Nga Bernard Guetta
Katari sot, Arabia Saudite nesër. Presidenti francez Fransua Holond, do të vizitojë Katarin për të të marrë pjesë në nënshkrimin e një kontrate për shitjen e 24 avionëve luftarakë ‘Rafale’, për një vlerë totale prej 6 miliardë eurosh, ndërsa në Arabinë Saudite, shefi i Elizesë do të jetë i ftuar nderi në samitin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, organizata ekonomike dhe ushtarake, që mbledh së bashku monarkitë e naftës në Gadishullin Arabik.
Nëse kësaj i shtojmë faktin që në fundjavën që shkoi ministri francez i Mbrojtjes Zhan Iv Lë Drian, ishte në Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar mbi bashkëpunimin strategjik dhe mundësinë e shitjes së një tjetër skuadrilje avionësh, atëherë është e qartë se marrëdhëniet mes Francës dhe vendeve sunite në Lindjen e Mesme, nuk ka qenë kurrë më parë kaq të ngushta.
Ky riafrim po ndodh me vendet e Gjirit, por edhe në Egjipt (që shkurtin e shkuar bleu nga Parisi 24 Rafale) e më në përgjithësi me të gjitha vendet sunite, qeveritë e të cilave kanë zgjedhur t’i drejtohen Francës, qëkur besimi i tyre tek Shtetet e Bashkuara ka rënë në mënyrë të konsiderueshme.
Në fakt, sunitët janë të bindur se amerikanët po punojnë për një ndryshim aleancash në favor të Iranit (fuqinë e madhe shiite në rajon dhe armiku i tyre i përbashkët), siç tregohet edhe nga vendosmëria me të cilën Barak Obama dhe sekretari i tij i shtetit Xhon Kerri, kërkuan arritjen e një kompromisi me Teheranin mbi çështjen bërthamore, dhe refuzimin e amerikanëve për të ndëshkuar me një ndërhyrje ushtarake rregjimin sirian pas përdorimit masiv të armëve kimike, pikërisht për shkak se Bashar Al-Asad, është aleati kryesor rajonal i iranianëve.
Ashtu si Izraeli, edhe vendet sunite do të kishin parapëlqyer, që kompromisi mbi programin bërthamor (që gjithësesi mbetet ende për t’u përcaktuar) të ishte shumë më kufizues për Teheranin. Mbi të gjitha, sunitët kanë kritikuar gjithashtu zgjedhjen e Uashingtonit, për të refuzuar në minutën e fundit bombardimin e objekteve ushtarake të regjimit sirian, për ta detyruar Asadin të negociojë një tranzicion politik me opozitën, që përbëhet nga një shumicë sunite, si pjesa tjetër e popullsisë siriane.
Në sytë e shteteve sunite, e gjitha kjo tregon se Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme do të përqëndrohen tashmë tek Irani, duke rizgjedhur vendin që ka qenë aleati i tyre më i madh në ditët e Shahut, para se të shndërrohej në armikun e saj të betuar 35 vjet më parë.
Sot monarkitë e naftës dhe Egjipti, po shohin të materializohet anulimi i sanksioneve ekonomike që e patën mbytur ekonominë iraniane, si dhe pasurimin e vazhdueshëm të Teheranit, çka nga ana tjetër mund të forcojë aleancën me Irakun, Sirinë dhe Libanin dhe përcaktojë kësisoj veten si fuqia
kryesore e Lindjes së Mesme.
Një skenar i këtij lloji, do të ishte një makth për sunitët, të cilët rrjedhimisht kanë vendosur të mbështeten tek Franca, te e cila vlerësojnë qëndrimin e ashpër ndaj regjimit sirian dhe kundër gatishmërisë iraniane për shitjen e armëve, si edhe për shkak të peshës diplomatike në gjirin e Bashkimit Evropian.
Javën e ardhshme, Obama do të presë udhëheqësit e vendeve të Gjirit në Shtëpinë e Bardhë për t’i siguruar ata, por sunitët tanimë do të ketë një “as” francez nën mëngë për ta luajtur, gjatë një takimi në të cilin kanë vendosur një besim të madh./Internazionale / Bota.al