Personazhe

Të vërtetat tronditëse, pas jetës së fshehtë të Merilin Monro

Për shumë njerëz, Merilin Monro, që nëse do të ishte akoma sot gjallë do të mbushte 94 vjeç, do të jetë gjithnjë ajo vajza sensuale që çmend meshkujt në rrugë; me fustanin e saj të gufuar përreth belit. Për të tjerët, ajo është gruaja që i uroi ëmbël më një këngë ditëlindjen presidentit Xhon F.Kenedi.

Por në realitet, ajo nuk ishte asnjë njëra dhe as tjetra. Në fakt mund të thuhet se Merilin nuk ishte as një person real. Ajo ishte një personazh magjepsës i krijuar nga Norma Xhin Bejker, vajza e vogël që ëndërronte të bëhej një yll i kinemasë. E lindur më 1 qershor 1926, Norma Xhin ishte vajza e Gledis Bejker dhe e Çarls Stanli Giford, një kolegu i saj në laboratorin e filmit ku punonte Gledis.

Gledis Bejker ishte një grua e ndërlikuar. E martuar dy herë më herët, ajo ishte vetëm kur lindi Norma Xhinin, dhe ndonëse ishte e vendosur që të kujdesej vetë për fëmijën e saj të vogël, kjo gjë ishte aspak e lehtë. Një nënë beqare, shihej vëngër nga shoqëria e kohës.

Për shkak të këtij presioni, vetëm 2 javë pasi e lindi, Gledis e çoi Norma Xhinin në shtëpinë e Ida dhe Uejn Bolender, fqinjët e nënës së saj, Dela Monro. Për gati 7 vjet Norma Xhin jetoi me familjen Bolender, që u kujdes shumë për të, dhe madje donte ta birësonte.

Gledis u trondit nga kjo gjë, pasi ajo kishte humbur 2 fëmijë të tjerë, kur burri i saj i parë ia mori pas divorcit. Ndaj ishte e vendosur të mos lejonte përsëritjen e diçkaje të tillë. Në vitin 1933, Gledis vendosi ta çonte Normën në një shtëpi, që ajo po e ndante bashkë me çiftin anglez Atkinson, që merrej me filmat.

Që nga ai moment, jeta e Norma Xhin u shndërrua në një labirint pasigurish dhe konfuzionesh. Shumë shpejt, erdhën lajme se gjyshi i Gledis, Tilford Hogan kishte kryer vetëvrasje, ndërsa djali i saj Roberti, ishte vrarë në mënyrë tragjike. Gledis kishte qenë gjithmonë një natyrë emocionale, dhe këto dy ngjarje mjaftuan që ta zhysnin në depresion.

“Pse nuk ishe ti më mirë?”- i ulëriti vajzës së saj të tmerruar nga ajo që po i dëgjonin veshët. Pas kohë më vonë Gledis pësoi një krizë nervore, që e çoi atë sa nga një spital psikiatrik në tjetrin për pjesën tjetër të jetës. Për Norma Xhinin, zhdukja e nënës së saj ishte shumë e rëndë.

Ajo u sulmua seksualisht nga një banor i ri në shtëpi. Dhe si për t’i përkeqësuar gjërat më tej, askush nuk do t’i tregonte atë që kishte ndodhur me nënën e saj. Ajo nisi të besojë se Gledis kishte vdekur.

Një besim që iu përforcua kur kujdestarja e saj e ri (dhe shoqja më e mirë e Gledis), Grejs Godard, paketoi çantat e saj me rroba, dhe e çoi në Shtëpinë e Jetimeve të Los Anxhelosit, ku jetoi vitin e ardhshëm. Më tej kaloi nga një shtëpi në tjetrën; ku Ana Louer, tezja e Grejs Godard, u bë një nga njerëzit më me ndikim në jetën e Norma Xhin.

Në vitin 1942, u martua me Xhim Daugerti, një fqinj i familjes Godard. Martesa zgjati 4 vjet, gjatë së cilës Xhimi shkoi në luftë. Ajo ishte e mërzitur dhe e vetmuar, ndaj nisi punë në një fabrikë armësh, ku u zbulua nga një fotograf. Fotot i hapën rrugën drejt karrierës si modele. Norma Xhin e la shpejt punën në fabrikë. Xhimi nuk ishte dakord. Ai e paralajmëroi gruan e tij se kur të kthehej nga lufta, ajo duhej të hiqte dorë nga të gjitha, dhe t’i përkushtohej familjes.

Në kundërpërgjigje, ajo shkoi në Las Vegas, teksa bëri kërkesën për divorc, një akt që e dëshpëroi bashkëshortin e saj.

Në Las Vegas, modelja e re u njoh me Bill Përsell. Ajo u bë aq e njohur nga kopertinat e revistave, sa që kur shkoi në Los Angeles, u ftua për një kino-provë nga kompania e mirënjohur “Tëentieth Century Fox”. Ajo nënshkroi menjëherë një kontratë bashkëpunimi, por u zhgënjye kur mësoi se do të duhej të ndryshonte emrin në Merilin Monroe.

Karriera e saj ishte në fillim modeste, me disa role të vogla. Fatmirësisht, më në fund u vu re nga agjenti i famshëm i Hollivudit Xhoni Hajd, që i rregulloi rolin e vogël por të rëndësishëm të Anxhelës në filmin “Jungle Asfalt”. Të dy u dashuruan, por zërat se Merilin u lidh me të për shkak të parave qenë plotësisht të pabaza.

Në fakt, Hajd i kërkoi shumë herë që të martoheshin, por ajo në çdo rast e refuzoi. Pas vdekjes së papritur të Hajd, Merilin nisi të marrë role të rëndësishme në filma si “Love Nest”, “Clash By Night” dhe “Don’t Bother To Knock”. Ylli i saj ishte në ngjitje.

Por gjithcka rezikoi të merrte tatëpjetën pasi u zbulua se ajo kishte pozuar nudo, dhe se e ëma të cilën ajo e kishte shpallur të vdekur prej kohësh, ishte në të vërtetë e gjallë, dhe jetonte në një spital psikiatrik. Këto zbulime, gati i dhanë fundin karrierës së saj.

Por Merilin mori zemër, dhe vendosi të tregojë të vërtetën. Ajo e pranoi se kishte bërë fotot nudo, pasi ishte e dëshpëruar dhe i duheshin para. Sa për nënën e saj, ajo donte ta mbante sekret vendodhjen e saj për të mbrojtur Gledisin, dhe jo veten. Publiku e vlerësoi ndershmërinë e saj, dhe karriera e saj vazhdoi ngjitjen.

Në vitin 1952, u njoh u dashurua me lojtarin e famshëm të bejzbollit amerikan Xho Dimaxho. Gjatë viteve që pasuan, ajo luajti në një shumëllojshmëri filmash të profilit të lartë, si “Niagara” dhe Gentlemen Prefers Blondes”. Ajo dëshironte role më të mira, dhe kur iu kërkua t’i jepte shpjegime studios për një rol që ajo e pëlqente; u hakmor duke ikur në San Françisko, duke u martuar me Xho Dimaxhon.

Studioja vendosi ta pezullojë, por më vonë gjërat u normalizuan, dhe ajo luajti në firmat “There’s No Business Like Shoë Business” dhe “The Seven Year Itch” në vitin 1954. Ishte filmi i fundit, që fatkeqësisht e shkatërroi martesën e saj të re. Kur po xhironte skenën e promocionit, që e tregonte me fustanin e gjerë që gufohej rreth belit të saj, një Xho i tërbuar ishte aty rrotull, dhe nuk u tregua aspak i sjellshëm me fotografët dhe shikuesit që po admironin sharmin e gruas së tij.

Pasoi një zënkë e dhunshme, aq sa Merilin kërkoi më pas divorcin. Në vitin 1956, ajo nisi një lidhje me dramaturgun Artur Miler, me të cilin edhe u martua. Çifti shkoi në Londër në korrikun e 1956-ës, për xhirimin e filmit “The Prince And The Showgirl” me bashkëprotagonist aktorin Laurence Olivier.

Por ajo kohë nuk ishte e lumtur për askënd. Dhe ajo që e tronditi edhe më shumë Merilin, ishte zbulimi i ditarit të Arturit, ku ai fliste në detaje se ndjehej i lënë pas dore nga gruaja e tij e re. Çifti u rikthye në Nju York, ku u përpoq të rifillonte një jetë normale.

Por për Merilinin kjo nënkuptonte disa sjellje të gabuara, njëra prej të cilave në vitin 1957, dhe një tjetër gjatë xhirimit të filmit shumë të suksesshëm “Some Like It Hot”. Ajo iu nështrua disa operacioneve të dështuara në përpjekje për t’u bërë nënë, dhe pas operacionit të fundit në vitin 1959, mjeku e informoi se përfundimisht nuk do të mund të kishte fëmijë.

Nga ai moment, ajo hoqi dorë nga përpjekjet e saj për t’u bërë nënë. Marrëdhënia e saj me Milerin u prish, pasi ai shkroi për të rolin e Rozlin në filmin “The Misfits”, me bashkë-protagonist aktorin Klark Gejbëll. Filmi ishte emocionalisht shumë i rëndë për të; portretizimi tejet personal, dhe kur xhirimet mbaruan, Merilin u përballur vetëm me jetën.

Vitet e fundit pasuan një sëri ulje-ngritjesh depresive. Një nga krizat ndodhi kur e veja e Klark Gejbëll dyshohet se e fajësoi Merilin për vdekjen e të shoqit. Në fakt, ai ndërroi jetë vetëm disa ditë pasi mbaruan xhirimet e ”The Misfits”. Merilin nisi të kishte tendenca vetëvrasëse, ndaj pranoi të shtrohej për disa kohë në një spital.

Mjerisht, ajo nuk e kishte idenë se kishte hyrë gabimisht në një repart për pacientët me shqetësime mendore serioz. Vetëm vajtja e Xho Dimaxhos siguroi lirimin e saj, pasi ai kërcënoi se do të shpërbënte spitalin “tullë për tullë” nëse stafi refuzonte daljen e saj nga spitali.

Vitin që pasoi, Xho u bë miku që Merilin kishte ëndërruar gjithmonë. Ata shkuan bashkë në Florida, pushuan në plazh, dhe luajtën bashkë bejsboll. Gazetat folën për një ribashkim të tyre, por Merilin e mohoi këtë gjë.

Si ishte e vërteta? Nuk do ta dimë kurrë, pasi natën midis 4-5 gushtit 1962, Merilin u gjet e vdekur në shtëpinë e saj; viktimë e një mbidoze të dukshme. Deri më sot janë prezantuar shumë teori se përse ose si vdiq Merilin.

Disa thonë për shkak të lidhjes së saj intime me presidentin e Shteteve të Bashkuara. Edhe pse kjo nuk është provuar asnjëherë. Gjithçka që dimë, është se ajo këndoi për të në ditëlindjen e tij, dhe që ishte mikeshë e motrës së presidentit. E vërteta është se ne nuk do ta dimë kurrë se si ndërroi jetë Merilin Monro.

Ajo i mori në varr sekretet e saj, dhe çdo histori e vdekjes së saj që ka ardhur përgjatë dekadave, mund të jetë në rastin më të mire vetëm spekulative. Por tek e fundit e vërteta nuk ka rëndësi, pasi joshja nga jeta e saj publike është shumë më tërheqëse.

Gjithçka që ka dashur Norma Xhin Bejker, është të dashurohej nga dikush. Ndaj fokusimi më shumë mbi jetën sesa mbi vdekjen e saj, është mënyra më e mirë që kemi për t’i treguar asaj se sa shumë do të thoshte për botën ku jetoi, dhe sa shumë humbi humbi bota kur ajo u largua prej saj.

Leave a Reply

Back to top button