Botoks, ose toksina botulinum, është një ilaç që prodhohet nga një toksinë bakteriale, dhe që zakonisht injektohet në trupin e njeriut për të reduktuar rrudhat, lehtësuar dhimbjet që shkakton migrena, spazmat e muskujve, djersitjen e tepërt dhe inkontinencën urinare.
Por studiuesit në Shkollën e Farmacisë dhe Shkencave Farmaceutike në Universitetin e Kalifornisë, në bashkëpunim me 2 mjekë nga Gjermania, mund të kenë zbuluar një përdorim të ri të saj falë Sistemit të Raportimit të Efekteve Anësore (FAERS) të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), ku gati 40.000 njerëz raportuan se çfarë u ndodhi pas trajtimit me botoks për një sërë arsyesh.
Studimi, i botuar më 21 dhjetor 2021 në revistën “Scientific Reports”, zbuloi se njerëzit që merrnin injeksione botoksi në 4 zona ende të ndryshme të trupit – pra jo vetëm në ballë – raportuan shumë më rrallë episode të ankthit, sesa pacientët që i nënshtroheshin trajtimeve të ndryshme për të njëjtat kushte.
“Një numër i madh efektesh të ndryshme negative janë raportuar tek FDA. Dhe objektivi kryesor është zakonisht gjetja e atyre efekteve anësore të dëmshme që nuk ishin identifikuar gjatë testeve klinike. Por ideja jonë ishte e ndryshme. Ne thamë:Pse të mos bëjmë të kundërtën? Pse të mos gjejmë efektet e dobishme?”- thotë Robert Abagian, profesor i farmaceutikës.
Abagian dhe ekipi i tij kërkuan tek baza e të dhënave informacione mbi mungesën ose frekuencën e reduktuar të ankthit dhe çrregullimeve të lidhura, me ankthin si një ankesë shëndetësore, krahasuar me një grup kontrolli, kur të anketuarit merrnin botoks.
Pastaj ekipi përdori një algoritëm matematikor, për të gjetur dallime statistikisht të rëndësishme midis përdoruesve të botoksit, dhe pacientëve që morën trajtime të ndryshme
për të njëjtat kushte.Ajo që zbuluan ishte se rreziku i raportuar i ankthit ishte 22-72 për qind më i ulët në pacientët e trajtuar me botoks për 4 nga 8 gjendjet si dhe vendet e injektimit:muskujt e fytyrës për përdorim kozmetik; muskujt e fytyrës dhe kokës për trajtimin e migrenës; gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme për spazma dhe spasticitet; dhe muskujt e qafës për tortikoli.
Sipas “National Comorbidity Survey Replication”, një studim i prevalencës dhe korrelacioneve të çrregullimeve mendore në SHBA, i kryer ndërmjet viteve 2001-2003, çrregullimet e ankthit janë kategoria më e zakonshme e çrregullimeve psikiatrike.
Sipas sondazhit, 32 për qind e popullsisë amerikane ndikohen negativisht nga ankthi në një moment të jetës së tyre, dhe trajtimet janë joefektive për gati 1/3 e tyre. Kjo është arsyeja pse klinicistët dhe studiuesit po kërkojnë opsione të tjera terapeutike.
Sigurisht, të dhënat e përdorura në këtë studim nuk u mblodhën me synimin ekskluziv të zbulimit të një lidhje midis përdorimit të botoks dhe ankthit. Për më tepër, të dhënat e FAERS përfaqësojnë vetëm nëngrupin e përdoruesve të botoksit, që përjetuan efekte anësore negative.
Ndërkohë Abagian dhe ekipi i tij, publikuan një studim të ngjashëm po në“Scientific Reports” në korrikun e vitit 2020, në të cilin, duke përdorur të njëjtën bazë të dhënash, zbuluan se njerëzit që morën injeksione me botoks raportuan dukshëm më rrallë gjendje depresive sesa pacientët që i nënshtroheshin trajtimeve të ndryshme për të njëjtat kushte.
Abagian dhe bashkëpunëtorët e tij thonë se duhen analizuar disa mekanizma të mundshëm, që mund të shpjegojnë lidhjen. Toksinat botulinum mund të transportohen në rajonet e sistemeve nervore qendrore, që janë përgjegjëse për humorin dhe emocione.
Nyjet neuromuskulare të prekura nga botoksi mund të komunikojnë drejtpërdrejt me trurin. Së fundi, meqë botoks përdoret zakonisht për të trajtuar gjendjet kronike që mund të kontribuojnë tek ankthi, suksesi i tij në lehtësimin e problemit themelor, mund të lehtësojë në mënyrë indirekte edhe në lehtësimin e vetë simptomave të ankthit.