Analiza

Tre “korsitë” e Lindjes së Mesme

The ThreeMohamed A. El-Erian

Kryekëshilltar Ekonomik në Allianz. President i Këshillit Global për Zhvillim, i ngritur nga Presidenti Obama

Gjatë një udhëtimi në Lindjen e Mesme kohët e fundit, mbeta i habitur nga rritja e hendekut mes shteteve – aq shumë sa, u largova prej aty me bindjen që nuk ka më kuptim të flitet më për rajonin si një i tërë. Në vend që të ndjekë konvergjencën e brendshme, kjo pjesë e rëndësishme e botës tani është duke ndjekur të paktën tre korsi, të cilat karakterizohen nga divergjenca të mëdha që do të vazhdojnë – dhe me gjasë do të rriten – në të ardhmen.

Në njërën korsi janë shtetet si Iraku, Libia dhe Siria, të cilat po luftojnë për të shmangur kurthin e tmerrshëm të të kthyerit në shtete të dështuar. Gjasat janë që në të tre këta shtete, situata do të përkeqësohet përpara se të shfaqen shenjat e para të një përmirësimi.

Ky grup shtetesh po “fundoset” edhe më shumë për shkak të një kombinimi të tmerrshëm të dhunës, fragmentimit politik, disintegrimit social dhe problemeve ekonomikë. Aftësia e tyre për të gjetur zgjidhje për vetveten është e dobët dhe në disa raste, pothuajse joekzistente. Tragjikisht, vuajtjet e mëdha njerëzore do të vazhdojnë, dhe valët e migrimit njerëzor që shkaktojnë këto vuajtje do të ushtrojnë një trysni të madhe tek vendet fqinjë, sidomos në Jordani dhe në Liban.

Në skajin e kundërt janë shtete që po shkojnë gjithnjë e më lart. Të ndihmuar nga rritja e të ardhurave prej shitjes së naftës, vendet si Emiratet e Bashkuara Arabe po ecin përpara me programe shumëplanësh për të diversifikuar motorrët e tyre të rritjes ekonomike, forcuar kapitalin e tyre njerëzor dhe fizik, dhe për të vënë mënjanë burime gjithnjë e më të shumtë financiarë për brezat e ardhshëm.

Ky grup shtetesh po rregjistron njërën arritje pas tjetrës, disa prej të cilave do të ishin konsideruar jorealiste jo shumë kohë më parë. Në ndërkohë, ata po krijojnë një vrull edhe më të madh zhvillimor, gjë që i bën arritjet e radhës më të prekshme dhe njëkohësisht më domethënëse.

Dobia e progresit të këtyre vendeve shkon përtej kufijve të tyre. Si importues madhorë të krahut të punës në rajon, suksesi i tyre rezulton në remitanca më të larta për ekonomitë që nuk mbështeten tek nafta. Dhe si investitorë madhorë rajonalë, arritjet e tyre po nxisin prurje më të mëdha të kapitalit, si dhe ndihmë dypalëshe shumë të nevojshme.

Kursi që po ndjekin këta dy grupe shtetesh është i përcaktuar tashmë dhe nuk ka gjasa të ndryshojë në të ardhmen e afërt. Kështu që, hendeku i madh mes tyre do të vazhdojë të rritet.

Më e paqartë është ajo që do të ndodhë me ata shtete të Lindjes së Mesme që qëndrojnë në mesin e këtyre dy skajeve. Në përpjekjen për të realizuar potencialin e pashfrytëzuar, vende si Algjeria, Maroku dhe Tunizia duhet të kapërcejnë shumë sfida, shumë prej të cilave të kahershme dhe disa të tjera, të shfaqura rishtaz.

Ndoshta asnjë shembull tjetër nuk i ilustron aq mirë këta sfida sa Egjipti, një vend, eksperienca e të cilit tregon fare qartë se çfarë është në lojë në këtë rajon. Egjipti ndodhet aktualisht nën peshën e një kombinimi të pafavorshëm të një rritjeje ekonomike të ngadaltë, papunësie të lartë, çekuilibrave fiskalë, dobësisë institucionale, dhe shërbimeve të varfër sociale – probleme që bëhen edhe më kompleksë prej rritjes së shpejtë të popullsisë dhe varfërisë.

Po kështu, mjedisi i jashtëm i Egjiptit nuk ofron shumë shpresë, dhe vendi ka hyrë në një rrugë me shumë gropa që nga koha e kryengritjes së vitit 2011, që solli rrëzimin e ish presidentit Hosni Mubarak, i cili kishte tre dekada që udhëhiqte me grusht të hekurt. Dhe nuk është habi që ekonomia po operon shumë më poshtë se sa potenciali që ka. Turizmi ka vuajtur dramatikisht, me hotelet e boshatisur, ashtu sikurse dhe vendet e mrekullueshëm turistikë. Në bujqësi dhe industri, burokracia dhe korrupsioni kanë zeruar avantazhet krahasues që ka vendi, të shoqëruar edhe prej ndërprerjeve të furnizimit me energji.

Ndërkohë, miliona qytetarë të talentuar egjiptianë kanë punuar në një sistem që, për dekada të tëra ka qenë më i prirur të pengojë se sa të lehtësojë sipërmarrjet produktive. Ai sistem ka dështuar gjithashtu në përmbushjen e kërkesave legjitime të popullsisë për drejtësi, demokraci, të drejta të njeriut dhe shërbime socialë, sidomos në arsim dhe shëndetësi.

Dhe megjithatë, pas kaq shumë vitesh performancë të mangët, në Kairo e dinë se çfarë duhet për të ktyer gjërat për së mbari – domethënë një kombinim i vizionit, lidershipit, përkushtimit dhe një mjedisi më ndihmues. Pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, ka progres për hartimin e një programi reformash ekonomike, që do të bënte të mundur çlirimin e kapaciteteve të jashtëzakonshëm prodhues që ka vendi. Po ndërmerren hapa për të ribërë nga e para një sistem të kushtueshëm dhe joeficient të subvencioneve, përmirësuar infrastrukturën si dhe zgjidhur problemet e furnizimit me energji. Zbatimi po ndihmohet prej ndihmës së madhe që Egjipti merr nga shtete të tjerë – sidomos Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – si dhe riangazhimi, ndonëse ende i brishtë, i kapitalit privat vendas dhe të huaj.

Shumë gjëra të mira do të vijnë, nëse vende si Egjipti zbatojnë reforma të qëndrueshme ekonomike, financiare, institucionale, politike dhe sociale – dhe nëse e bëjnë këtë në kontekstin e një progresi drejt një demokratizimi më të madh. Popullsitë e tyre janë ndër më të mëdhatë e rajonit. Ato mund të luajnë një rol të madh për stabilitetin rajonal. Dhe ato janë porta hyrëse për në Europë, Afrikë dhe Azi. Korsia që do të zgjedhë ky grup shtetesh do të ndikojë përfundimisht në perspektivën e të gjithë rajonit.

Linku origjinal: (http://www.project-syndicate.org/commentary/mohamed-a–el-erian-says-that-it-makes-no-sense-today-to-talk-of-the-region-as-a-coherent-whole#lvx8uOlsXmgXHO7I.99)

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button