HistoriMAIN

Teuta Kryeneçe: Mbretëresha trime e Ilirëve

Pas disfatës së Kartagjenës në Luftën e Parë Punike në vitin 241 Para Erës Sonë, Republika Romake u shndërrua në një fuqi detare dominuese në Detin Mesdhe. Gjithsesi, kontrolli i Romës mbi detet nuk ishte absolut. Në lindje të Italisë, në rritje ishte një fuqi tjetër.

Kjo ishte mbretëria Ardiane, e sunduar nga një fis ilir, që filloi të kërcënonte rrugët tregtare të Romës që kalonin përmes Detit Adriatik. Në krye të kësaj mbretërie ishte Mbretëresha e aftë Teuta. Ajo ishte gruaja e Agronit, një mbret i Mbretërisë Ardiane.

Nën udhëheqjen e Agronit, mbretëria u bë një forcë me rëndësi në rajon. Sipas shkrimtarit romak, Apiani i Aleksandrisë, Agroni e zgjeroi shumë mbretërinë e tij duke pushtuar një pjesë të Epirit, si dhe Korkyrën, Epidamnusin (Durrisin e sotëm) dhe Farus. Përveç kësaj, flota e Agronit ngjallte frikën e shumëkujt në Detin Adriatik.

Por në vitin 231 Para Krishtit, Agroni vdiq papritur, pasi një fitore që arriti mbi Etolët. Sipas historianit grek Polibi:“Kur flotilja u kthye dhe oficerët e tij i dhanë një lajm mbi betejën, Mbreti Agron u gëzua aq shumë nga mendimi se kishte mundur Etolët, në atë kohë një nga popujt më krenarë, saqë u bë pjesë e një feste të gjatë duke abuzuar shumë me pijen. Disa ditë më vonë u prek nga një e ftohur e keqe, që i mori jetën brenda pak ditësh”.

Në kushtet kur trashëgimtari i Agronit, Pini, ishte ende foshnje, mbretëria Ardiane u qeveris nga Teuta. Edhe pse ajo e vazhdoi politikën ekspansioniste të burrit të saj të ndjerë, veprimet e saj janë përshkruar me tone negative nga historiani grek Polibi.

Megjithëse e tija mund të ketë qenë një pikëpamje e njëanshme, e bazuar tek historiografiaromake. Sipas Polibit, Teuta kishte një “pikëpamje miope dhe tipike prej gruaje për punët e shtetit”, dhe se ajo nuk mund të shihte asgjë përveç suksesit të momentin, dhe nuk kishte sy për atë që po ndodhte diku tjetër.

Polibi përmend gjithashtu faktin që Teuta mbështeste praktikën ilire të piraterisë, dhe plaçkiste pa dallim fqinjët e saj. Komandantët e saj u urdhëruan t’i trajtonin të gjithë të tjerët si armiq të tyre. Ishin këto sulme pirate që do të futnin romakët në luftë kundër Teutës.

Në fillim, senati romak i kishte injoruar ankesat e bëra kundër ilirëve nga tregtarët e ndryshëm. Por,kur numri i ankesave u shtua, Senati u detyrua të ndërhynte. Fillimisht, romakët përdorën diplomacinë dhe çuan të dërguar në oborrin e Teutës.

Burimet antike tregojnë se Teuta nuk ishte aspak e kënaqur me të dërguarit romakë, dhe nuk ishte e arsyeshme në bisedimet me ta. Më e keqja:ajo shkeli imunitetin diplomatik tyre. Polibi thotë se një nga të dërguarit u vra ndërsa po përgatitej të ktheje në Romë, ndërsa Dion Kasi përmend faktin se disa të dërguar u burgosën ndërsa të tjerët u vranë.

Kur lajmi mbërriti në Romë, romakët u zemëruan dhe i shpallën luftë Teutës. Një flotë me 200 anije u përgatit për pushtimin e mbretërisë ilire, së bashku me një ushtri tokësore. Shënjestra e parë e flotës romake ishte ishulli i Korkyrës, që mbrohej nga Dhimitri, që ishte gjithashtu guvernatori i Farusit.

Në të dy rrëfimet e Apianit dhe Polibit, Dhimitri thuhet se i ka tradhtuar Ilirët, duke ua dorëzuar Korkyrën dhe Faris-in romakëve. Gjithsesi sipas Dion Kasit, ishte vetë Teuta ajo  e dërgoi Dhimitrin për t’i dorëzuar Korkyrën romakëve në këmbim të një armëpushimi.

Megjithatë pak kohë pas armëpushimit, Teuta sulmoi Epidamnusin dhe Apoloni, duke idetyruar romakët të ndërhyjnë prapë. Me vonë si rezultat i sjelljeve plot teka të mbretëreshës Teuta, Dhimitri do t’i shprehte besnikëri romakëve. Duke kuptuar se nuk kishte nga ia mbante, Teuta u dorëzua në vitin 227 Para Krishtit.

Sipas Polibit, Teuta pranoi të paguante çdo haraç që do t’i vendosnin romakët, të hiqte dorë nga e gjithë Iliria, përveç disa zonave, dhe ato që kishin të bënin kryesisht me grekët, u angazhua të mos lundronte përtej Lisusit (Lezhës) me më shumë se 2 anije të paarmatosura”. Për më tepër, Apiani përmend faktin që Korkyra, Farus, Isa, Epidamnus dhe Iliria Atintani u bënë provinca romake. Pjesa e mbetur e mbretërisë së Agronit mbeti në duart e Pinit, mentor iri i të cilit ishte Dhimitri.

Edhe pse Teuta jetoi për disa dekada të tjera, ekziston edhe një histori interesante që thotë se Teuta u vetë hodh nga një shkëmb në vend se t’i dorëzohej Romës. Ngjarja ndodhi pikërisht në Risan, në Gjirin e Kotorrit, sot në Malin e Zi. Meqë Risani është qyteti i vetëm në gji pa asnjë traditë detare, thuhet se kjo ndodhi për shkak të mallkimit të lëshuar nga mbretëresha ilire ndaj këtij qyteti,para se ajo të kryente vetëvrasje. / Ancient Origins – Bota.al

Back to top button