HistoriMAIN

Sun Tzu vs Carl Von Clausewitz: Kush ishte strategu më i madh i të gjitha kohërave?

Në historinë e strategjisë ushtarake, asnjë teoricien nuk ka fituar të njëjtin respekt apo të ketë pasur aq shumë ndikim sa Sun Tzu dhe Carl von Clausewitz brenda traditave të tyre përkatëse. Sun Tzu ishte një gjeneral kinez dhe strateg i lashtë ushtarak që jetoi në shekullin V Para Krishtit dhe autor i mirënjohur i librit “Bingfa” (Arti i Luftës), vepra më e hershme e njohur mbi strategjitë ushtarake.

Ndërkohë Carl von Clausewitz ishte një gjeneral dhe strateg prusian në fundin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX, që u angazhua në Luftërat Napoleonike. Ai është i famshëm për veprën e tij “Vom Kriege” (Mbi luftën) e botuar në vitin 1832.

Çfarë ishte lufta për Sun Tzu dhe Clausewitz?

Dallimi i parë domethënës midis Sun Tzu dhe Clausewitz ka të bëjë me kuadrin e analizës së tyre. Kuadri i Sun Tzu përbëhet nga një perspektivë e gjerë mbi luftën, e cila përfshinte jo vetëm çështjet ushtarake, por edhe një larmi të madhe faktorësh jo-ushtarakë që megjithatë ndikojnë në fushën ushtarake, të tilla si diplomacia, ekonomia dhe psikologjia.

Ndërkohë ai i Clausewitz është shumë më i ngushtë, dhe i përbërë ekskluzivisht nga çështje ushtarake. Ai e njeh rëndësinë e fushave të tjera, dhe faktin që lufta nuk është asnjëherë një akt i izoluar. Në fakt Clausewitz është i famshëm për aforizmin e tij se “Lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”.

Por këta faktorë nuk kanë shumë rëndësi në detyrën e një gjenerali. Clausewitz e përkufizon luftën si “një akt dhune që synon ta detyrojë kundërshtarin të përmbushë vullnetin tonë”. Fitorja është objekti, dhe dhuna është mjeti. Faktorë të tjerë kanë rëndësi vetëm për aq sa ndikojnë në aftësinë e një gjenerali për të fituar luftën.

Lufta kërkon agresion. Pozicioni mbrojtës është më i forti, por ai kërkon një mbrojtje absolute që e kundërshton idenë e luftës. Ofensiva është e nevojshme për të fituar luftën dhe për të arritur një objektiv pozitiv. Clausewitz favorizon një qasje të guximshme të rrezikut të balancuar me llogaritjet racionale. Një gjeneral i madh është ai që zbaton me sukses një strategji maksimale, në të cilën arrihet rezultati më i mirë.

Paqja vs lufta

Për shkak të këndvështrimeve të ndryshme, Sun Tzu dhe Clausewitz nxorën përfundime të ndryshme në lidhje me natyrën e paqes dhe konfliktit në vetvete. Ndërsa luftimet ushtarake nuk ekzistojnë gjithmonë, konflikti është i përhershëm në arenat e tjera, të tilla si politika, ekonomia dhe shoqëria në përgjithësi. Në këtë kuptim, lufta është e vazhdueshme.

Për shkakun e këtij përfundimi, ka shumë kuptim që Sun Tzu i dha përparësi një strategjie maksimale, në të cilën një gjeneral është i matur në përdorimin e burimeve të tij. Në një konflikt të vazhdueshëm, minimizimi i humbjeve të dikujt, mund të bëjë të diferencën midis kapitullimit të hershëm dhe mbijetesës në “lojën e gjatë”.

Ndërkohë përkufizimi më i ngushtë i luftës nga Clausewitz, i dha atij mundësinë të bënte një dallim shumë të qartë midis gjendjeve të luftës dhe paqes. Sipas tij, konflikti ekziston vetëm kur ushtria është e angazhuar. Prandaj, fitimi i një lufte është mënyra më e shpejtë dhe më efektive për ta kthyer shoqërinë në një gjendje paqeje.

Dallimet midis koncepteve të Sun Tzu dhe Clausewitz mbi paqen dhe luftën, mund të jenë edhe pasqyrim i kohëve në të cilat ata jetuan. Sun Tzu shkroi gjatë Periudhës Kaotike të Shteteve ndërluftuese në Kinë, kur lufta e vazhdueshme dhe e përshkallëzuar mund të shkatërronte lehtësisht një shtet që nuk ishte i kujdesshëm në ruajtjen e burimeve.

Ndërkaq,Clausewitz shkroi gjatë shekullit XX-të, një periudhë transitore drejt luftës moderne me ndërprerje por në shkallë të gjerë, e zhvilluar midis kombeve të fuqishme dhe në një botë gjithnjë e më të globalizuar.

Ekonomia e forcës

Për Sun Tzu, forca duhet të përdoret me masë, dhe tek ajo duhet mbështetur vetëm pasi të jenë shterur të gjitha opsionet e tjera. Në vend se të mbështetet tek forca brutale, forca e ushtrisë duhet të plotësohet me shumëzues të forcës si terreni, surpriza dhe faktorë të tjerë që ofrojnë një avantazh krahasues.

Sipas strategut kinez, efektiviteti nuk është më i rëndësishëm se efikasiteti, sepse një shtet që fiton një luftë, por del i dobësuar në mënyrë të pariparueshme, nuk mund ta gëzojë fitoren e tij për një kohë të gjatë. Në këtë kuptim, teoria e Sun Tzu përqendrohet në shmangien e forcës së përdorur me nxitim.

Ai i inkurajon gjeneralët që të përdorin strategji dhe taktika, për të krijuar kushtet ideale për përdorimin efektiv të forcës. “Arti i luftës” flet gjerësisht për rëndësinë e dijes, mashtrimit.

Një komandanti ideal mbledh informacionet inteligjente mbi armikun e tij, dhe sulmon vetëm kur ka avantazhe dhe kur fitorja është e siguruar.

Ndërkohë,Clausewitz e konsideron forcën jo vetëm të nevojshme, por edhe si strategjinë më efektive. Sipas tij duhet të përdoret sa më shpejt që të jetë e mundur forca maksimale për t’i dhënë fund luftës në afatin më të shkurtër të mundshëm. Clausewitz është i orientuar drejt rezultateve.

Sipas tij efektiviteti është më i rëndësishëm sesa efikasiteti, dhe burimet e humbura në një betejë të madhe mund të rikuperohen nëse beteja sjell një fitore vendimtare që i jep fund luftës. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se Clausewitz ishte i verbër ndaj faktit se burimet njerëzore janë të vështira të zëvendësohen pasi i ke humbur.

Për të arritur fitoren në mënyrën më të mirë, duhet që forca të ushtrohet me guxim dhe strategji. Një komandanti ideal mund t’i balancojë që të dyja këto. Ai është i aftë dhe vendimtar, një gjeni strategjik dhe taktik, dhe ka një fuqi të madhe të mendjes, imagjinatës dhe forcës së vullnetit.

Cila është fitorja ideale

Për Sun Tzu, fitorja më e madhe është ajo e arritur pa luftë. Pra të arrish të bindësh ushtrinë armike të dorëzohet para se të fillojë beteja. Por që të ndodhë kjo, zbatimi i strategjisë së preferuar nga Sun Tzu përfshin mjete jo-ushtarake dhe ruajtjen e forcës ushtarake deri në momentin e duhur.

Ndërkaq fitorja ideale e Clausewitz është asgjësimi i plotë i ushtrisë së armikut në një betejë të madhe vendimtare. Mjeti kryesor për zbatimin e strategjisë së tij është ai i forcës. Në dispozicion janë edhe mjete të tjera, por ato nuk konsiderohen parësore.

Sidoqoftë, thjeshtësia në dukje e formulës së Clausewitz, nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e sofistikimit. Ai shkroi:“Në luftë çdo gjë është shumë e thjeshtë, por gjëja më e thjeshtë është në fakt më e vështira”.Sipas tij gjeneralët duhet të jenë në gjendje të kapërcejnë çdo lloj rrethanash dhe vështirësish të paparashikuara.

Marrë me shkurtime nga The Collector – Bota.al

Back to top button