“Zbulimi më befasues që kam bërë gjatë kërkimeve për librin tim? Një eksperiment i Universitetit të Psikologjisë në Virginia, mbi vëmendjen: një person, i ekspozuar për pesëmbëdhjetë minuta pa asnjë stimul, arriti të kërkonte njëqind goditje të vogla, por të dhimbshme, elektrike».
Për Chris Hayes, autor i librit Siren’s Call, vëmendja jonë është bërë burimi më i rrezikuar në botë (“The Sirens’ Call: How Attention Became the World’s Most Endangered Resource”, botuar në shkurt 2025).
Hayes, autor bestseller në New York Times dhe gazetar i njohur amerikan në televizion, thekson se problemi nuk është më thjesht çështje personale, apo psikologjike. Është ekonomik dhe politik, bashkë. Konfirmimi më i madh ndodhet tani te Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe aleati i tij Elon Musk.
Sigurisht, ekonomia e vëmendjes është një temë e njohur në literaturë. E konceptuar që në vitin 1969 nga fituesi i Çmimit Nobel për Ekonomi, Herbert Simon: në një botë të mbushur me informacione, vëmendja njerëzore bëhet një burim i rrallë dhe i çmuar. Më pas, në vitet ’90, shkencëtari Michael H. Goldhaber e zgjeroi punën e Simon duke e aplikuar konceptin në kontekstin atëherë ende në zhvillim, të botës dixhitale.
Goldhaber kishte kuptuar tashmë se vëmendja njerëzore ishte bërë një burim qendror në ekonominë e internetit. Disa dekada para se Google (ndër të tjera) të shfrytëzonte këtë burim për t’u kthyer në një fuqi prej dy mijë miliardë dollarësh. Pra, pak a shumë sa PBB-ja e Rusisë.
Por Hayes vëren se në ekonominë dhe politikën aktuale botërore, sidomos atë amerikane, po arrihet kulmi negativ i fenomenit.
«Ekonomia dixhitale bazohet gjithnjë e më shumë mbi vëmendjen tonë. Dhe jo më vetëm te rrjetet sociale apo reklamat online. Merr shembull kriptovalutat, si bitcoin: ashtu si rrjetet sociale janë mjete të menduara për të monetizuar vëmendjen tonë, në një mënyrë spekulative».
Hayes, si edhe autorë të tjerë, i krahason shumë nga shërbimet dixhitale me automatët e lojërave që shpikin gjithnjë mënyra të reja për të manipuluar vëmendjen tonë dhe për të na mbajtur të angazhuar; për të na marrë kohën dhe, ndonjëherë, edhe paratë.
«Ka prova të shumta, raporte të dala nga brenda vetë kompanive të rrjeteve sociale, sipas të cilave ka nga ana e tyre një kërkim të vazhdueshëm për teknika manipuluese, të futura në vetë projektimin dhe dizajnin e këtyre shërbimeve. Mendo për njoftimet që vazhdojnë të na dërgojnë për të na rikthyer brenda shërbimit», shton Hayes.
BE i quan këto teknika dark patterns, i ndalon në normat e saj të fundit (Akti për Shërbimet Dixhitale), që megjithatë janë të vështira për t’u zbatuar; sidomos tani që gjigantët e teknologjisë kanë gjetur përkrahje te Trumpi, për të mos respektuar rregullat e BE-së.
Shërbimet dixhitale e kanë përkeqësuar humbjen tonë të vëmendjes, një fenomen i studiuar nga shumë autorë. Ndër më të njohurat është Gloria Mark, psikologe dhe profesoreshë e Informatikës në Universitetin e Kalifornisë, Irvine. Në një studim të madh të publikuar në vitin 2023, Mark ka dokumentuar se koha mesatare që njerëzit kalojnë para një ekrani, nga një aktivitet po aty në tjetrin, ka rënë nga rreth dy minuta e gjysmë në vitet 2000, në vetëm 47 sekonda sot. Ja pse disa, pas pak minutash pa stimuj, arrijnë të preferojnë goditjet elektrike.
Hayes gjen tashmë lidhje të forta mes këtij fenomeni dhe politikës. Vëren se Musk është në kërkim të vazhdueshëm për teknika që të monetizojnë vëmendjen e masave dhe për këtë arsye shpenzoi 44 miliardë dollarë për të blerë Twitter-in (të cilin më pas e ktheu në X). Strategjia e tij është në përputhje me atë të Trumpit, dhe nuk është rastësi që janë aleatë të ngushtë, me miliarderin që ka marrë nga Presidenti i SHBA-së një detyrë institucionale për të gjetur mënyra për të ulur shpenzimet publike, dhe i dokumenton këto veprime në X, shpesh duke i zmadhuar ose duke shtrembëruar efektshmërinë e tyre.
«Një krijues i vazhdueshëm i lajmeve të rreme. Ashtu si Trumpi, sipas të cilit për shembull SHBA kanë shpenzuar 300 miliardë për Ukrainën, trefishi i Evropës; kur në fakt është gjysma dhe është më pak se sa ka bërë Evropa», thotë Hayes. Trumpi e di që përgënjeshtrimet ndaj lajmeve të tij të rreme nuk do të kenë efekt. Ai shfrytëzon mungesën tonë të vëmendjes, pra ndotjen totale të sistemit tonë informativ (përveç polarizimit të fortë politik të shoqërisë)”.
Por tani, për Hayes, është edhe më keq, po arrihen kulme: «Trump ka lançuar madje edhe një kriptovalutë të tijën, të blerë nga fansat e tij, duke shfrytëzuar fenomenin për arsye personale ekonomike». Një përmbledhje e mënyrës sesi kapitalizmi i vëmendjes bashkon, në të njëjtat dinamika, ekonominë digjitale dhe politikën.
Hayes propozon disa zgjidhje. «Në nivel personal, çdo ditë përpiqem të stërvis vëmendjen time, duke shmangur shpërqendrimet për një periudhë kohe. Në nivel sistemik, nga ana tjetër, duhen rregulla që për shembull kufizojnë aftësinë e rrjeteve sociale për të devijuar vëmendjen tonë për shumë kohë».
Hayes shkon deri në propozimin e një lloj takse, si ajo që aplikohet për ndërmarrjet mbi ndotjen. «Edhe monetizimi i vëmendjes sonë është një eksternalitet negativ; një dëm për të gjithë në favor të pak njerëzve», thotë. Ide kundër rrymës, në epokën e Trumpit. «Është e vërtetë, por gjërat mund të ndryshojnë shpejt. Jam optimist – thotë. Në fund të fundit, çfarë alternative kemi? Motoja ime është ajo e Antonio Gramsci-t: pesimizëm i inteligjencës, optimizëm i vullnetit». / Bota.al