Në më pak se dy vjet, tre luftëra kanë zgjuar fantazmat e historisë së shekullit të njëzetë pothuajse njëkohësisht, duke nxitur frikërat kolektive të shtypjes, spastrimit etnik dhe gjenocidit në popullatat e përfshira në to.
Konflikti në Lindjen e Mesme e ka lënë në hije atë në Ukrainë në media, dhe pothuaj nuk dëgjojmë fare për Armeninë, por këto tri luftëra në dukje të largëta, në gjenezën e tyre kanë të përbashkët historinë e tokave të diskutuara, të popujve të nëpërkëmbur, të identiteteve të mohuara dhe ato zmadhojnë frikën se kjo histori do të vazhdojë të përsëritet.
Pushtimi rus rizgjoi tek brezat e vjetër të ukrainasve dhe u transmetoi të rinjve kujtimin e persekutimeve të Stalinit, të Holomodorit, të zisë së bukës, të dëbimeve të fermerëve, të miliona të vdekurve.
Armenët e Nagorno-Karabakut, të dëbuar nga enklava e tyre prej ushtrisë Azerbajxhane, ripërjetuan faqet e gjenocidit të tyre, të panjohur kurrë nga fqinjët turq, «Medz Yeghern», masakra e madhe e të krishterëve.
Hebrenjtë – dhe kronika e këtyre ditëve – kannë një ndjenjë të fortë pasigurie pas sulmit të kryer nga Hamasi në kufijtë që ata besonin se mbroheshin nga një ushtri e fuqishme dhe teknologjikisht e sofistikuar. Reagimi në Gaza, të cilin shumë e konsiderojnë të tepruar, ka ndezur protesta në mbarë botën dhe ka rizgjuar farat e antisemitizmit.
Por edhe palestinezët, të cilët janë sulmuar dhe deportuar për dekada, e kanë ripërjetuar dënimin kolektiv që në historinë e tyre mban emrin “Nakba”.
Këtu nuk po flasim për veçantinë e Holokaustit, por për faktin se Shoa, Holomodor, Nakba, Medz Yeghern kanë të përbashkët një dimension ekzistencial të mbrojtjes së identitetit kolektiv dhe rezistencës kundër një armiku të jashtëm – pushtues, uzurpator ose terrorist – i cili mohon të drejtat për të jetuar në tokën e etërve.
“Të vdekurit nuk flasin, të gjallët heshtin, prandaj tragjeditë përsëriten”, paralajmëronte shkrimtari Ivo Andriq, duke menduar për kasaphanën ballkanike. Tragjeditë e së shkuarës tentojnë të përsëriten dhe ky dimension ekzistencial i traumës historike kolektive e kalon dimensionin e politikës, duke u bërë një instrument konsensusi, në duart e elitave politike dhe ushtarake.
Referimi i vazhdueshëm ndaj nazizmit nuk është i rastësishëm, si ideologjia supreme e asgjësimit të një populli, por edhe si një njollë e keqe mbi armikun që kërcënon. Kështu rusët, azerët, guerilët e Hamasit bëhen “nazistë”. “Denazifikimi i Gazës” është imperativi i Izraelit.
Por edhe Putini foli për “denazifikimin” e Ukrainës dhe e justifikoi pushtimin me gjoja mbrojtjen e tokës ruse, të rrethuar nga Perëndimi dhe NATO.
Ky skenar frikash dhe fantazmash ka shtrembëruar funksionet specifike të shteteve si garantues të kufijve, sovranitetit dhe sigurisë kolektive. Ekziston vetëm një logjikë lufte që forcon pa masë pushtetin e atyre që e kanë atë dhe – madje edhe në demokraci – diskrecionin pothuajse personal të vendimeve. Por sa më shumë që logjika e luftës përshkon aparatin dhe shoqërinë civile, aq më shumë kujtimi i tragjedive të kaluara kthehet me forcë në jetën e përditshme, duke ushqyer frikën nga fqinjët, urrejtjen etnike dhe fetare ndaj atyre që, të paktën deri një ditë më parë, jetonin në vendin fqinj.
Edhe më serioz është fakti se, si një gur në pellg, kjo frikë, e forcuar nga injoranca dhe propaganda, kumbon pa asnjë arsye të dukshme edhe atje ku nuk ka përleshje dhe nuk ka arsye për të luftuar. Kjo është ajo që po ndodh në shumë qytete evropiane.
Nuk duhet të mungojnë dhe në të vërtetë nuk mungojnë antidotët për këtë spirale të tmerrshme. Së pari, aftësia e shoqërisë civile për të mbajtur gjallë kujtesën. Por jo vetëm sot, në vazhdën emocionale të konflikteve, por edhe në kohë paqeje, kur kujtesa shpesh reduktohet në një ushtrim retorik përvjetorësh dhe festash. Së dyti, një prani më e vendosur e institucioneve ndërkombëtare për të kapërcyer dobësinë e shteteve dhe papërgjegjshmërinë apo papërshtatshmërinë e lidershipit. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë nëse arbitri paralizohet nga vetot e kryqëzuara dhe delegjitimohet vazhdimisht kur merr një pozicion.
Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit po shtohen dhe nuk ka gjasa të ndëshkohen. Shkeljet e së drejtës ndërkombëtare janë në rend të ditës, por nuk ka gjasa të dënohen dhe ndoshta as të njihen, pavarësisht nga dëshmitë e konflikteve, ku ajo që është në rrezik është pikërisht hapësira e ndikimit territorial në kurriz të popullatave.
Është e dukshme për Rusinë, Iranin, Turqinë dhe Azerbajxhanin, drejtpërdrejt ose me prokurë. Është një fakt historik për Izraelin dhe Palestinën. Donbasi, Gaza dhe Nagorno-Karabaku, me gjurmët e tyre të vdekjes dhe shkatërrimit, janë nga ana tjetër “skalpi” i një loje më të gjerë midis fuqive të mëdha dhe fuqive rajonale, që shpaloset përgjatë rrugëve të energjisë dhe burimeve natyrore. Kështu rrethi mbyllet. Tragjeditë e së shkuarës përsëriten, por sot do të ishte më korrekte, ndonëse cinike, t’i përkufizonim si dëm kolateral. / Massimo Nava (corriere della sera – bota.al)