nga Instituti për Çështjet Ndërkombëtare.

Ata besojnë se ekipi në bazën Bohu, është duke zhvilluar një lazer të montuar në një mjet që mund të “verbojë” përkohësisht ose përgjithmonë sensorët e përdorur nga satelitët e vendeve armike. Lazerët mund të dëmtojnë satelitët me sensorë në distancë që mbledhin imazhe të Tokës, dhe ky do të ishte një dëm i konsiderueshëm.

Sepse ata supozohet të japin paralajmërime paraprake për lëshimin e raketave kundër Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj. Por po ashtu, mund të matin me saktësi vendndodhjen e satelitëve. Në çdo rast, një vit më parë Pentagoni publikoi ​​një raport të shërbimeve sekrete në lidhje me ushtrinë kineze, sipas të cilit ushtria e Pekinit dyshohet se kontrollon “shumë armë-lazer të niveleve të ndryshme, me fuqinë e mjaftueshme për të prishur, degraduar ose dëmtuar satelitët dhe sensorët e tyre”.

Nëse do të jetë vërtet kështu, avionët kinezë mund të jenë në fakt pjesë e një plani shumë më të madh që synon të nxjerrë nga funksioni satelitët rivalë përmes përdorimit të armëve lazer.

Back to top button