Në ditët e fundit janë shfaqur tre vatra të reja tensioni në botën myslimane. Situata e parë kritike është ajo e Libisë, ku triumfon anarkia dhe Kryeministri është detyruar të strehohet në Europë, vetëm pak kohë pas shkarkimit të tij nga ana e Parlamentit.
Ali Zeidani akuzohet se nuk ka penguar një anije naftëmbajtëse me flamur koreano-verior që të hynte në ujëra ndërkombëtarë, pasi ishte rifurnizuar paligjshmërisht me naftë brut në një port të kontrolluar prej autonomistëve të rajoneve lindorë. Skandali rokambolesk nxjerr në pah përcarjen mes rajoneve të mëdhenj, që duan të vetëqeverisen dhe janë në duar të militantëve që bëjnë ligjin në vend.
Disa prej milicive janë islamiste (në mos xhihadiste) ndërkohë që të tjera janë më të moderuara, por të gjitha i bashkon tendenca për të shfrytëzuar rolin që kanë marrë pas rënies së Muamar Gedafit, për të pretenduar më shumë pushtet dhe feude. Një vend me unitet shumë të brishtë dhe artificial, Libia po rrezikon shembjen, teksa duket se askush, as brenda dhe as jashtë vendit, nuk është në gjendje të rikthejë rendin.
Situata e dytë kritike është ajo e Turqisë, ku kanë rifilluar manifestimet në masë kundër Kryeministrit Rexhep Taip Erdogan, pas vdekjes së Berkin Elvanit, një adoleshent i plagosur gjatë përplasjeve të pranverës së kaluar në sheshin Taksim. Tensioni është i lartë sa në Ankara, aq edhe në Stamboll, dhe tani i gjithë vendi duket i “shqyer” nga ngjarje të thella që përfshijnë të paktën pesë grupazhe të ndryshëm.
I pari ndër të gjithë është Erdogani, i dobësuar por gjithësesi ende i fortë prej mbështetjes së një pjese të mirë të popullsisë. Kryeministri islamist konservator ka udhëhequr vendin e tij në 12 vitet e fundit, një periudhë me një rritje ekonomike spektakolare por edhe shmangie autokratike të qeverisë. Nga ana tjetër e barrikadës është lëvizja Gulen, një lloj masonerie myslimane që ka hedhur rrënjë në të gjithë nivelet e shtetit, e cila i ka shpallur luftë sistemit duke denoncuar korrupsionin dhe publikuar disa përgjime kompromentues.
Mes lëvizjes dhe Kryeministrit po zhvillohet një betejë “deri në pikën e fundit të gjakut”, nën sytë e shushatur të partive të vjetra laikë dhe të klasës së mesme, po ajo klasë që ka manifestuar në sheshin Taksim dhe që kërkon hyrjen në Europë dhe modernizimin e shoqërisë turke. Në fund janë alevitët, një pakicë e rëndësishme myslimane liberale, pjesë e të cilës ishte Berkin Elvan.
Vatra e tretë e krizës është Katari, ku prej një jave ka ndodhur një carje me monarkitë e tjera të Gjirit, të cilët kanë filluar tërheqjen e ambasadorëve të tyre nga Doha dhe nuk ia falin qeverisë së Katarit mbështetjen që ka dhënë për Vëllazërinë Myslimane dhe pluralizmin e Al Xhazirës, televizioni panarab i themeluar nga Emirati. Në këtë pikë është e qartë që në Gjirin Persik po ndodh një përplasje mes dy koncepteve të ndryshëm të konservatorizmit: mbrojtja e statu quo-së, kundër një evolucionizmi nën kontrollin financiar.
Bernard Guetta është gazetar francez, ekspert i politikës ndërkombëtare