EkonomiSpeciale

“Të gjithë ishin të lumtur!” Të vërtetat që ndoshta nuk i dinim, për krizën financiare që po vazhdojmë ta vuajmë

Kriza financiare e vitit 2008 shkaktoi rënien më të madhe ekonomike, që nga Depresioni i Madh. Po përse ndodhi dhe kush duhet fajësuar…

Screen Shot 2016-09-01 at 09.24.50

Kriza financiare e vitit 2008 ishte një fatkeqësi për të gjithë të prekurit, duke shkaktuar një rritje domethënëse të papunësisë jo vetëm në Amerikë, por edhe në të gjithë botën.

Por rrënjët e krizës së bankave të vitit 2008 mund t’i gjurmojmë prapa në kohë, që në Depresionin e Madh të 1929-ës.

Në vitin 1933, Franklin Delano Roosevelt donte që të parandalonte një përsëritje të Depresionit të Madh, i cili shkaktoi humbje masive të shtëpive dhe një papunësi në nivelet e 22%.

Kështu që ai firmosi Ligjin Glass-Steagall. Në praktikë, ky ligj ndau bankat tregtare, nga bankat e mëdha të investimeve, si Goldman Sachs apo Lehman Brothers.

Por në vitin 1999 ky Ligj u shfuqizua. Sistemi i kontrollit dhe ekuilibrave që frenonte bankat e investimeve të ndiqnin oportunitete me risk edhe më të lartë ishte eleminuar.

Ekonomisti fitues i Cmimit Nobel, Joseph Stiglitz dhe Senatorja Elizabeth Uarren fajësojnë këtë de-rregullim për krizën e 2008-ës.

Nga ana tjetër, edhe Presidenti Obama thotë se shfuqizimi i Ligjit Glass-Steagall nuk e shkaktoi recesionin. Atëherë, cfarë ndodhi në të vërtetë?

Në vitin 2001, Amerika hyri në një recesion të lehtë. Më pas ndodhën sulmet e 11 shtatorit, të cilët e dëmtuan rëndë bursën e Amerikës. Kështu që kreu i bankës qendrore të SHBA, Fed, Alan Greenspan i reduktoi normat e interesit nga 6.5% në 1%, në një përpjekje për të rritur besimin e tregjeve.

Kjo nënkuptonte që mënyra tradicionale e investimeve, pra blerje e bonove të thesarit amerikan, ishte më pak fitimprurëse. Ndërkohë, normat më të ulëta të interesit i bënë huatë më pak të kushtueshme se kurrë më parë. Bankat e investimeve panë një shans për të fituar miliarda dollarë duke përdorur huatë e lira, për të investuar në pasuri të paluajtshme në SHBA, të cilat vit pas viti ishin rritur 10% sa i përket cmimit.

Skema funksiononte kështu:

Pronarët e shtëpive kishin nevojë për hipoteka për të mbuluar cmimin e lartë të shtëpive. Kështu që ata siguronin një të tillë prej ndërmjetësve (broker) të hipotekimeve. Ky ndërmjetës shkonte tek një huadhënës lokal hipoteke, për hipotekën plus një komision. Më pas pronarët do të merrnin hipotekën, blinin shtëpinë, dhe do të shlyenin huanë tek huadhënësi i hipotekës. Të gjithë fitonin.

Më pas, një bankë investimesh e blinte hipotekën tek huadhënësi dhe e kombinonte me dhjetëra mijëra hipoteka të tjera. Tani, pronarët e shtëpive e paguanin hipotekën drejt e tek banka.

Bankat i vendosnin hipotekat që kishin blerë në tre klasifikime, bazuar në gjasat që personi i cili po shlyente kredinë, kishte për të humbur aftësinë paguese. Ishin Të Sigurtët, ose huatë AAA; ishin ata “Në rregull” ose BBB; dhe Me Risk, ose të paklasifikuar.

Këta klasifikime “paketoheshin” më pas në ata që quhen detyrimet e kolateralizuara të borxhit, ose CDO-të. Investitorët mund të blinin aksione në këto CDO.

Gjatë gjithë kohës këto ishin kryesisht të sigurta, duke qenë se huadhënësit e hipotekave preferonin t’u shisnin pronarëve të shtëpive me të ardhura të qëndrueshme. Kështu që investitorët, ndërkohë që CDO-të ishin të sigurta, po fitonin shumë para. Të gjithë ishin të lumtur.

Problemi erdhi kur investitorët dhe bankat donin gjithmonë e më shumë nga këto CDO-të. Ata kërkonin më shumë nga sa ishte oferta normale.

Si reagim ndaj kërkese të investitorëve, huadhënësit e hipotekave reduktuan kërkesat që duheshin plotësuar për të marrë një hipotekë. Tani, njerëzit që kishin më shumë gjasa të përfundonin me paaftësi paguese, mund të merrnin një hipotekë. Këto u quajtën “subprime mortgage”-s, dhe u referoheshin marrëveshjeve të kredive apo huave, që u jepeshin njerëzve të cilët kishin një historik të varfër (jo të mirë) sa i përket kredimarrjes.

Kështu, këto “subprime mortgages” bashkë me normat e ulëta të interesit, vazhduan që të shkaktojnë rritjen e cmimeve të banesave. Gjithashtu, kjo i nxiti njerëzit që të merrnin edhe më shumë hipoteka hua.

Por jo të gjithë investitorët kishin besim tek CDO-të. Kështu që ata nisën të paguajnë politika sigurimi për rastet e shkeljes së shlyerjes së hipotekave nga ana e huamarrësve. Më pas, bankat i “paketuan” këto politika sigurimi në CDO, të gatshme për t’ua shitur sërish investitorëve të tjerë, duke përfshirë edhe banka të tjera.

Dhe kështu, bota financiare u bë kaq shumë e kokolepsur. Nëse ata që kishin marrë hipotekat nuk do të mund të paguanin, CDO-të do të dështonin, investitorët do të pretendonin politikat e siguracionit dhe bankat do të humbisnin miliara.

Por, sa kohë që agjencitë e renditjes së kreditit vazhdonin të vlerësonin me AAA dhe BBB, bankat vazhdonin ta bënin atë gjë. Agjencitë e renditjes së kreditit, janë të paguara nga bankat, dhe ish presienti i Moody’s thotë se drejtorët ekzekutivë “nxitën” analistët që t’u jepnin bankave atë lloj vlerësimi dhe renditje që ato dëshironin.

Në pamje të parë, “subprime mortgages” duken si një ide e mirë. Nëse dikush humbet aftësinë paguese, banka ia merr shtëpinë e tij të boshatisur dhe e shet me një fitim të caktuar, falë rritjes së cmimeve të banesave. Por teksa gjithnjë e më shumë njerëz nuk mund të paguanin, gjithnjë e më shumë shtëpi mbeteshin bosh dhe të pashitura. Oferta e kaloi kërkesën dhe cmimet e banesave nisën të bien. Shtëpia e letrave nisi të bjerë.

Në mesin e vitit 2007 u rrit inflacioni. Vende si Mbretëria e Bashkuar dhe të tjerë rritën normat e interesit në 5.5%. Kjo gjë shkaktoi një rritje të normave të hipotekave, duke nxitur kështu një vërshim të shkeljeve në pagesa nga ana e huamarrësve.

Më pas, në vitin 2007 BNP Paribas ngriu asetet e saj, kur kuptoi se sa të rrezikshme ishin CDO-të. Ishte e para bankë në botë që vepronte kështu.

Një muaj më vonë, banka britanike Northern Rock kuptoi se nuk mund të shiste mjaftueshëm hipoteka për të shlyer borxhet e saj thelbësore. Ajo bankë nuk ekziston më.

Vitin që pasoi, bankat globale u përballën ose me falimentimin, ose shpëtimin, ose blerjen nga të tjerë, teksa fluska e pasurive të paluajtshme plasi.

Banka e Investimeve Bear Stearns u ble nga JP Morgan. Merryl Lynch iu shit Bankës së Amerikës. Lehman Brothers pësoi kolaps, pasi humbi 150 miliardë dollarë.

Në total, CDO-të mendohet të kenë humbur mes 200 dhe 600 miliardë dollarë. Ndërkohë, shtetet përreth botës paguan për këto telashe të bankave. Në vitin 2009, u miratua një paketë globale shpëtimi prej 5 trilionë dollarë. Ekonomitë në të gjithë botën perëndimore u ngadalësuan shumë. Ekonomia e SHBA humbi afro 648 miliardë dollarë, si dhe 5.5 milionë vende pune. Qeveria akordoi 37.3 miliardë dollarë vetëm për të lehtësuar sektorin financiar dhe industritë që u goditën prej pasojave. Taksapaguasit paguan për shpëtimin e huadhënësve Fannie Mae dhe Freddie Mac, si edhe AIG. Të treja u konsideruan shumë të mëdha për të dështuar.

Në vitin 2010, SHBA miratoi Reformën Dodd-Frank, si dhe Ligjin e Mbrojtjes së Konsumatorit. Kjo gjë rriti mbikëqyrjen dhe transparencën në tregtinë financiare. Megjithatë, Gritchen MOrgenson e NYT thotë se kjo nuk shkoi aq larg sa duhej. Ajo shkruan: “Industria financiare në vend do të vazhdojë të kontrollohet nga një grusht institucionesh që janë shumë të mëdhenj dhe shumë të pushtetshëm politikisht, për t’u lejuar që të falimentojnë”.

Financial Times bëri thirrje për miratimin e një ligji mbarëeuropian të ngjashëm me Ligjin Glass-Steagall, por nuk ka ndodhur.

E thënë thjeshtë, problemi nuk u zgjidh. Qeveritë dhe bankat tashmë kanë shumë borxhe, për shkak të parave që morën hua për të shpëtuar sistemin. Por tregjet e monedhave dhe hipotekave janë ende të dobët. Dhe në Europë, mund të bjerë dominoja e parë, e cila mund të shkaktojë një recesion edhe më të thellë. Dhe ky është thjeshtë prologu …/bota.al

Leave a Reply

Back to top button