“Nëse hunda e Kleopatrës do të kishte qenë më e shkurtër, e gjithë faqja e Tokës do të kishte ndryshuar”, shkruante Pascal, duke iu referuar faktit se një detaj në dukje i parëndësishëm mund të vendosë fatin e botës. Në bustin prej mermeri të ruajtur në Muzetë e Vatikanit, hunda mungon, është thyer, duke lënë hapësirë për imagjinatën. Por monedhat e kohës paraqesin profilin e saktë të mbretëreshës së fundit të Egjiptit.
A ishte bukuria e saj ajo që magjepsi Antonin dhe e çoi drejt shkatërrimit në betejën e Anzios, duke hapur kështu rrugën për mbretërimin e Augustit? Apo ndoshta Historia ndjek një trajektore të pandalshme, të pavarur nga tekat e rastësisë?
Kështu sugjeron, në fakt, teoria e “kurthit të Tukididit”, sipas së cilës një fuqi dominuese përdor forcën për të frenuar një fuqi në ngjitje, deri në mundësinë ekstreme të luftës, siç ndodhi dikur mes Spartës dhe Athinës dhe siç ndodh sot mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Ky dyshim, që ka ndezur debatet e brezave të tërë historianësh, shfaqet sërish sot përballë një figure kontroverse si Donald Trump, cullufja “e rebeluar” e të cilit është kthyer në simbolin e një personaliteti narcisist, të aftë për të tronditur ekuilibrat botërorë. A mund të shpjegojmë vërtet rrjedhën e Historisë me një dashuri të zjarrtë orientale apo me një tufë flokësh të kursyer nga gërshërët e berberit?
Apo ndoshta shfaqja e Trump-it nuk është një ngjarje e rastësishme, por rezultati i domosdoshëm i forcave ekonomike dhe gjeopolitike që përplasen në kohën tonë? Në këtë kontekst mjafton të kujtojmë se tridhjetë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara realizonin 20,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të botës (me barazi fuqie blerëse) dhe Kina vetëm 4,9 për qind, ndërsa në vitin 2024 Kina ka arritur në 19,5 për qind dhe SHBA kanë rënë në 14,9 për qind. Eksporti kinez është rritur në këto tridhjetë vjet nga 2,8 në 14,6 për qind të totalit botëror, ndërsa ai amerikan ka rënë nga 11,8 në 8,5 për qind.
Përballen kështu dy koncepte të ndryshme të Historisë. Sipas një lloj determinizmi historik, lideri amerikan nuk është tjetër veçse një gur loje brenda një tabloje që e tejkalon atë. Humbja e primatit ekonomik dhe teknologjik nga Uashingtoni, dhe pasojat e ndjenjave të mërzisë sociale, kanë bërë të pashmangshme ngjitjen e këtij manjati, i cili është zhveshur kështu nga çdo përgjegjësi personale direkte. Ka pararendës të rëndësishëm të kësaj ideje: Hegeli besonte se “dinakëria e arsyes” ishte vënë në shërbim të ambicies së Napoleonit, për të realizuar qëllimin e vet: fundin e ancien régime dhe përhapjen në Evropë të të drejtës borgjeze.
Shkolla e dytë e mendimit vendos përpara vullnetin e lirë dhe refuzon idenë e pashmangshmërisë së historisë. Trocki shkruante, në kujtimet e tij, se kishte marrë një ftohje të keqe në vjeshtën e vitit 1923, gjatë një gjuetie për rosat e egra. Ajo sëmundje sezonale e mbajti përkohësisht larg grindjeve politike në një moment vendimtar të përplasjes me Stalinin: një detaj në dukje i parëndësishëm që, për shkak të vdekjes së papritur të Leninit, e privoi atë nga drejtimi i Bashkimit Sovjetik. Mund të themi pra se, po të mos kishte ndodhur kriza ekonomike dhe kriza politike e Republikës së Vajmarit, e prekur nga inflacioni galopant, papunësia e lartë, dhuna nëpër qytete, në një Gjermani të rrënuar nga ndjenja e fajit moral pas katastrofës së Luftës së Parë Botërore, presidenti Hindenburg, plak dhe i sëmurë, mund të kishte vepruar ndryshe në janarin e vitit 1933, duke mos emëruar kancelar të Rajhut një njeri që, me obsesionet e tij maniakale, do ta tërhiqte botën drejt humnerës.
Në mënyrë të ngjashme, rënia e besimit në perspektivat amerikane nuk mjafton për të shpjeguar gjithçka: zgjedhjet e Trump-it – tarifat dhe qëndrimet e paqarta ndaj krizave si ajo në Ukrainë apo Palestina – kanë rëndësi, dhe me to vjen edhe përgjegjësia morale.
Të dyja qasjet ndaj historisë kanë kufizimet e tyre. Determinizmi mund të çojë në një fatalizëm: sikur historia të ishte një skenar i shkruar më parë, nuk mund të gjykojmë veprimet e Genghis Khanit apo Atilës? Nga ana tjetër, të konceptosh historinë si një zinxhir ngjarjesh të rastësishme çon në cinizëm: ndjejmë se jemi në mëshirë të rastit, si të varej e ardhmja nga një hundë e theksuar apo një cullufe flokësh të shprishur.
Filozofët Karl Popper, kritik i ashpër i “mjerimit të historizmit,” dhe Isaiah Berlin, që tallej me ‘pashmangshmërinë historike’, na kanë paralajmëruar për rrezikun e tezave që zhdukin përgjegjësinë individuale. Historiani i madh britanik Edward H. Carr, duke polemizuar me të dy, kërkoi një rrugë të mesme, duke pohuar se Historia varet nga proceset e mëdha strukturore, jo nga ‘njeriu i madh’ i çastit – megjithëse edhe ai pranon rolin e ngjarjeve rastësore: detyra është të identifikojmë shkaqet themelore që lëvizin ingranazhet.
Ndoshta mënyra se si e shohim Historinë ndryshon sipas klimës së kohës që jetojmë. Historianët e antikitetit si Herodoti dhe Polibi thjesht rrëfenin kronikat (res gestae) për të nxjerrë mësime nga pasionet njerëzore (lakmia, zemërimi, heroizmi), të dobishme për të lexuar të tashmen, pa kërkuar një kuptim përfundimtar të historisë.
Vetëm me iluministët e shekullit XVIII lindi historiografia moderne (historia rerum gestarum) dhe një filozofi e historisë. Volteri, Montesquieu dhe Condorcet, të dehur nga liria pas dy shekujve tirani, kishin një besim të palëkundur në përparimin e njerëzimit të udhëhequr nga arsyeja, dhe shihnin në të kaluarën rrugën e bërë drejt çlirimit nga skllavëria. Për Hegelin, historia ishte përparimi i vetëdijes mbi lirinë, që arrin kulmin në Shtetin modern. Sipas vizionit eskatologjik të Marksit, fundi i Historisë është ardhja shpëtuese e një shoqërie pa klasa. Edhe historianët viktorianë të shekullit XIX, në kulmin e lavdisë së Perandorisë Britanike, shihnin në histori një vizion teleologjik. Por sot vështrimi ynë është krejtësisht i ndryshëm.
Nuk jemi më në kulmin e lavdisë, jetojmë në një Perëndim të përçarë dhe në krizë identiteti, që e ndien rënien e tij. Si pasojë, edhe sistemi ynë i vlerave po ndryshon. Na vjen gjithnjë e më vështirë të gjejmë fillin që të na udhëheqë në histori, një horizont që të na orientojë hapat. Prandaj edhe një tufë flokësh e shprishur nuk është më një detaj grotesk, por një simbol ringritjeje që një pjesë e Amerikës ka nisur ta vlerësojë.
Jo sepse berberi nuk arriti ta presë, por sepse vlerat e shoqërisë liberale – multikulturalizmi, multilateralizmi, madje edhe tregu i lirë dhe vetë demokracia – janë konsumuar në fushën e zhgënjimit. Prandaj jemi më të prirur të besojmë se Historia nuk udhëhiqet më nga ligjet e progresit, por bindemi se ajo është një fushë betejash të përjetshme.
Nëse historia vendoset nga një hedhje zari, atëherë jo vetëm hunda e Kleopatrës, por edhe tufëza e cullufja Trump-it mund të ndryshojë fatin e botës.