HistoriMAIN

Templari i parë

Si Hugues de Payens themeloi atë që do të bëhej një nga forcat më të fuqishme në Tokën e Shenjtë

Ditën e Krishtlindjes së vitit 1119, 9 burra u përkulën në dyshemenë e Kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem. Udhëheqësi i tyre ishte një burrë i quajtur Hugues de Payens. Midis 8 të tjerëve ishin Godfrey i Saint-Omer, Geoffrey Bissot, Payen i Montdidier dhe André  Montbard.

Këta burra po përbetoheshin për të qenë të përkorë, të dëlirë dhe të bindur ndaj Zotit. Këto ishin zotimet standarde të Kishës, dhe s’do të kishte pasur shumë elementë për t’i dalluar zotimet e tyre nga ato të shpallura nga mijëra murgjërit e tjerë, po të mos ishte për emrin me të cilin ata propozuan ta quanin vëllazërinë e tyre:”Ushtarët e varfër të Jezu Krishtit”.

Sepse këta burra po betoheshin të jepnin jetën e tyre për Krishtin, dhe zotoheshin t’i përdornin shpatat e tyre për mbrojtjen e vëllezërve të tyre të krishterëve në Tokën e Shenjtë, në mbretërinë e sapo-pushtuar të Outremer (shtetet kryqtare).

Por në atë kohë, askush nuk i vuri rëndësi asaj ngjarje. Asnjë kronist i kohës nuk shkroi qoftë edhe një radhë për atë asaj që ndodhi atë ditë në kishë. Ne sot nuk kemi asnjë listë të plotë të emrave të 9 burrave. Në fakt, atë ditë Krishtlindjesh mund të ketë qenë rreth 30 burra të shtrirë në dyshemenë e kishës më të shenjtë në të ashtuquajturin Krishterim.

Burimet, të cilat janë shkruar që të gjitha shumë më vonë se sa ngjarjet që pretendojnë se regjistrojnë, nuk bien dakord mbi shumë detaje të asaj ngjarjeje. Dhe kjo gjë nuk është aspak befasuese. Shekulli XII ishte një epokë e ripërtëtirjes të jashtëzakonshme të udhrave fetarë, me shfaqjen në Evropë të shumë urdhrave të rinj.

Disa prej tyre ekzistuan vetëm për disa vjet, të tjerat disa dekada; ndërsa disa vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Por nuk ishte e pazakontë që një grup njerëzish të zotohej për besnikëri përpara Perëndisë. Dhe vetëm njerëzit e pranishëm në kishë në atë kohë, do t’i kenë kushtuar  vëmendje asaj ngjarjeje.

Por edhe ata e harruan shpejt, sapo dolën nga kisha në një ditë dimri në Jerusalem. Udhëheqësi i këtyre “Ushtarëve të Varfër të Jezu Krishtit” lindi ndoshta në Payens, diku rreth vitit 1070. Nuk dihet thuajse asgjë mbi jetën e hershme të Hugues.

Megjithatë, ai ishte qartazi një anëtar i kastës së kalorësisë, fisnikërisë, sepse emri i tij shfaqet i bashkëngjitur si nënshkrues në një sërë statutesh (dokumente që regjistrojnë transferimin e tokës ose privilegjeve) që i përkasin pronave përreth Payens.

Payens, i njohur sot si Payns, shtrihet në lumin Seine, në rrjedhën e poshtme të lumit Troyes dhe 130 kilometra në jug-lindje të Parisit. Hugues de Payens ishte ndoshta një nga kalorësit e një Hugues tjetër, konti i krahinës së Shampanjës, që e sundoi principatën e tij nga selia e tij në Troyes.

Hugues i Shampanjës ishte një fetar i devotshëm, por me një martesë të palumtur. Kjo e nxiti që t’i përkushtohej kryqit në 2 raste. Së pari në vitin 1104, kur jetoi për 4 vite në Outremer, dhe më pas sërish në vitin 1114.

Ndërsa ne nuk e dimë nëse Hugues de Payens e shoqëroi zotërinë e tij Hugues në udhëtimin e tij të parë në Tokën e Shenjtë, ka shumë gjasa që ai ta ketë shoqëruar në udhëtimin i tij të dytë. Por kur konti i Shampanjës u rikthye në Francë dhe tek martesa e tij pa dashuri, Hugues de Payens qëndroi në Outremer.

Me shokun e tij, Godfrey of Saint-Omer, Hugues i lindi ideja e themelimit të një vëllazërie kalorësish që do të ndiqte Rregullin Fetar (në thelb, një manual manastiri, që rregullonte jetën e murgjve), teksa do të mbronte jetën e pelegrinëve të krishterë që shkonin në Tokën e Shenjtë pas çlirimit të saj nga pushtuesit myslimanë.

Nuk është e vështirë të kuptohet pse Hugues dhe shokët e tij menduan se kjo gjë ishte e nevojshme dhe e dobishme. Megjithëse Kryqëzata e Parë pati sukses në pushtimin e Jerusalemit në vitin 1099 – dhe në themelimin e mbretërive të Outremer, vetë Jerusalemit, Qarkut të Tripolit, Principatës së Antiokisë dhe Qarkuttë Edesës – Toka e Shenjtë nuk ishte aspak e sigurt nga armiqtë. Pas suksesit të Kryqëzatës së parë, qindra, mijëra pelegrinë të krishterë filluan të shkonin në Tokën e Shenjtë.

Por udhëtimi atje, qoftë në rrugë tokësore apo me anije, ishte i rrezikshëm. Por rreziqet më të mëdha ishin kur pelegrinët mbërrinin në Palestinë. Rruga më e zakonshme e pelegrinëve, ishte udhëtimi për në Çezare ose Xhafa në rrugë detare, përpara se të vazhdonin rrugët e brendshme deri në Jerusalemi.

Por rruga që kalonte nëpër relievin kodrinor të Judesë ishin të mbushura me grabitës dhe hajdutë saraçenë. Pelegrinët që udhëtonin të paarmatosur, duke synuar të ndiqnin modelin e vetë Jezu Krishtit, kishin shumë të ngjarë të vriteshin apo të merreshin si skllevër.

Në fakt, ngjarjet e mëparshme tragjike të vitit 1119, mund ta kenë bindur plotësisht Hugues mbi domosdoshmërinë e krijimit të këtij urdhri murgjëror ushtarak. Kështu të shtunën e Pashkëve të vitit 1119, që atë vit u kremtua më 29 mars, pelegrinët ishin mbledhur në Kishën e Varrit të Shenjtë për vigjiljen solemne, që shoqëronte udhëtimin e Krishtit në Ferr pas kryqëzimit të tij, për të çliruar shpirtrat e atyre që mbaheshin të burgosur atje.

Pelegrinët mblidhen ende sot në Kishën e Varrit të Shenjtë të Shtunën e Madhe, dhe ashtu si ata më 29 mars 1119, presin mrekullinë e Zjarrit të Shenjtë. Kjo e fundit ndodh kur një llambë e pa ndezur, e vendosur mbi shkëmbin ku ishte vendosur dikur trupi i Krishtit, ndizet spontanisht.

Më pas Patriarku i Jerusalemit del nga varri, duke mbajtur në dorë një flakadan të ndezur nga zjarri i llambës, dhe ndez me të qirinjtë e pelegrinëve që presin në kishën e errët. Sigurisht, ka shumë njerëz që nuk e besojnë këtë gjë. Por rëndësia e saj në histori ka të bëjë me vazhdimësinë e saj.

Më 29 mars 1119, vetëm 20 vjet pas rimarrjes së Jerusalemit, pelegrinët e mbledhur në kishë, pasi kishin parë mrekullinë dhe ndezur qirinjtë e tyre, dolën nga kisha duke synuar një  pagëzim të ri në lumin Jordan. Ky lumë ndodhet 32 km në lindje të qytetit, prandaj duhej një zell i madh fetar që të shkoje aq larg më këmbë.

Por asnjëri nga pelegrinët nuk ia doli të mbërrinte atje. Qindra prej tyre u vranë nga grabitës myslimanë. Të paktët që mbijetuan u morën si skllevër. Pra edhe Kryqëzata kishte nisur pjesërisht për shkak të rreziqeve në rritje të pelegrinazhit në Tokën e Shenjtë, kur ajo ishte nën sundimin e myslimanëve.

Tani, edhe pse Jerusalemi ishte në duart e të krishterëve, pelegrinazhi nuk ishte më i sigurt se sa kishte qenë më parë. Madje duket se ishin akoma më pak i sigurt. Më herët grabitësit myslimanë, preferonin të përfitonin duke i rrëmbyer pelegrinët për t’i shitur si skllevër, në vend se t’i vrisnin ata.

Outremer tmerrohej nga mundësia e shpërthimit të një lufte të madhe, ndërsa sundimtarët e tij kishin gjithnjë probleme me mungesën kronike të fuqisë punëtore. Pavarësisht nga marrja e Jerusalemit, shumica e njerëzve që i kishin mbijetuar luftës, vendosën të ktheheshin në shtëpi. Godfrey of Bouillon, njeriut që iu besua të ruante Mbretërinë e Jerusalemit, mbeti atje vetëm me 300 kalorës dhe 1000 këmbësorë. 20 vjet më vonë, nën mbretin e ri të Jerusalemit, Baldwin II, situata e fuqisë punëtore ishte dëshpëruese.

Qindra kalorës të stërvitur kishin ardhur si pelegrinë në Tokën e Shenjtë në 2 dekada që nga pushtimi i Jerusalemit. Por kur përfundoi pelegrinazhi i tyre, nuk kishte asnjë rrugë të qartë, përmes së cilës ata mund të përdornin aftësitë e tyre, në mënyrën që do t’i shërbente më së miri mbretërisë:nëpërmes stërvitjes së tyre luftarake.

Por pasi e përfundoi pelegrinazhin e tij Hugues of Payens, nuk u rikthye në shtëpi. Në shoqërinë e kalorësve të tjerë, ai nisi të jetonte në vendin që ishte qendra e dukshme e botës së tyre:Kisha e Varrit të Shenjtë. Atje Hugues u njoh me kalorës të tjerë, të cilët kishin parë situatën e rrezikshme në Outremer, dhe po kërkonin një mënyrë për t’i ndryshuar gjërat.

Duke pasur parasysh rëndësinë që i është dhënë gjithnjë Hugues në rrëfimet e mëvonshme, ne duhet të supozojmë se ishte ai që i pari doli me idenë e një vëllazërie ushtarake për të mbrojtur pelegrinët dhe vendet e shenjta.

Pas masakrës së 29 marsit 1119, nevoja për një urdhër të tillë ishte shumë e qartë. Kështu, bashkë me 8 shokët e tij, Hugues mori leje nga Gerard, krye-kleriku i Varrit të Shenjtë, bënë betimin e tyre në kishën më të shenjtë të Krishterimit. Kishte nisur ekzistenca e Urdhrit të Bashkëluftëtarëve të Varfër të Jezu Krishtit.

Back to top button