Bota

Super-raketa, avionë-gjuajtës, dhe tanku më i fuqishëm. Arsenali i carit është thesari i ri i Moskës

E dyta pas SHBA në eksportimin e materialeve luftarake, vetëm vitin e kaluar Rusia ka arkëtuar më shumë se 6 miliardë euro, në dritën e kërkesave që vazhdojnë të vijnë, parashikon rritje të mëtejshme që në muajt e ardhshëm. Një kurë e mirë ekonomike, për një vend që përgatitet të përballet me mbylljen e shumë kompanive, rritjen e papunësisë, ikjen e imigrantëve që kryenin punët më të rënda dhe më pak të paguara. Për të mos folur për imazhin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Mediat ruse raportojnë në mënyrë të hollësishme shqetësimet e Uashingtonit, duke u dhënë rusëve mesazhin që Putini e do më shumë: “Jemi rikthyer dhe po i shkaktojmë frikë botës”

Screen Shot 2016-04-24 at 09.36.51

Askush nuk e konfirmon lajmin për një test të ri shumë të sofistikuar me raketë, botuar dy ditë më parë nga “Izvestja”. Por sigurisht kjo gjë nuk ka zënë në befasi SHtëpinë e Bardhë, as edhe komandën e përgjithshme të NATO-s, prej kohësh në alarm për rritjen masive, të pandalshme të forcës ushtarake ruse. Duke filluar nga zhvendosjet misterioze të aparateve luftarake pranë qytetit sirian të Alepos, për të përfunduar me aktivitetin intensiv, të denjë për kohërat e Luftës së Ftohtë, në nëndetëset bërthamore të Moskës, nga Rrethi Polar, deri në Mesdhe. Në valën e sukseseve të fundit – ai i përsosuri nga pikëpamja logjistike, i pushtimit “të padukshëm” të Krimesë dhe tjetri, ushtarakisht shkatërrimtar i sulmeve ajrore mbi Siri – Putini vazhdon t’i dedikojë një pjesë të madhe të buxhetit shtetëror, një industrie luftarake gjithnjë e më në evolucion, për nga cilësia dhe investimet.

Forca e armëve ruse mbart ndërkohë një refleks të rëndësishëm politik. Javën e ardhshme, për të përmendur më domethënësin, pritet në Moskë Ministri i Mbrojtjes i qeverisë “rakitike” libiane të Tobrukut, gjenerali Kalifa Haftar. Do të vijë, thonë jo formalisht funksionarë që kërkojnë të mbeten anonimë, për të diskutuar në lidhje me zgjidhje të mundshme ushtarake për konfliktin me Shtetin Islamik në territorin e Libisë. E vështirë të kuptohet nëse vizita e gjeneralit do të kufizohet në një kërkesë këshillash, apo do të bëhet fjalë për një bashkëpunim konkret të kolegëve të tij rusë në konfliktin libian. Në çdo rast, Putini mund të jetë i kënaqur. Testi i zbuluar nga Isvestija kishte të bënte, për shembull, me një raketë që emrin e koduar e ka Yu-71, dhe që do të montohet shumë shpejt në një tjetër projekt super të fshehtë: raketën ndërkontinentale Sarmat, në gjendje të arrijë një shpejtësi prej më shumë se 11 mijë kilometra në orë, dhe në gjendje që t’i shpëtojë cilitdo sistem antiraketë. Një xhevahir i rrezikshëm që do i shtohet shumë shpejt koleksionit të teknologjisë luftarake ruse, të shpallur dhe të ekspozuar në kohët e fundit. Si për shembull raketat bregdetare Kalibr, të eksperimentuara mbi objektivat siriane me lëshime spektakolare të kryer prej Detit Kaspik. Apo si avionët gjuajtës “me shumë role” Sukhoj 35, që prej pilotëve, por dhe nga konkurrenca amerikane, konsiderohen më të manovrueshëm dhe vendimtarë në luftime, se sa homologët e tyre amerikanë. Dhe lista vazhdon me të tjera super-armë të shumëkërkuara edhe prej klientëve të etur për armë, si Kina, Isani, India: tanku “Armata”, i quajtur “tanku më i fuqishëm në botë”, apo sistemet anti-ajrorë super modernë S400. E gjithë kjo ka një të ardhur ekonomike të menjëhershme. Në një periudhë krize shkatërrimtare, e theksuar edhe më shumë prej rënies së çmimit të naftës dhe sanksioneve perëndimore, industria luftarake e BRSS mbetet një burim i sigurtë. E dyta pas SHBA në eksportimin e materialeve luftarake, vetëm vitin e kaluar Rusia ka arkëtuar më shumë se 6 miliardë euro, në dritën e kërkesave që vazhdojnë të vijnë, parashikon rritje të mëtejshme që në muajt e ardhshëm. Një kurë e mirë ekonomike, për një vend që përgatitet të përballet me mbylljen e shumë kompanive, rritjen e papunësisë, ikjen e imigrantëve që kryenin punët më të rënda dhe më pak të paguara. Për të mos folur për imazhin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Mediat ruse raportojnë në mënyrë të hollësishme shqetësimet e Uashingtonit, duke u dhënë rusëve mesazhin që Putini e do më shumë: “Jemi rikthyer dhe po i shkaktojmë frikë botës”.

Por ndoshta forca me të cilën krenohen dhe që vihet në skenë prej mediave nuk është kaq e madhe sa e bëjnë të duket. Një studim i OJF të pavarur “Instituti Strategjik Ndërkombëtar”, i drejtuar prej politologut Stanislav Belkovskij ka nxjerrë “lakuriq”, jo më larg se një javë më parë, gjendjen e vërtetë të armëve ruse. Dokumenti, i nxjerrë në blogje dhe i injoruar nga shtypi i madh, thotë se “forca e rigjetur ushtarake e Rusisë është vetëm një legjendë”. Dhe bën bashkë një seri vlerësimesh të ekspertëve, mbi mirëmbajtjen e skaduar të arsenalëve; apo “mospërgatitjen e kuadrove teknikë”.

Xhevahirët e luftës që shfaqen në publik janë praktikisht të shkëlqyer, por në një prodhim ende të kufizuar apo të destinuar kryesisht për eksport. “Forcat e armatosura ruse janë inferiore për nga sasia dhe efiçenca, me të paktën një të tretën, krahasuar me ato të ish BS në vitet tetëdhjetë”, thotë Belkovskij, i cili shpjegon edhe pse, sipas mendimit të tij, alarmi për riarmatimin e Rusisë është kaq i fortë në botë: “Arsyet e Putinit janë të qarta. Por edhe ushtarakët perëndimorë kanë interes që të zmadhojnë rrezikun rus. Për të mbetur protagonistë dhe mbi të gjitha për t’u kërkuar qeverive të tyre më shumë financime dhe privilegje”./La Repubblica – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button