Magazine

Të gjithë sekretet, si i bëjmë për vete të tjerët, dhe si na bëjnë për vete. Pa u manipuluar dinakërisht …

Bindja është një shkencë, dhe ka rregullat e veta. Ne të gjithë mund ta mësojmë atë me kushtin që të dimë si të vëzhgojmë personin që kemi përballë, dhe të zbulojmë pikat e tij të ndjeshme. Megjithatë kujdes: një gjë është të bindësh, dhe tjetër ta manipulosh në mënyrë dinake

screen-shot-2016-12-13-at-7-28-38-am

A kemi më shumë të ngjarë t’i lëmë bakshish kamarierit, nëse fatura që na vjen në fund të darkës në restorant, është e shoqëruar me një çokollatë? Me shumë mundësi po, thotë Robert Kialdini, profesor amerikan i psikologjisë dhe marketingut dhe autor i librit ”Armët e bindjes”. Në fakt, në qoftë se kamerieri na ofron dy çokollata, bakshishi kalon nga 3 në 13 për qind, pra 4 herë më shumë, dhe ngjitet deri në 23 përqind të faturës, në rast se çokollatave kamerieri u shton edhe një vlerësim për klientët.

Robert Kialdini, ka qenë ndër të parët që shqyrtoi ekzistencën e levave të mundshme psikologjike, që mund të ndikojnë në njëfarë mënyre mbi sjelljen e njerëzve, duke i detyruar ata të bëjnë zgjedhje në dukje të paarsyeshme. Studimet e tij, të filluara në vitet 1980, dhe që cilësohen ende sot si baza e asaj që quhet “shkenca e bindjes”, jo vetëm që bënë të mundur identifikimin e ekzistencës së këtyre levave psikologjike, por edhe grupimin e tyre në gjashtë kategori të dallueshme. Kështu, kamerieri që në momentin e dhënies së faturës ofron një dhuratë, kontretisht çokollatën, prek atë që Kialdini e përcakton si leva e “reciprocitetit”, kur pranimi i një favori apo pasja e çfarëdolloj vëmendje, e bën tjetrin të ndjehet disi detyruar t’ia kthejë atë.

Pse e lejojmë veten të na bindin

Pyetja se pse e lëmë veten të na bindin të tjerët të veprojmë në një mënyrë të caktuar dhe jo një tjetër, ka ngjallur gjithmonë një interes të madh jo vetëm në mesin e psikologëve, por edhe në mesin e atyre që janë përpjekur të zhvillojnë strategji fituese, për të mbledhur mbështetje apo rritur shitjet. Sipas Kialdinit, levat e bindjes shfrytëzojnë vështirësinë tonë për të bërë një zgjedhje.

Në thelb, përderisa zgjedhja nënkupton një seri vlerësimesh që kërkojnë kohë dhe përpjekje, lejimi i të tjerëve për të na bindur duket se na e heq këtë barrë. Bërja e një zgjedhje, është një nga proceset mendore që na angazhon më shumë se çdo tjetër, pasi gjatë kërkimit të një përgjigje ka shpesh një kunvërvënie mes arsyes dhe emocionit. Ose më mirë, sikurse e shpjegon psikologia dhe psikoterapistja nga Milano, Paola Reina “gjatë zgjedhjes, ne lodhemi të kuptojmë se si është ‘organizuar’ mënyra jonë e të qenit, domëthënë nëse përdorim më shumë funksione emocionale apo arsyetuese”.

Dhe është pikërisht mungesa e njohjes së mënyrës sonë të të qënit, ajo që na ekspozon ndaj rrezikut të ndikimit nga të tjerët. “Sa më shumë të jemi vetëdijshëm mbi mënyrën tonë të zgjedhjes, ashtu dhe dobësive tona, aq më shumë do të dimë të mbrojmë veten kundër atyre që përpiqen të na bindin në një mënyrë më të thellë dhe të fshehtë, duke kaluar tek manipulimi”.

Në fakt, vija ndarëse mes manipulimit dhe bindjes, nuk është gjithmonë shumë mirë e përcaktuar, pjesërisht për shkak se manipulatori fshihet pas maskës së mirëbërësit, të atij që ka për qëllim që ju ta pëlqeni. Ne bëhemi viktima në momentin kur “ai arrin të rezonojë me dobësitë tona”- përfundon Reina.

Dinakëria e manipulimit

“Në rast se bindja përfaqëson anën pozitive, pasi faktikisht e çon bashkëbiseduesin të bëjë zgjedhje në mënyrë vullnetare, manipulimi përfaqëson pjesën më të errët dhe më të rrezikshme”- thotë Alesandro Pedraci, psikoterapist me përvojë në dinamikat e marrëdhënieve njerëzore. Manipulimi është një nga format më të rënda të dhunës psikologjike, dhe më e vështira për t’u kuruar.

Edhe pse i mirë-përcaktuar nga pikëpamja klinike, ai është shumë i vështirë të dallohet në jetën praktike, ku edhe një dobësi e shkurtër por intensive emocionale, ka të ngjarë të na bëjë të bjemë në rrjetën e manipulatorëve. Të vetëshpallurit shenjtorë, shikuesit e fatit, interpretuesit e letrave tarot janë zakonisht manipulatorët më të zakonshëm, që mbledhin mbështetës si në rrethet e pasura ashtu edhe të varfra, duke shfrytëzuar çdo here brishtësinë e natyrës njerëzve.

Por manipulatori më dinak, mund të fshehet aty ku ne duhet të ndjehemi më të mbrojtur, në shtëpi:është partneri, që pas premtimit të dashurisë, mund të fshehë një etje të pashuar për kontroll sipas kënaqësisë së vet. / www.bota.al

https://www.bota.al/2016/12/gjashte-menyrat-permes-te-cilave-ne-mund-te-joshim-te-tjeret/

Leave a Reply

Back to top button