Edhe pse shumë dieta që janë sot në modë, përpiqen t’i kufizojnë karbohidratet, jo të gjitha karbohidratet janë njëlloj të dëmshme. Pjesa më e madhe e ankthit të atyre që duan të bien ne peshë, bazohet tek bindja se ngrënia e “karbohidrateve të shpejta” do t’i shëndoshë.
Por një studim i ri zbulon se kur bëhet fjalë për shtimin apo rënien në peshë, nuk ka në fakt ndonjë ndryshim të madh midis karbohidrateve të shpejta apo atyre të ngadalta. Në një raport të porositur nga Fondacioni Grain Foods, shkencëtarët zbuluan dallime shumë të vogla në atë se si ushqimet me glicemi të lartë dhe të ulëta ndikojnë në menaxhimin e peshës trupore. Indeksi Glicemik (GI), rendit se sa shpejt një ushqim i caktuar ngre nivelin e sheqerit në gjak. Teoria është se ushqimet me GI të lartë, rrisin nivelet e glukozës dhe sekretimin e insulinës, të cilat mund të çojnë në probleme shëndetësore nëpërmjet mbi-ngrënies.
Për më tepër, shkencëtarët besojnë se ushqimet me GI të lartë promovojnë ruajtjen e yndyrës në trup, dhe e rrisin rrezikun e obezitetit tek një person. Sidoqoftë, një përmbledhje studimore që përfshin mbi 2 milionë të rritur në 34 studime të mëparshme, zbulon se ndikimi i karbohidrateve të shpejta, nuk është më i dëmshëm sesa ai i karbohidratet e ngadalta.
“Ky studim është i pari që tregon se karbohidratet e shpejta nuk të shëndoshin”-thotë bashkautori i studimit Glen Gezer, profesor i shkencës së ushtrimeve në Kolegjin e Zgjidhjeve Shëndetësore në Universitetin Shtetëror të Arizonës, SHBA.
“Në kundërshtim me besimin popullor, ata që kanë një dietë me ushqime me GI të lartë, nuk kanë më shumë gjasa të jenë obezë apo të shtojnë peshë, sesa ata që kanë një dietë me ushqime me GI të ulët. Për më tepër, ata nuk kanë më pak gjasa të bien në peshë”,- thekson ai.
Autorët e studimit shtojnë se “Indeksi Glicemik, si një masë e cilësisë së karbohidrateve, duket të jetë relativisht i parëndësishëm si një përcaktues i BMI (Indeksit të Masës Trupore) apo rënies në peshë të shkaktuar nga dieta”.
Në 27 nga 34 studimet e shqyrtuara, që krahasojnë dallimet midis ushqimeve me GI të lartë dhe të ulët, 70 për qind treguan se BMI-ja e një personi në dietë ishte ose e njëjtë ose në fakt më e ulët në mesin e atyre që konsumonin ushqime me një GI të lartë.
Tetë studime shtuan se ushqimet me GI të ulët (karbohidratet e ngadalta) nuk ishin më të mira se sa karbohidratet e shpejta për rënie në peshë apo për djegien e dhjamit. “Ky rishikim vë në dyshim premisën, sipas së cilës dietat me një GI të ulët çojnë në rezultate më të mira të kontrollit të peshës, dhe na kujtojnë shumë cilësi të tjera të karbohidrateve që janë shumë më të rëndësishme për t’u marrë parasysh:për shembull, dendësia e lëndëve ushqyese, fibrat dietike dhe përmbajtja e drithërave të plota, dhe përqindje e sheqerit të shtuar”-thotë Sidarta Angadi.
“Përfitimi kryesor është se karbohidratet, pavarësisht nga lloji i tyre, mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme dhe të kenë një vend në një meny të shëndetshme. Gjatë dekadave të fundit, ne kemi parë sulme ndaj karbohidrateve dhe ushqimeve të përpunuara në përgjithësi. Shkenca ka treguar se këto ushqime në ekuilibrin e duhur, mund të jenë pjesë e një modeli dietik që mund të promovojë një peshë të shëndetshme, dhe të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve”- shton Miler Xhons.
“E vërteta është se konsumimi i një shumëllojshmërie të madhe karbohidratesh, nga buka e bardhë me karbohidrate të shpejta, deri tek ajo integrale me karbohidrate të ngadalta, dhe kombinimi i tyre në mënyrë të zgjuar me të gjitha grupet ushqimore, mund të ofrojnë përfitime të mëdha për shëndetin e njeriut”-përfundon Xhons. / StudyFinds – Bota.al