Bota

Tërmetet: Kjo histori gjeologjike, shpjegon përse rreziku është serioz

Tërmeti që preku Ischian ka rrënjët e tij 150.000 vjet më parë, kur ishulli filloi të formohej nën nivelin e detit. Historia e tij nuk ka mbaruar ende, edhe pse nuk ka shenja të shpërthimeve të afërme

Tërmeti që preku ishullin e Ischias duhet parë në kontekstin e një historie shumë të ndërlikuar gjeologjike, të një pëllëmbe të vogël toke që shtrihet për rreth 46 kilometra katrorë dhe me nritje 787 metra mbi nivelin e detit.

Ishulli ka lindur pas një historie të gjatë shpërthimesh vullkanike, që filluan më shumë se 150.000 vjet më parë, dëshmitë e të cilëve gjenden në pjesën juglindore të tij. Periudha në vijim u karakterizua nga një numër shpërthimesh eksplozive me energji të ndryshme, të ndara në kohë nga periudha e aktivitetit të ulët ose jo, që megjithatë përfundoi në një shpërthim të madh, të Malit Epomeu 55.000 vjet më parë.

Në fund të atij shpërthimi u formua një depresion i madh për shkak të zbrazjes së dhomës së magmës, që është i dukshëm sot në zemër të ishullit, dhe që u përmbyt pjesërisht nga deti. Që nga ky moment, historia e shpërthimeve vullkanike të asaj zone është e ndarë në tri periudha të ndryshme.

Periudha e parë ka zgjatur nga 55.000 vjet më parë deri në 33.000 vjet më parë dhe pa një seri shpërthimesh pjesërisht nënujore dhe pjesërisht sipërfaqësore, pothuajse të gjithë të fortë. Sot, qendrat e këtyre shpërthimeve ndodhen në jugperëndim të ishullit.

Periudha e dytë, në mes 28.000 dhe 18.000 vjet më parë, filloi me shpërthimin e Shpellës së Tokës, që ndodhi 28.000 vjet më parë, përgjatë bregut juglindor të ishullit. Aktiviteti vullkanik pastaj vazhdoi sporadikisht deri në 18.000 vjet më parë.

Më pas pati një periudhë pushimi që përfundoi pothuaj 10 mijë vjet më parë, kur nisi një seri shpërthimesh, ku e fundit ka ndodhur në vitin 1302, me nxjerrjen e një sasie të madhe të llavës.

Qendrat më shpërthyese të kësaj periudhe ndodhen në lindje të malit Epomeu. Tërmeti që preku ishullin dje, në 21 gusht dhe që sipas koordinatave të dhëna nga Instituti Kombëtar i Gjeologjisë dhe Vullkanologjisë ndodhi në det, rreth 3 kilometra në veri të ishullit, duhet të shihet në këtë situatë komplekse gjeologjike dhe, pavarësisht intensitetit relativisht të ulët (magnitudë 4), është ndjerë veçanërisht për shkak se ka qenë shumë i cekët, duke qenë se epiqendra ishte vetëm 5 kilometra në thellësi.

ISCHIA, CAMPI FLEGREI, VEZUVI

Lindja e një vullkani është gjithmonë e lidhur me fenomene gjeologjike të rëndësishme (përveç pikave të nxehta, të cilat krijohen drejtpërdrejt nga dalja e magmës nga manteli i tokës). Çfarë bëri që ishulli Ischia të krijohej në këtë zonë?

Ischia, së bashku me Campi Flegrei dhe Vezuvin ndodhet në buzë të Detit Tirreni jugor, ku aktiviteti gjeologjik në lidhje me hapjen e Detit Tirren ka sjellë formimin e ngritje-uljeve të kores së detit.

Ngritje të tilla quhen “horst”, ndërsa uljet quhen “graben”. Frakturat që janë në origjinë të tyre kanë dy prirje të ndryshme: njëra është veriperëndim-juglindje, tjetra veri-jugperëndim. Këto çarje e kanë origjinën në blloqe të vërteta, disa prej të cilave janë të dalë. Por midis një blloku dhe një tjetri, frakturat që i ndajnë kanë lejuar formimin e magmës dhe daljen e saj në sipërfaqe. Tërmeti i 21 gushtit pra, duhet të shihet në kontekstine  një situate gjeologjike shumë komplekse. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button