Destabilizimi i rajonit bëhet me një qëllim shumë të qartë, pengimin e vendeve të Ballkanit që të integrohen në NATO ose në Bashkimin Europian. Përveç agjentëve të kamufluar si diplomatë, artikulli përshkruan se si Moska është duke përdorur një rrjet të sofistikuar shoqatash miqësie apo biznesesh pro-ruse, për të përkrah grupime me orientim të qartë anti-europian.
Kjo është e njëjta taktikë që Rusia është duke përdorur edhe në Shqipëri, i vetmi vend në Ballkan që i ka rezistuar influencës ruse deri më tani. Ndonëse nuk përmenden emra konkretë, “The Guardian” lë të kuptohet se ndikimi rus fshihet qartë pas atyre forcave politike apo lobeve të caktuara, të cilat po përpiqen të bllokojnë vetingun, të vetmin kusht të mbetur për hapjen e negociatave.
Lexo.al iu sjell të përkthyer artikullin e plotë në shqip, ndërsa të gjithë ata që duan të lexojnë origjinalin, mund ta bëjnë këtë duke klikuar në linkun – https://www.theguardian.com/world/2017/jun/04/russia-
The Guardian – Spiunët dhe diplomatët rusë kanë më shumë se një dekadë që janë përfshirë aktivisht në një fushatë propagande që synon të provokojë përçarje në Maqedoni, provojnë disa dokumenta të klasifikuara të Shërbimeve Sekrete Maqedonisë.
Dokumentat dëshmojnë se Moska është duke tentuar që të rrisë influencën e saj në të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë. Këto prova tregojnë se qëllimi i Kremlinit është që të pengojë anëtarësimin e tyre në NATO dhe t’i joshë ato larg ndikimit perëndimor.
Dokumentat u siguruan nga Projekti për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, i cili raportoi tek “The Guardian”. Në këtë dosje, demaskohen gjithashtu përpjekjet e Shërbimeve Sekrete të Serbisë për të mbështetur element pro-rusë dhe anti-perëndimorë në Maqedoni.
Ky koleksion i raporteve sekrete është përpiluar nga kundërzbulimi maqedonas.
Përpara disa ditësh, lideri social-demokrat, Zoran Zaev u betua kryeministër, pas një krize politike që zgjati më shumë se gjashtë muaj. Koalicioni i tij i qendrës së majtë ka marrë mbështetjen e dy partive shqiptare.
Zaev ka premtuar luftë ndaj korrupsionit dhe një seri reformash ekonomike. Qëllimi i tij i deklaruar është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe në NATO. Zaev do të qeverisë një vend ku rreth çereku i popullsisë përbëhet nga shqiptarë.
Nacionalistët maqedonas dhe mbështetës të ish-Kryeministrit konservator, Nikola Gruevski akuzojnë Zaevin se i ka dhënë një pushtet të madh pakicës shqiptare. Në prill, një turmë e formuar nga mbështetës të Gruevskit sulmoi ndërtesën e Parlamentit në Shkup. Ata rrahën Zaevin dhe plagosën një numër deputetësh.
Përpjekjet ruse dhe serbe për të mbajtur Maqedoninë larg perëndimit kanë kontribuar në ngjizjen e një krize të gjatë politike dhe etnike, sugjerojnë dokumentat sekretë.
Gjatë nëntë viteve të fundit, “Maqedonia është shndërruar në një fushëbetejë e propagandës armiqësore dhe e organizatave të inteligjencës”, aktivitete të drejtuara drejtpërsëdrejti nga Ambasada Ruse në Shkup. Kjo është ajo që shkruhet në një raport të përpiluar më parë gjatë vitit nga Vladimir Atanasovski, drejtori i sektorit të kundërzbulimit në Shërbimet e Fshehta të Maqedonisë (UBK).
Kjo përpjekje për të shtrirë influencën ruse filloi që në vitin 2008, kur Greqia i vendosi veton anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Greqia, fqinji jugor i Maqedonisë, përdori si preteks mosmarrëveshjet për çështjen e emrit.
Dokumenti thotë: “Duke përdorur asetet dhe metodat e të ashqutuajturit “pushtet i butë”, si pjesë e një strategjie më të madhe të Federatës Ruse në Ballkan, synohet izolimi i Maqedonisë nga influenca perëndimore”.
Raporti thotë se politika e jashtme e Rusisë në këtë rajon është “ngushtësisht e përputhur” me strategjinë e saj energjitike. Synimi kryesor i Kremlinit është të kontrollojë rezervat energjitike, përmes vendosjes së partneriteteve me vendet e Ballkanit në këtë sektor”. Kjo do të bënte Maqedoninë “tërësisht të varur”.
Dokumentat e klasifikuar, gjithashtu hedhin dritë mbi mënyrën se si Kremlini realizon aktivitetet e tij të spiunazhit.
Zbulohet se tre agjentë të Shërbimit të Inteligjencës së Huaj (SVR) janë të vendosur në Shkup dhe puna e tyre mbikqyret drejtpërdrejt nga qendra e SVR-së në Beograd. Ambasada Ruse në Maqedoni është gjithashtu shtëpi e katër spiunëve të Shërbimit Ushtarak të Inteligjencës (GRU) dhe aktiviteti i tyre koordinohet nga baza e GRU-së në kryeqytetin e Bullgarisë, në Sofie.
Gazetarë të agjensisë shtetërore të lajmeve “TASS” dhe përfaqësues të “Rossotrudnichestvo”, një organizatë kultutore, punojnë ngushtësisht me shërbimet e fshehta. FBI ka hapur disa hetime ndaj “Rossotrudnichestvo”, pas dyshimeve se kjo organizatë është përpjekur të rekrutojë amerikanë si “asete informacioni”.
Dokumentat zbulojnë se diplomatët rusë janë “jashtëzakonisht të kujdesshëm” kur takohen me kontaktet e tyre, shpesh ndryshojnë vendndodhjet e takimeve në minutën e fundit, nuk përdorin telefona celular, përdorin fjalëkalime kur takohen me “asetet” e tyre dhe përdorin “legjenda”, histori të trilluara për të maskuar identitetin dhe qëllimet e tyre të vërteta. Agjentët rusë kanë financuar një numër mediash maqedonase, me qëllim përhapjen e “informacionit dhe disinformacionit”, shkruajnë dokumentat.
Rusia, gjithashtu është bazuar ndjeshëm në ngjashmëritë kulturore me Maqedoninë, duke përkrahur idenë e një identiteti “pan-sllavik” dhe duke vendosur theksin tek trashëgimia e përbashkët ortodokse. Ambasada Ruse në Shkup ka mbikqyrur krijimin e më shumë se 30 shoqatave të miqësisë maqedono-ruse. Është hapur një qendër e re kulturore në Shkup dhe është sponsorizuar ndërtimi i kryqeve ortodokse e kishave me arkitekturë ruse në të gjithë vendin. Këtyre u janë shtuar edhe konsullatat ruse në qytetin e Bitolas dhe Ohrit. Qëllimi i vetëm i këtyre konsullatave është të shërbejnë si “baza spiunazhi”.
Rezultatet e të gjithë kësaj qasje ruse, në dukje janë kontradiktore. Rusia është një përkrahëse e vendosur e Gruevskit, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen nga pozicioni i Kryeministrit në janar, pas akuzave se me mijëra qytetarë të maqedonisë ishin përgjuar.
Gruevski dhe me dhjetëra figura të tjera të partisë së tij konservatore janë aktualisht nën hetim nga një Prokurori e Posaçme, për akuzat e abuzimit të pushtetit, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Natyrisht, ata i mohojnë këto akuza.
Zgjedhjet e mbajtura në dhjetor formuan një Parlament të fragmentarizuar. Si rezultat, Rusia akuzoi SHBA-të dhe BE për ndërhyrje dhe manipulimin e zgjedhjeve. Sipas Moskës, duke mbështetur Zaevin, perëndimi po përpiqet të ndajë Ballkanin, duke krijuar një “Shqipëri të Madhe”.
Përsa i përket NATO-s, Kremlini nuk ka qenë edhe aq i suksesshëm. Në muajin prill, Parlamenti i Malit të Zi pranoi propozimin për të shndërruar këtë vend në anëtarin më të ri të aleancës. Bosnja dhe Hercegovina tashmë është një kandidate për anëtarësim. Madje, edhe Serbia ka krijuar lidhje më të ngushta me NATO-n, pavarësisht mllefit që ende shumë serbë ndiejnë për bombardimin e Serbisë në 1999-n.
Një tjetër dokument i klasifikuar rrëfen me detaje një takim të ndodhur në prill midis ambasadorit të Rusisë në Maqedoni, Oleg Shcherbak dhe zyrtarit më të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Nenad Kolev. Në këtë takim, Shcherbak u shpreh se synimi i Rusisë ishte të krijonte një “zinxhir vendesh ushtarakisht neutral” në Ballkan, zinxhir që përfshin Malin e Zi, Bosnjen, Maqedoninë dhe Serbinë.
Ambasadori e përshkruajti BE-në dhe NATO-n si “çakej” dhe tha se tashmë është “Rusia ajo që dikton politikat globale”. Ai paralajmëroi bashkëbiseduesin për rrjedhojat e “pakëndshme” politike dhe ekonomike, nëse Maqedonia do të refuzonte “mbështetjen” e Kremlinit.
Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigj kërkesës sonë për koment. Zaev gjithashtu nuk ka komentuar, por ai është shprehur më parë rreth këtij paralajmërimi të bërë në prill. Sipas Zaevit, nëse “SHBA dhe BE nuk do të tregojnë interes në rajon, atëherë do të jetë Rusia ajo që do të imponojë vullnetin e saj në Ballkan”.
Raportimi i “The Guardian” u ndihmua nga Maja Jovanovska, Borjan Jovanocski, Biljana Sekulovska, Stevan Dojcinovic dhe Aleksanda Denkovska. (Lexo.al)