Lufta është e përgjakshme – dhe një biznes. Para së gjithash për industrinë e armatimit. Instituti i Kërkimeve të Paqes të Stokholmit SIPRI ka analizuar qarkullimin e 100 uzinave më të mëdha të armatimeve në botë
Konfliktet i gjen kudo në titujt e gazetave dhe në ekrane: në Siri ose në Irak, në Ukrainë, në Detin e Kinës Jugore – për të përmendur vetëm disa shembuj të pikave të nxehta në globit. Prandaj bën pjesë në rezultatet më të habitshme të raportit të SIPRI-t për 100 sipërmarjet më të rëndësishme të armatimit, që shpenzimet për armatimin kanë rënë, për të katërtin vit radhazi. Megjithatë ato kanë rënë vetëm pak dhe nga shifra të larta.
Instituti i Stockholmit për Paqen e mbledh qarkullimin në bizneset e 100 sipërmarrjeve kryesore në botë të prodhimit të armëve dhe arrin në shifrën 401 miliardë dollarë amerikanë. Kjo është e barabartë me 1,5 përqind më pak se në vitin 2013. Ajo që po përvijohet: barazpeshat në biznesin global të armatimit janë zhvendosur edhe më tej në dobi të Rusisë. Pieter Wezemann ka bashkëpunuar në raportin e SIPRI-t. Eksperti për shpenzimet ushtarake shpjegon në intervistë me DW: “Sipërmarrjet ruse të armatimit kanë shënuar një rritje masive të qarkullimit. Nga viti 2013 në vitin 2014, firmat nën TOP 100 nga Rusia e kanë rritur qarkullimin e tyre me mbi 50%.” Ndërkohë janë 19 firma ruse në Top 100. Në vitin 2013 ishin vetëm 10. Dhe që atëherë ato qenë në gjendje që ta rrisin qarkullimin me 20 përqind.
Tregun e kanë nën kontroll SHBA
Megjithatë, këto rritje nuk duhet të na ngatërrojnë: prodhues armësh nga SHBA dhe Evropa dominojnë edhe më tepër tregun, me një pjesëmarrje prej 80 përqind. Vetëm SHBA kanë 38 prodhues armatimi në TOP 100. Shitjet e tyre janë të barabarta me gjysmën e shitjeve të TOP 100, e thënë saktë: 54.4 përqind. Ajo që i bie në sy ekspertit të SIPRI-it, Wezeman në krahasim me një vit më parë: lojtarë të rinj vihen re në treg, nga shtete më të vogla ose prodhues të rinj, Wezemann përmend në bisedë me DW shprehimisht Turqinë dhe Korenë e Jugut.
Në dallim nga tendenca e rënies së shitjeve të armëve në Evropë, prodhuesit gjermanë të armatimit kanë shitur edhe në vitin 2014 dukshëm më shumë armë se në vitin 2013: rreth 10 përqind. Kjo rritje ka të bëjë para së gjithash me shitjen e nëndetëseve. Blerëse të nëndetëseve të Thysen-Kruppit, sipas Wezemann-it janë midis të tjerash Izraeli, Turqia dhe Koreja e Jugut. Prodhuesi i armatimit Rheinmetall, nga ana tjetër, përfiton nga interesi i shtuar në Gjermani për automjete të blinduara.
Njeriu i SIPRI-it e lidh këtë me zhvillimet në Ukrainë. Shpërthimi i ri i dhunës së armatosur në Evropë – edhe në Lindjen e Mesme – e ka përforcuar “idenë se ushtria është e rëndësishme”. Suedia dhe Gjermania, për shembull, do t’i rrisin buxhetet e tyre për armatimin – dhe prej kësaj përfiton në radhë të parë industria vendase e armatimit.”Klientët më të rëndësishëm të firmave të armatimit janë qeveritë e tyre”, bën të qartë Wezemann.
Edhe Gjermania bën pjesë në eksportuesit më të mëdhenj të armëve. Madje në Evropë është eksportuesi më i madh i armëve. Në raport mungojnë të dhëna për Kinën. Wezemann e justifikon këtë me mungesën e të dhënave të besueshme. Megjithatë, gjashtë sipërmarrje kineze eksperti i SIPRI-it do t’i klasifikonte në TOP 100, një prodhues avionësh madje në TOP 10.
Burimi: Deutsche Welle