Analiza

Të pamundurit Shtete të Bashkuara të Europës. Një legjendë që shërben për të shpëtuar Euron

Screen Shot 2016-03-16 at 10.24.32

Nga Xhani Bulgari

Nëse pas luftës ishte e detyrueshme që vendet europiane të ndiqnin një proces paqësimi, është e mundur që po të mos kish ardhur rënia e papritur e Murit të Berlinit dhe bashkimi i dy Gjermanive, gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Procesi, nën mbikëqyrjen vigjilente të Amerikës ishte ekzemplar: Tregu i përbashkët kënaqi orekset, edhe pse projekti i një mbrojtjeje të përbashkët nuk e kaloi provimin. Në vitin 1971, deklarata e presidentit të SHBA, Richard Nixon, për të shkëputur dollarin nga floriri, i dha fund Bretton Woods-it dhe shkëmbimeve fikse, gjë që kishte lehtësuar deri atëherë rimëkëmbjen ekonomike. Monedhat europiane nisën të shkëmbehen kështu, sipas fuqisë reciproke. Marka e fortë gjermane konfirmonte ekonominë e ripërtërirë të vendit, duke krijuar edhe ndonjë problem. Ideja e një monedhe të përbashkët nisi të shfaqet, por u pa me sy të keq nga ekonomistë dhe bankierë.

Për një farë kohe, bashkimi politik dhe monetar u lanë mënjanë. Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe bashkimi i dy Gjermanive ndryshuan gjithçka. Monedha e përbashkët, e përdorur nga François Mitterrand si mall këmbimi dhe si element i përmbajtjes së hegjemonisë gjermane, të cilës aq shumë ia kishin frikën, i përmbysi parametrat: “përmbajtja” e Gjermanisë u shndërrua në mision të parrëfyer. Mitterandi jo vetëm që nuk kuptoi se monedha e përbashkët nuk do ta kish dobësuar Gjermaninë dhe që, përkundrazi, do të privilegjonte të fortët dhe dëmtonte të dobëtit, por nuk e kuptoi që monedha e re do të kishte nevojë për një “Mbret”, të cilit shtetet anetarë do të duhej t’i lëshonin sovranitetin, gjë që ai nuk kish aspak ndërmend ta bënte. Disa vite më herët, pyetjes së Sekretarit amerikan të Shtetit, henry Kissinger, se si kishte ndërmend t’i bënte ballë superioritetit ekonomik gjerman, Charles de Gaulle i ishte përgjigjur: “Avec la guerre” (Me luftë).

Ligji i hekurt i monedhës impononte një moment vendimtar, mes një harmonizimi “analog” dhe një  homogjenizimi “digjital”: ekonomi shumë të ndryshme mes tyre bëjnë që të shpërthejnë shifrat e ndryshimeve mes tyre, duke imponuar politika kufizuese. Nga ana tjetër, në mungesë të një shteti të vërtetë sovran, solidariteti që është parakusht i tij, nuk ishte në rend të ditës.

Ndonëse të vetëdijshëm se një komb europian nuk ishte aspak pranë, ata që futën monedhën e përbashkët, e bënë duke vënë bastin e dalldisur, se unioni politik do të realizohej në rrugë e sipër. Eshtë e kuptueshme që ideja e një kombi europian u rimor pikërisht për t’i ardhur në ndihmë monedhës së përbashkët: pa një “Mbret”. ajo ishte e dënuar që të mbetej një marrëveshje e thjeshtë për të ruajtur normat fikse të këmbimit. Realiteti tragjik është që sot jemi katandisur duke ndjekur idenë e papraktikueshme të një unioni politik për të shpëtuar unionin monetar. Momenti vendimtar sot për Europën, është mes një harmonizimi të domosdoshëm dhe një integrimi të pamundur.

Pamundësia e një supershteti europian të parrëfyer e pasqaruar kurrë, ka pjellë një diskutim të mjegullt dhe të rremë ku protagonistët, ku Europa, një entitet juridik joekzistues, BQE, e cila nuk është një bankë e vërtetë qendrore për shkak të mungesës së një shteti, dhe monedha, që nuk ishte “e përbashkët”, por vetëm një artific për të ruajtur këmbimin fiks të monedhave, recitonin së bashku në një spektakël virtual, protagonistët e të cilit dukeshin “të vërtetë”, por që në realiet nuk ishin të tillë. Në këtë komedi paradoksale të recituar prej “zëvendësuesve”, të gjithë kishin të drejtë të protestonin ndaj gjithçaje, duke qenë se në të vërtetë, mëkati fillestar ishte hequr tashmë.

Fjala “komb”, e katandisur në një suvenir të një epoke të shkuar, zëvendësohej nga togfjalëshi union politik, ku një vizion i një absolutizmi iluminist përfundoi duke zëvendësuar vullnetin popullor, me entuziasmin jakobin të klerikëve të vendosur nga lart. Nuk do të jetë një union bankar, as edhe një ministri e Thesarit, që do ta bëjë Europën një komb.

Në një kontradiktë ekzemplare, arrohet shumë shpesh se asgjë tjetër, veç një nacionalizmi të mrekullueshëm, nuk është zamka që mban bashkë 50 shtetet e kombit amerikan, i cili shpesh herë merret si shembulli dhe promotori kryesor i globalizimit. Tashmë, që nga Draghi e poshtë është deklaruar si e sigurtë se vetëm unioni politik mund të sjellë mbijetesën e unionit monetar; po nëse kjo rezulton e pamundur, çfarë ndodh? Eshtë rregull që, nëse injorohet zgjidhja e një problemi, më mirë të mbyllësh gojën. Por është pikërisht kjo, sot, dilema e parrëfyeshme e Europës.

Që e gjithë kjo të jetë pjesë e një projekti politik, është e vështirë të besohet. Ngjan më shumë si pasoja tragjike e një vendimi të beftë, të imponuar nga një frikë e zymtë: jo një utopi e tradhëtuar, por një gabim mjeran. Pikërisht ashtu si Versaja në vitin 1919, kur Kryeministri francez, Clemenceau bëri atë paqe që, në qëllimet e veta, pas “neutralizimit” të Gjermanisë, do t’i jepte fund të gjithë luftërave.

Nëse gjithë sa shkruajta më sipër nuk mjaftojnë, atëherë “parimin e realitetit” mund të na e sjellë në vëmendje ISIS. utopitë kanë qenë dënimi i Europës në shekullin e kaluar. BE duhet të pushojë së ëndërruari Napoleonin dhe të mendojë më shumë për Kongresin e Vienës./Il Fatto Quotidiano – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button