Duhen guxuar veprime kundërrrymë, kundër renditjes mbizotëruese. Një prej rregullave të komunikimit është se nga intervistimi i një personi kalohet tek tjetri, pas pasur asnjë lloj afeksioni apo përfshirjeje. Nga ana tjetër, pasi njeriu ka thënë atë që ka për të thënë, boll. Nuk funksionon kështu letërsia, pasi shkrimtari, kur është i madh, është një botë dhe intervistat zakonisht nuk janë as “promovuese”, as “elektorale”, por substanciale. Prej kohësh, dialogu me Sylvia Iparraguirre, që është ndër shkrimtaret më të mëdha të sotme latinoamerikane, është një dialog i “pafundëm”. Sylvia nuk është vetëm një shkrimtare e madhe, është një femër që ka përshkuar periudhën më të ndritshme e më të errët të historisë argjentinase. Ka jetuar diktaturën ushtarake dhe ka qenë nxënëse e Jorge Luis Borges, ka shkruar kur të shkruarit në vetëvete, në vitet ’70, ishte një gjest rebel dhe ka njohur Cortázar (“e kam dashur shumë menjëherë”), ka shikim të rënda vitesh, të mbushur plot me të ardhme. Bujaria e saj, sa e pastër dhe çarmatoëse, nuk resht së më habituri në këtë kohë që edhe budallenjtë e besojnë veten se janë diva.
Cili ka qenë raporti juaj me shkrimtarët argjentinas, si për shembull me Borges dhe Cortázar?
Borxhi im me traditën letrare argjentinase do të mbushte një bibliotekë të tërë. Ka një linjë e cila nis në shekullin e XIX-të – e kaluara e të gjithëve ne – që përbën AND-në e të gjithë shkrimtarëve argjentinas. Në epokën bashkëkohore: avantgardistët e viteve ’20, kur nisin të shkruajnë mjeshtërat e mëdhenj si Borges, Roberto Arlt dhe Leopoldo Marechal. Më pas, në vitet ’40, kur nisin të botojnë Ernesto Sábato, Adolfo Bioy Casares, Silvina Ocampo dhe Cortázar. Kjo është yjësia më e ndritshme e shkrimtarëve të mëdhenj argjentinas. Trashëgimia e tyre merret nga gjenerata e viteve ‘60, që e transformon dhe e rinovon (Tizón, Castillo, Piglia, Fogëill, Heker, Di Benedetto, Briante). Për motive të ndryshme, të kësaj tradite Arlt dhe Borges kanë qenë mësuesit e mi dhe, me tregimet e tij, Cortázar.Si adoleshente, ajo që më goditi vërtet nga veprat e Borges dhe Cortázar, ashtu si edhe të Sábato, qe nxjerrja në plan të parë e një gjuhe: gjuhës letrare të argjentinasve. Qe një zbulim vendimtar. Një bashkëbisedim i lidhur me përditshmërinë që arrinte të trajtonte çështje që nuk kishin të bënin aspak pikërisht me të përditshmen. Dhe një humorizëm tipik argjentinas. Është e vështirë t’ia shpjegosh një europiani. Në Argjentinë kemi pasur dy kanune: spanjishten e Spanjës dhe spanishten tonë, rioplatensen. Përkthimet që lexonim si fëmijë apo si adoleshente vinin kryesisht nga Spanja: me tú dhe vosotros.Nga këtu sharmi në leximin tek autorë të tillë gjuhën time tamam, të “folmen” argjentinase. Më pas, në vitin 1968, një autor si Manuel Puig i bëri këto regjistra gjuhësorë, këto stile bashkëbisedimi, lëndë të romaneve të tij, vërtet unikë, si Tradhëtia e Rita Hayworth(La traición de Rita Hayworth) dheNjë shprehje, një rrjesht mezi (Boquitas pintadas). Shumë interesante, në historinë e letërsisë latinoamerikane, raporti i saj konfliktual me Real Academia Española. Është eksitues një prej artikujve që Borges ia kushton pikërisht temës së gjuhës të argjentinasve: Frikërat e doktor Américo Castro (Las alarmas del doctor Américo Castro). Por këtu do të duhej të shkruhej një artikull tjetër.
Përjashto letërsinë argjentinase dhe të gjitha degët e saj, në gjenealogjinë time letrare kanë luajtur një rol domethënës letërsia amerikanoveriore (Faulkner, Hemingway, Carson McCullers, Flannery O’Connor, Salinger, Capote, Thomas Wolfe) dhe ajo angleze, për të mos thënë irlandeze: Woolf, Joyce, motrat Brontë, Katherine Mansfield, Dylan Thomas, William Trevor, sa për të cituar disa. Letërsia japoneze është e pranishme mes nesh dhe në leximet e mia, si Mishima, Kenzaburo Oé, Akutagawa. Si rregull, kam një adhurim edhe për rusët, nga Pushkini tek Çehovi. Le të vijmë tani tek pjesa tjetër e pyetjes tuaj. Borges ka qenë pedagogu im i Letërsisë Angleze në Universidad de Buenos Aires. Kisha lexuar Ethe Buenos Airesi (Fervor de Buenos Aires) në shkollë; toni delikat, intim, i ngrohtë i të gjitha vargjeve të Borges bëri që, në moshën 15 vjeçare, ju afrova atij dhe veprës së tij me natyrshmëri absolute. Pas universitetit, në raste konferencash, takimesh, e takova shumë herë Borges në shtëpinë e tij në Rrugën Maipú. Në vitin 1983, unë, Borges dhe Abelardo ndamë një natë të paharrueshme. Si shkrimtare, shembulli i Borges ka qenë themelor: siç e thoshte shumë herë, vullneti i tij stilistik ishte që të lëvizte drejt thjeshtësisë. Të jetuarit e tij për letërsinë ishte një modus operandi; përkushtimi i tij në përdorimin e fjalëve, në shprehjet idiomatike, në humorizmin anakronik të shprehjeve të caktuara dhe semantika e spikatur e tij kanë qenë shembuj të përkushimit për artin e të shkruarit; konstatimi se letërsia ishte tema e pandashme – në pikën që cdo bashkëbisedues, sado absurde që të ishte pyetja, gjendej menjëherë i zhytur në universin e Borges – dhe afirmimi i përsëritur për t’u ndjerë, më parë se shkrimtar, lexues krenar e kanë forcuar në mënyrë të zjarrtë admirimin tim për veprën e tij. Si lexuese, Borges ishte mjeshtër i vërtetë, me arbitraritenin e tij të vërtetë dhe shpërfillës. I shtohen modestia autentike, shembullore, që e njoh prej përvojës së drejtpërdrejtë, një thjeshtësi thuajse e habitshme dhe të qenit totalisht i ndershëm kur argumenti ishte i tipit letrar. Posedonte një ironi dhe një sarkazëm vdekjeprurëse. Mendoj se Borges, ashtu si Almotásim, në mos shenjtëri, rrezatonte letërsi dhe që ne, shkrimtarët argjentinas, në një mënyrë apo në një tjetër kemi dëshiruar të gjithë që t’i afrohemi në këtë pikë, atij vezullimi.
Gjithmonë në ato vite, kur isha midis 15 dhe 16 vjeçëve, lexova për herë të parë Cortázar,Udhëtimi premio(Los premios). Më pas lexova Loja e botës (Rayuela), një revolucion për lexuesin argjentinas, por ka qenë libri i parë ai që më ka shënuar më shumë, si edhe tregimet e tij fantastike. Cortázar e ka paraqitur tregimin fantastik (një traditë argjentinase) në terma të pazakontë: një e çarë në mes të ditës. Ajo që është e pazakontë, tmerruese, në mes të asaj më të padëmshme dhe të përditshme: përmbysja e kanavacës. Cortázar ishte një njeri magjepsës, jashtëzakonisht i sjellshëm, që fliste me zë si të mbytur, në një raport çuditërisht të përmbysur me gjatësinë e tij prej pothuajse 2 metrash. Ishte i mbështjellë nga një aureolë e caktuar prej të pambrojturi, gjë që përtej adhurimit që ngjallte bënte që ta doje menjëherë. Unë e kam dashur shumë menjëherë. Më pas, në periudhën e diktaturës, El Ornitorrincoushqeu një polemikë me Cortázar lidhur me mërgimin, pork jo nuk e modifikoi as dashurinë, as admirimin tonë për të si shkrimtar.
Me sa mbaj mend unë, nga vitet ’60 në Argjentinë asnjë shkrimtar tjetër nuk ka kaluar nga lavdia tek turpi aq shpejt sa Cortázar:nga ana e së djathtës, prej përfshirjes së tij etike dhe emotive me Kubën dhe Nikaraguan; nga ana e së majtës, prej largësisë së tij nga Argjentina dhe sipërfaqësia e Libro de Manuel. Ju desh të zhytej edhe në një keqkuptim: atë të një avangarde të caktuar sipërfaqësore të viteve ’60, që e magjepsur nga lojërat e fjalëve dhe pafytyrësinë tipike të tij, ia përsëriste ad nauseamdhe që qenë për të një lloj fidanishte të djallit. Gjithësesi, nëse ndodhi një gjë e tillë qe sepse vepra e Cortázar, ndoshta si ajo e asnjë shkrimtari tjetër argjentinas më parë ose më pas, gjeneroi një lexues, që nga ana e tij gjeneroi një tryezë diskutimi ku u përzien politika e letërsia dhe ku u gjykuan në të nxehtë veprat e përfshirja politike e tij. Me t’u qetësuar këto ujëra të turbullta, që duhet ta përmend absolutisht kur e kujtoj, Cortázar vazhdon që të jetë ai që është: një shkrimtar i pafundëm, një mësues për shkrimtarët dhe një transformues i trashëgimisë së tyre letrare argjentinase, nga mësuesit e së cilës u dallua.
Kërkimi juaj letrar është zhvilluar në vetmi?
Për nga natyra, puna e shkrimtarit është vetmitare. Kam pasur fatin që ta ndaj jetën me një shkrimtar tjetër, gjë që e ka vënë letërsinë në qendër të bisedave dhe të diskutimeve tona të çdo lloji: lidhur me stilet, preferencat, autorët dhe veprat. Siç e kam thënë më parë, ia lexonim njëri tjetrit tekstet, dorëshkrimet me dashuri, por ama pa indulgjencë.
Çfarë roli ka sot shkrimtari në shoqërinë argjentinase? Trajtohet me indiferencë, me respekt, ka ndonjë rol “publik”?
Asnjë rol ose, gjithësesi, një rol të kufizuar, gjithnjë e më shumë të kufizuar. Vendi i tij është zënë nga personazhet televizive, nga modelet apo nga sportistët. Mjafton të shikohet nga shpejtësia me të cilën riprodhohet realiteti në të ashtuquajturat “media” për të kuptuar se shkrimtari jo vetëm që nuk përbën lajm, por se nuk ka as një vend në to. Një libër i mirë, ashtu si një libër i madh, duket se në këtë kontekst bien si një pikë uji në shkretëtirë. Vendi i shkrimtarit sot është ai që i caktojnë suplementet letrare, revistat dhe tryezat e rrumbullakta. Shkrimtari nuk e ka një rol publik dhe me peshë të madhe siç e ka pasur në gjeneratën e viteve Gjashtëdhjetë, ku (të paktën disa shkrimtarë) përfaqësonte një rezervë etike. Tani ka pushuar së interesuari si personazh, si dikush që ka diçka për të thënë. Prania e shkrimtarit zgjat në mënyrë anësore, në mënyrë më pak të dukshme, nëpërmjet intervistave dhe artikujve të gazetave. Ka programe të shkëlqyera televizive ku shkrimtari apo shkrimtarja mund t’ia thonë botës atë që mendojnë dhe të arësyetojnë mbi çështje të caktuara të estetikës letrare që nuk zbresin në veprën e tyre. Megjithatë, mendoj se sot është e shëndetshme për shkrimtarin kjo gjendje kaotike. Në shtëpi, në kafene, në mbledhje midis shkrimtarësh miq, letërsia dhe poezia ndjekin rrugën e tyre.
(nga Pangea)
Përgatiti: ARMIN TIRANA / bota.al