Segio Gomez pret me frymën të mbajtur. Për gjashtë vite, arkeologu ka gërmuar tunelin 138 metra poshtë tempullit kryesor të qytetit parakolumbian të Teotihuacanit. Ai dhe ekipi i tij kanë zhvendosur 1000 tonë gurë dhe dhe, duke nxjerrë në dritë thesare të panumërt. Dhe tani, në fund të tunelit, Gomezi e ka të vështirë t’u besojë syve. Tre dhoma të mbyllura ndodhen para tij. A mund të jenë varret e mbretërve legjendarë të Teotihuacanit?
Me një sipërfaqe prej 36 km katrorë dhe një popullsi deri 200 mijë, qyteti tempull i Teotihuacanit ishte një prej metropoleve të parë të mëdhenj globalë. Qytetërimi mesoamerikan që e ndërtoi, lulëzoi në periudhën mes viteve 100 dhe 700. U krijua një hierarki e sofistikuar pushteti, që përpara se Majat dhe Aztekët të pushtonin Amerikat. Por 600 vjet më vonë, qytetërimi u zhduk – duke lënë pas shumë mistere, sidomos tunelin poshtë Tempullit të Gjarpërit me Pupla.
Arkeologët gjetën pothuaj 50 mijë dhurata aty. Gomezi beson se këto flijime ishin mënyra e sundimtarit për t’i kërkuar zotave që të shenjtëronin statusin e tyre si udhëheqës mbi tokë.
Në një prej tuneleve, arkeologët kanë gjetur sasi të mëdha mërkuri të lëngshëm – metali mund të ketë simbolizuar një lumë që të shpinte në botën e nëndheshme, gjë që mund të sugjerojë ekzistencën e një varri mbretëror. Nëse Gomezi ia del të gjejë një varr përpara përfundimit të gërmimeve, analiza e ADN së kockave mund të sqarojë një prej polemikave më të mëdha të vendgërmimeve: nëse këtë qytetërim misterioz e ka sunduar një dinasti e vetme, apo disa familje./bota.al