Nga Pascal Boniface
“Ne nuk do të ndryshojmë çka ne jemi. Ne nuk kemi frikë. Ne duhet të intensifikojmë strategjinë ajrore të përgjigjes ushtarake, pa iu nënshtruar tundimit të ndërhyrjes tokësore”: kjo thirrja që bën Pacal Boniface, drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS), për të shmangur që të biem në kurthet e ngritura nga Shteti Islamik. Fatkeqësisht duke pranuar “të jetojmë që tani e tutje, me një rrezik terrorist të përhershëm”
Atentatet e poshtra që përgjakën Parisin ngjallën një valë emocionesh, indinjatash dhe një solidaritet të madh, si kombëtar ashtu dhe ndërkombëtar. Parizianët u përgjigjën me një dinjitet shumë të lartë. E gjithë Franca i mbështeti ato. Dhe në katër anët e botës, pati një vrull të ngrohtë solidariteti… . Çështja që shtrohet sot është: si të reagojmë? Çfarë duhet bërë përballë këtij kërcënimi? Vështirësia më e madhe sot, është t’i përgjigjemi këtyre sulmeve të ndyra, jo me emocion, por me arsye.
Të mos biem në kurthin e Shtetit islamik
Çështja e parë që shtrohet, është të mësojmë se çfarë kërkonin terrorisstët për të mos i dhënë atyre kënaqësi. Të mos biem në kurthin e ngritur nga Shteti Islamik. Duhet pohuar me zë të lartë dhe fort, se ne nuk do të ndryshojmë çka ne jemi: një shoqëri e hapur dhe demokratike. Pas atentatit të tmerrshëm të Oslos, kryeministri norvegjez deklaroi: “Sigurisht, ne nuk kemi ndryshuar çka ne jemi”. Ngjarja tronditi shumë shoqërinë norvegjeze, ku u vranë rreth tetëdhjetë persona, por kjo ngjarje nuk do të fitonte…
Francezët duhet të tregojnë se ato nuk kanë frikë, se ata vazhdojnë të dalin, e të shijojnë qytetin e mrekullueshëm të Parisit. Ajo që kërkon Shteti Islamik është të forcohet islamofobia, për të ushqyer terrorizmin, të zhvillojë terrorizmin për të ushqyer islamofobinë.
Bachar el-Assad : rreshteri rekrutues më i mirë për Shtetin islamik
Sfida e dytë: përgjigja drejtpërdrejtë Shtetit Islamik, në planin ushtarak. Sigurisht, duhen injoruar kërkesat e Bachar el-Assadit për të luftuar kundër Shtetit Islamik. Të dyja janë të lidhura. Bachar el-Assadi është rreshteri rekrutues më i mirë për Shtetin Islamik. Sipas disa analistëve, bombardimet mbi Shtetin Islamik janë shkaku i atentateve. Por t’i japësh fund atyre sot, do të thoshte që të ndryshohej strategjia, nga frika, dhe se kështu terroristët do të fitonin. Franca, me shumë siguri do të intensifikojë bombardimet e saj. Ato do të mund të dobësojnë Shtetin Islamik dhe nuk do ta lënë atë të fitojë përfundimisht.
Kurthi i sulmit perëndimor tokësor
Ky është kurthi tjetër ku nuk duhet rënë. Fillimi i një sulmi perëndimor tokësor. Kjo është pikërisht ajo që pret Shteti Islamik, për të ushqyer një fjalim mobilizimi kundër “kryqtarëve”. Janë vendet sunite, vendet e Gjirit, por edhe Turqia, që duhet të veprojnë në radhë të parë, sepse ato janë më legjitimët për të dobësuar mbështetjen e sunitëve irakenë dhe sirianë për Shtetin Islamik dhe se ato janë në lozhat e para të kërcënimit.
Duhet të fillojë një bashkim i madh me të gjitha vendet e interesuara: vendet e Gjirit, Turqinë, Perëndimorët, Rusinë, Iranin, për t’i dhënë fund këtij kërcënimi global, por vendet sunite duhet të jenë në pararojë të betejës. Ato i kanë mjetet, dhe sfida është shumë më thelbësore, se sa luftërat që sauditët bëjnë aktualisht në Jemen.
Kërcënimi i ri
Terrorizmi duhet të ngjallë një mobilizim global, por nuk duhet të kënaqemi të luftojmë kundër efekteve të saj. Duhet gjithashtu të reflektojmë për shkaqet e tij. Ato që mbështetën luftën e Irakut në vitin 2003 janë të keq vendosur për ta na shpjeguar, se si të luftojmë kundër shtetit islamik, që është një avatar i kësaj lufte. Ne jemi në një situatë të re. Së pari nga numri i të vdekurve, por gjithashtu nga lloji i kërcënimit. Për një kohë të gjatë, disa thonin se nuk duhet folur për Shtetin Islamik, sepse do t’i jepnim shumë rëndësi Shtetit Islamik. Por kjo organizatë ushtron autoritetin e saj në popullsinë që jeton në një territor të dhënë, dhe e cila organizon atentate jashtë vendit.
Fjalimi i së vërtetës
Ne përballemi me një ndryshim të paparë të terrorizmit i cili njëkohësisht ka dalë nga territori, dhe është ngulitur në një territor. Përballë terrorizmit nuk ka rrezik zero. Plani “Vigipirate” në Francë nuk i pengoi këto atentate. Ju mbroni një mijë objektiva, terroristët do të sulmojnë një mijë e një. Nuk mund të vendosim policë apo ushtarë në të gjitha taracat, në të gjitha sallat e shfaqjeve, në të gjitha monumentet publike. Duhet të mbahet një fjalim i vërtetë me qytetarët. Po ka një rrezik terrorist, dhe duhet të mësohemi të jetojmë me atë, siç ne jemi mësuar të jetojmë me rreziqe të tjera.
Dhe ne jemi përballë një dileme: sigurisht, e pamundur të mos flasim për atentate. Por sa më shumë flasim ne për to, aq më shumë i japim kënaqësi terroristëve. Ne do t’i themi atyre në mënyrë publike se çfarë na frikëson. Duhet pra t’i themi që ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë rrezik, por që ne nuk kemi frikë. Ne do të jemi vigjilentë, por ne nuk do të biem në paranojë dhe në panik.
s.m./Bota.al