Thenie

“Të dashurat e mia, mos u zini asnjëherë për një mashkull”. Ja çfarë u këshillon femrave Marilyn Monroe

Marilyn Monroe ka qenë një nga yjet e kinematografisë dhe vazhdon të konsiderohet si një nga femrat më të bukura që kanë jetuar ndonjëherë. Pavarësisht se jeta e saj ka qenë plot me vështirësi, aq sa i dha fund jetës duke pirë me tepricë barna për gjumë në moshën 36 vjeçare, sërish ajo ka lënë një sërë mesazhesh për femrat e tjera. Duke marrë parasysh pikërisht eksperiencat e saj të jetës, pesha e këtyre fjalëve bëhet akoma më e rëndë.

Ja çfarë u këshillonte ajo femrave në lidhje me meshkujt: “Të dashurat e mia, mos u zini asnjëherë për një mashkull. Zihuni për një vend pune, për t’u dhënë vlerë të drejtave tuaja, për vendin e parkimit, për patatinat më të mira. Por mos u zini asnjëherë për një mashkull. Asnjëherë”.

Çfarë vlere kanë këto fjalë në realitetin e sotëm? Kujtojmë se ka kaluar gati një shekull nga lindja e Marilyn Monroe dhe gati gjashtë dekata nga vdekja e saj, por sërish këshilla e saj mbetet e vlefshme. Në ngjarjet e përditshme ne dëgjojmë për femra që zihen për meshkuj. Nuk po flasim vetëm për debatet, por për zënka të vërteta që përfundojnë në dhunë fizike. Duket kaq gjë e ulët për një femër, saqë me siguri ju ka bërë përshtypje. Akoma më shumë të bën përshtypje që meshkujt bëjnë rolin e spektatorit duke i nxehur më tepër gjakrat.

Ne jetojmë vërtet në një shoqëri të dhunshme, ama është e pafalshme që një femër të ulë veten në këto nivele. Femrat duhet të kërkohen nga meshkujt, jo të zihen për meshkujt. Femrat karakterizohen nga natyra e qetë, nga mirëkuptimi dhe dashuria, jo nga dhuna e egërsia. Sigurisht duhet të luftojnë për gjërat që u duken të drejta, por kurrë për një mashkull. Nëse një mashkull e vendos një femër në një situatë të tillë, kjo gjë tregon se ai nuk e meriton atë. Duhet të jetë femra ajo që të largohet, jo të zihet me të tjerat për t’i dhënë rëndësi, pasi kështu i ul edhe vlerat e vetes në sytë e mashkullit që pretendon ta mbajë me dhunë, por edhe të meshkujve të tjerë.

Femra, kuptojini vlerat tuaja dhe mos i shumëzoni ato me zero, sado dashuri të ndjeni për një mashkull. Kur ata ju zëvendësojnë, apo i kushtojnë rëndësi një femre tjetër, largohuni. Nuk ia vlejnë. Ata nuk ju meritojnë dhe ju meritoni shumë më shumë. Jepini vetes rëndësinë dhe vlerën e duhur!

Back to top button