“Irani ka shumë tentakula. Në Gaza, po luftojmë njërën. Por ne po luftojmë në vende të ndryshme dhe kjo kërkon përpjekje maksimale, kundër çdo tentakule”. Kështu e paraqiti luftën globale gjenerali Herzi Halevi, gjatë një takimi me ushtarët në Tel Aviv.
Pas 290 ditësh luftë, sulmi në portin jemenas të Hodeidës hapi një front të katërt dhe i bëri perspektivat e luftës edhe më të afërta. Ndërsa roli i Teheranit në nxitjen e sulmeve është i sigurt, realiteti i konfliktit është më kompleks.
Çdo armik ndjek objektiva dhe logjika të ndryshme, shpesh autonome nga drejtimi i ajatollahëve. Izraeli përballet me një sfidë të papërjetuar më parë në historinë e tij ushtarake, e karakterizuar nga fushata të shkurtra dhe mbështetje e qartë nga aleatët, veçanërisht SHBA.
Lufta që nisi pas masakrës xhihadiste të 7 tetorit teston aftësitë jo vetëm të forcave të armatosura, por të të gjithë vendit. Objektivat dhe strategjitë ushtarake mbeten të papërcaktuara, e vetmja siguri është një mobilizim zjarri që nuk njeh pauza dhe vazhdon i pandërprerë.
Në Rripin e Gazës, operacionet vazhdojnë ndërsa negociatat për armëpushim dhe lirimin e pengjeve janë në një fazë konfuze. Ushtria kryen sulme kundër Hamasit në zonën Rafah dhe ndërhyn vazhdimisht në qendrat urbane, të cilat tashmë i kontrollon.
Sulmi i përgjakshëm kundër Mohammed Deif, liderit ushtarak të grupit terrorist, tregon se nuk ka zona të lira për popullatën palestineze. Struktura e Hamasit ka pësuar goditje të tmerrshme, por nuk është asgjësuar. Udhëheqësi Yahya Sinwar mbetet i lirë dhe aktiv.
Një pjesë e konsiderueshme e tuneleve nuk u shkatërruan, edhe nga frika e ekzekutimit të pengjeve. Më shumë se nëntë muaj pas hyrjes së trupave izraelite, nuk ka asnjë plan për të ardhmen e Rripit të Gazës, që do të riorganizimin e militantëve dhe rekrutimin e anëtarëve të rinj.
Një pjesë e konsiderueshme e burimeve të luftës izraelite mbetet e përqendruar në Frontin Jugor: mesatarisht gjashtë brigada, bashkë me burimet më të mira të inteligjencës dhe aviacionit. Një situatë që e bën edhe më të vështirë çdo vendim për kufirin libanez.
Dueli me Hezbollahun bëhet çdo ditë më i ashpër dhe më i dhunshëm: në çdo moment mund të kthehet në luftë të hapur. Shtabi izraelit dëshiron të shmangë një konflikt të dyfishtë tokësor, por ka frikë nga zgjatja e konflikteve në fronte të shumta.
Ushtarët izraelitë janë pothuajse të gjithë rezervistë dhe përvoja në Gaza e ka bërë të qartë se ata mund të luftojnë maksimumi dy deri në tre muaj. Hezbollahu është një kundërshtar shumë më i fuqishëm se Hamasi dhe po e vërteton atë me arsenalin e madh raketor dhe taktikat inovative.
Hezbollahu ka të paktën dhjetë mijë veteranë nga Siria, të pajisur mirë dhe me dëshirë për t’u martirizuar. Nëse në Gaza izraelitët, të kapur në befasi, nuk kishin një plan për ofensivën apo informacion të përditësuar, ata janë duke u përgatitur në këtë front për të paktën tetë vjet me njësi të specializuara.
Ata kanë harta të tuneleve nëntokësore dhe i njohin planet organizative të ushtrisë shiite. Për muaj të tërë kanë kryer sulme kundër njerëzve kyç dhe bastisje në instalimet më të rëndësishme. Ekziston edhe një element parandalues: Sinwar përdor popullsinë si mburojë.
Nasrallah ka mbrojtur gjithmonë konsensusin e komunitetit shiit dhe të të gjithë Libanit. Udhëheqësi suprem i Hezbollahut e merr seriozisht kërcënimin për të “kopjuar Gazën nga Bejruti në kufi”, i bërë nga ministri i Mbrojtjes Gallant.
Times of Israel raportoi vlerësimet private të liderëve të ushtrisë izraelite, për faktin se milicët jemenas nuk duken të ndjeshëm ndaj parandalimit. Është pjesë e traditës shekullore të atyre fiseve kokëfortë, që luftojnë si të mos ketë të nesërme dhe nxjerrin në pah aftësi teknike të papritura.
Dhe vijmë te koka e oktapodit. Pas natës të dronëve dhe raketave më 13 prill, Teherani ka shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me Izraelin. Megjithatë, ai ka shumëfishuar dërgesat e armëve të avancuara te Houthit dhe po përpiqet t’i transferojë te Hezbollahu. Kjo mbetet përplasja, e lidhur kryesisht me të ardhmen e Shtëpisë së Bardhë: Biden ka bërë gjithçka për të kufizuar konfliktin, me Trumpin gjërat mund të ndryshojnë. / bota.al