Lucy P. Marcus
Në kohë të rrezikshme, kur shfaqja, koha dhe përhapja e risqeve mund të ketë efekt paralizues, ajo që ka rëndësi nuk është thjeshtë ajo që ne mund të arrijmë, por se si e arrijmë. Në kohë të tilla, vlera që krijojmë nuk mund të matet vetëm me para. Më e rëndësishme është se sa më të fortë, më të aftë dhe më të ripërtëritur i ndihmojmë të bëhen kolegët, partnerët, fëmijët dhe bashkaqytetarët tanë. Ndoshta rreziku më i madh i këtij viti – dhe dekadës së ardhshme – është se mos harrojmë këtë të vërtetë themelore
Jetojmë në kohë të rrezikshme. PIkërisht atëherë kur duket se i kemi gjetur “koordinatat” tona, ndodh diçka që na bën të ndihemi sikur këmbët të na jenë këputur papritmas. Veprimet dhe ngjarjet shpesh herë janë të ndërthurura mes tyre, dhe ajo që ndodh në një nivel – që prek individë, shtete, sektorë ekonomikë dhe kompani të të gjitha përmasave – mund të ketë pasoja tek një tjetër.
Sulmet e fundit terroristë në Paris janë një shembull. Ato prekën jo vetëm familjet dhe miqtë e viktimave, jo vetëm popullin e Francës. Jehona e tyre po ndihet në të gjithë botën, dhe ato do të vazhdojnë të kenë impakt, përtej Europës, në politikat publike, politikën elektorale, lirinë e medias dhe më tej.
Sulmet erdhën në një kohë kur tradicionalisht bota përpiqet t’i japë kuptim vitit paraardhës – të parashikojë risqet që e presin, shanset që do të paraqiten dhe sfidat që do të duhet të kapërcehen. Po risqet kohëgjatë? A tregojnë ngjarjet si kjo e Parisit se parashikimi i tyre është i pamundur? Apo mos këta atentate nxorrën zbuluar pikërisht atë lloj risku që parashikimet kohëgjatë duhet ta identifikojnë?
Forumi Ekonomik Botëror sapo ka botuar raportin e tij të “Risqeve Globalë 2015”, i cili përpiqet të parashikojë rreziqet më të mëdhenj që do të hasë bota gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Fokusi i raportit është kryesisht në nivel makro. Për shembull, “rreziku më i madh për stabilitetin e botës në dhjetë vitet e ardhshëm vjen prej riskut të konflikteve ndërkombëtarë”. Dhe rreziku i luftës pasohet nga një seri tendencash dhe risqesh socialë, mjedisorë, gjeopolitikë, teknologjikë dhe ekonomikë.
Por të gjithë këta rreziqe do të ndihen në një nivel organizativ, dhe në fund individual. Kjo është arsyeja përse harxhojmë kohë në salla konferencash dhe përreth tryezave të kuzhinës, në përpjekje për t’i identifikuar dhe zbutur. Nga ana tjetër, të gjithë e dimë se ritmi i ndryshimit është shumë më i shpejtë se më parë, dhe që qeveritë, bizneset dhe familjarët e kanë gjithmonë e më të vështirë ta kapin këtë ritëm. Në themel të identifikimit, kuantifikimit dhe zbutjes që ne i bëjmë riskut qëndron e vërteta e pamohueshme dhe e pakohë, se e vetmja konstante në këtë botë është ndryshimi.
Për Heraklitin, ndryshimi ishte parimi themelor i jetës. Makiaveli e quante “fortuna”: ngjarjet që na formësojnë dhe përcaktojnë mirëqenien tonë janë shpesh herë përtej arsyes dhe kontrollit tonë. Ndonëse mund të përpiqemi që të planifikojmë për ndryshimet që mund të ndodhin, ne nuk mundemi gjithmonë që të parashikojmë natyrën e saktë dhe kohën kur do të ndodhin.
Përtej kësaj, pavarësisht gjithë risqeve që mundemi dhe i parashikojmë, janë ata risqe për të cilët nuk mund të përgatitemi që na bëjnë dëmin më të madh. Kjo është arsyeja përse, bashkë me identifikimin, kuantifikimin dhe zbutjen, ne duhet gjithashtu të përqafojmë idenë që jo të gjithë ndryshimet mund të parashikohen qartësisht. Ajo që duhet të bëjmë, është që të ngulisim në familjet, organizatat dhe shtete tanë mjetet e “aftësisë ripërtëritëse”, që nevojiten për të reaguar në mënyrë efikase në kohë krizash – dhe kështu të minimizojmë impaktin e dëmshëm të ndryshimeve të papritur.
Kjo do të na ndihmojë që të maksimizojmë të mirat potenciale të një fluksi të tillë. Në fund të fundit, pa ndryshimet e paparashikuar, pjesa më e madhe e sipërmarrjeve njerëzore do të ishin të padobishme dhe inovacioni do të ishte i panevojshëm.
Ngjarjet tronditëse si masakra në Charlie Hebdo në Paris ndodhin, dhe duket se këto kohë po ndodhin më shpesh se kurrë. Ato na i kthejnë botën përmbys dhe na bëjnë të vëmë në dyshim kuptimin se cilët ne jemi.
Pikërisht në këta momente ne demoncstrojmë aftësinë – ose mungesën e saj – për t’u përballur me të pashpjegueshmen, të paplanifikuarën dhe të padepërtueshmen. Në të njëjtën kohë, momente të tillë na kujtojnë se brezat e ardhshëm në fund do të na gjykojnë jo në bazë të asaj që kemi akumuluar – qoftë personalisht, qoftë si organizata apo shtete – por në bazë të impaktt që kemi patur mbi ata që na rrethojnë, dhe sa mirë u jemi përgjigjur nevojave të tyre.
Në kohë të rrezikshme, kur shfaqja, koha dhe përhapja e risqeve mund të ketë efekt paralizues, ajo që ka rëndësi nuk është thjeshtë ajo që ne mund të arrijmë, por se si e arrijmë. Në kohë të tilla, vlera që krijojmë nuk mund të matet vetëm me para. Më e rëndësishme është se sa më të fortë, më të aftë dhe më të ripërtëritur i ndihmojmë të bëhen kolegët, partnerët, fëmijët dhe bashkaqytetarët tanë. Ndoshta rreziku më i madh i këtij viti – dhe dekadës së ardhshme – është se mos harrojmë këtë të vërtetë themelore.
Marrë me miratimin e Project Syndicate. Të drejtat e ribotimit janë të Project Syndicate
e.gj./www.bota.al