Analiza

A do ta ndihmojë Angelën fitorja e Kupës?

Chancellor Angela Merkel with the Germany teamStephen Evans

BBC News

A do ta ndihmojë Angela Merkelin fitorja e Gjermanisë në Kupën e Botës? Ajo është akuzuar se e ka lidhur paturpësisht veten me futbollistët dhe suksesin e tyre, dhe sondazhet kanë treguar tendenca në rritje të mbështetjes për të, ndërkohë që skuadra përparonte në Botëror. Por a do të zgjasë? Nuk ka dyshim se Kupa e Botës ka qenë një ngjarje në favor të saj. Ajo ishte e pranishme kur Gjermania mundi 4-0 Portugalinë në ndeshjen e parë të saj në Botëror dhe ajo ishte aty në ndeshjen e triumfit final, kur futbollistët gjermanë ngritën Kupën. Merkeli është përshkruar si hajmalia fatsjellëse e skuadrës. Ajo vetë dhe mbështetësit e saj ndonjëherë thonë: “Njeriu ynë i dymbëdhjetë është një grua”. Por përfitimet politikë të sukseseve sportivë nuk janë ta qartë – ose më mirë, ata janë kompleksë dhe kujtesa luan rrengje.

Për shembull, është një prej legjendave të mëdha të politikës britanike, se fitorja e Anglisë në Kupën e Botës 1966 i mbajti laburistët në qeveri. Historia është pak a shumë kështu: Laburistët dhe Konservatorët kishin një rezultat shumë të ngushtë në sondazhe dhe më pas, Geoff Hurst shënoi një tregolësh. Tifozët, të njohur gjithashtu si votues, e shpërblyen si duhej Harold Wilsonin në kutitë e votimit dhe e mbajtën në detyrë.

Por ka një problem në këtë ekzagjerim të përmendur kaq shpesh: zgjedhjet ndodhën përpara finales së Kupës së Botës. Laburistët mposhtën Konservatorët në 31 mars dhe Anglia e mundi Gjermaninë Perëndimore në 30 korrik. Faktori i “të ndjerit mirë” nga fitorja në fushë nuk mund të jetë përkthyer në sukses politik.

Por mund të ketë qenë e vërtetë katër vjet më vonë. Në vitin 1970 në Meksikë, Anglia u eleminua nga kompeticioni shumë më herët nga sa pritej. Ishte mënyra e humbjes që nuk kapërdihej: Anglia po fitonte 2-0 kundër Gjermanisë Perëndimore në çerekfinale kur duheshin edhe 22 minuta që të përfundonte ndeshja, dhe traineri anglez, me një vetëbesim të tepruar ndërroi lojtarë për t’i ruajtur për gjysmëfinalen që në ato momente i dukej e sigurtë. Por Gjermania Perëndimore shënoi tre gola (dy gjatë 90 minutëshit dhe një në kohën shtesë). Më pak se një javë më vonë, Laburistët dhe Wilsoni u “dëbuan” nga detyra.

Wilsoni tha se sporti nuk ishte faktor, por një seri kujtimesh të anëtarëve të kabinetit të asaj kohe zbuluan se ai kish qenë i shqetësuar se si Kupa e Botës do të ndikonte në shanset e tij për t’u larguar nga detyra. Por këto janë të gjitha hamendje. Në fakt i është dhënë shumë rëndësi lidhjes mes politikës dhe sportit, por nuk ka prova shumë të forta.

Një studim akademik serioz ka treguar se çfarëdolloj përfitimi që mund të ketë një komb dhe politikanët e tij nga suksesi në sport, ai është gjithësesi shumë i vogël.

Georgios Kavetsos, i London School of Economics dhe Stefan Szymanski, aktualisht në Universitetin e Michiganit, kanë këqyrur shifrat. Ata kanë përdorur matësit e lumturisë për 12 shtete europianë nga 1974 deri në 2004, për të parë nëse kishte korrelacion me suksesin e vendeve të tyre. Nuk kishin. Por ata kanë gjetur një korrelacion mes matësve të lumturisë dhe ngjarjeve sportive.

Fituesi i vërtetë? Brazili

Akademikët kanë shqyrtuar tetë kompeticione të ndryshëm: Kupa e Botës në Francë 1998 dhe Itali 1990, Kampionati Europian në Itali 1980, Francë 1984, Gjermaninë Perëndimore 1988, Angli 1996 dhe Belgjikë-Hollandë 2000. Zbuluan që treguesit e lumturisë u rritën në të gjithë përveç njërit prej këtyre vendeve.

Përjashtimi ishte Anglia, por matja nuk ishte tamam e krahasueshme – lumturia u mat për Mbretërinë e Bashkuar dhe jo vetëm për Anglinë, dhe e çuditshme ta thuash, por lumturia e skocezëve, uellsianëve dhe irlandezo-veriorëve mund të mos shkojë në një drejtim me atë të anglezëve.

Ky studim mund të na thotë se nuk ka gjasa që Angela Merkeli të ketë ndonjë përfitim të madh politik nga fitorja e Gjermanisë në fushë. Ajo tashmë ka një mbështetje të madhe në sondazhe dhe një fotografi e saj me njerëz të tjerë të suksesshëm mundet që ta përforcojë imazhin. Mendoni pak se si do të përshëndetej një politikan jopopullor, nëse ky do të përpiqej të përfitonte nga suksesi i një skuadre.

Por studimet tregojnë gjithashtu se vendi organizator i një aktiviteti të madh sportiv bëhet edhe më i lumtur, sido që të ketë qenë performanca në fushë e skuadrës së tij. Kavetsos dhe Szymanski thonë: “Ne kemi gjetur që faktori i të ndjerit mirë, i cili lidhet me organizimin e një ngjarje të madhe sportive është i madh dhe domethënës, por impakti i suksesit atletik të ekipit kombëtar është i papërfillshëm”.

Në këtë rast, fituesi i madh në këtë Kupë Bote do të ishte Brazili. Eshtë paradoks ta thuash, po të kesh parasysh dy humbjet e njëpasnjëshme që pësoi kombëtarja braziliane. Pavarësisht kësaj, eksperienca e jashtëzakonshme e të qënurit së bëashku dhe arritjet në organizimin e aktivitetit mund të sjellin rritje të lumturisë. Të paktën kështu thotë studimi.

Atëherë, të bëjnë një hap përpara fituesit e vërtetë. Domethënë Brazili.

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button