Në Ankara, mbështetësit e partisë AKP festuan gjatë gjithë natës fitoren e tyre politike. Ata kënduan, valëvitën flamujt e partisë, u ranë daulleve, borive të makinave dhe falënderuan Zotin. Fitorja për partinë me prirje islamike ishte edhe më e ëmbël, për arsye se pak prej tyre besonin që do të siguronin mjaftueshëm vota për t’u rikthyer tek sundimi njëpartiak.
Partia në pushtet nuk arriti pragun e 330 vendeve që do t’i lejonin të mbante një referendum për rritjen e kompetencave të presidentit – por një lëvizje e tillë me siguri do të mbetet në axhendën politike.
Por edhe në mesin e festimeve, shumëkush pranoi se rezultati e ka lënë Turqinë të polarizuar; kishte premtime se AKP do të qeverisë në emër të të gjithëve.
Megjithatë, një pjesë e madhe e opozitës është dyshuese dhe e pakënaqur. Grupi proKurd HDp pa që t’i reduktoheshin votat e veta. Ai vuajti rritjen e veprimeve të dhunshme në zonat kurde, dhunë që vetë grupi beson se u nxit nga qeveria për të krijuar një klimë pastabiliteti.
Presidenti Erdogan, që nurmalisht duhet të jetë mbi partitë politike, kishte bërë fushatë me sloganin: “Ose me mua, ose kaos”.
Udhëheqësi i HDP, Selahattin Demirtas tha: “Këto nuk ishin zgjedhje të drejta. Ne nuk mund të bënim fushatë, sepse duhej që të mbronim popullin tonë nga ndonjë masakër”.
HDP kishte pezulluar fushatën pas atentateve me bomba në Ankara.
Shqetësimet për lirinë
Kishte gjithashtu një paralajmërim nga udhëheqësi i partisë laike, CHP.
Lideri i saj, Kemal Kilicdardoglu tha: “Partia në pushtet duhet që të respektojë parimin e supremacisë së ligjit”.
Dhe laikët do të jenë patjetër dyshues, që një parti në pushtet me vetëbesim të rritur, mund të dobësojë liritë themelore.
Sigurisht, këto ishin zgjedhje ku opozita u përpoq shumë të siguronte aksesin në mediat kryesore, por opozita duhet që gjithashtu të mësojë nga ndarjet e brendshme.
Personazhi kryesor në këtë fushatë ishte presidenti Erdogan, dhe të mendosh, që emri i tij as nuk ishte në fletëvotim.
Por këto zgjedhje ishin në thelb përreth emrit të tij. Kapja e pushtetit nga ana e tij është forcuar dhe me shumë gjasa Erdogani do të manovrojë për të rritur rolin e presidencës.
Instiktet e tij janë autoritarë dhe ai nuk pranon kritikat dhe kundërshtitë.
Ai ka qenë president gjatë një periudhe kur kundërshtarët janë heshtur dhe mediat kritike janë shtypur.
Erdogani është një politikan që duket se ka nevojë për armiq. Ai prezantohet si shkëmb, një pengesë ndaj paqëndrueshmërisë dhe shumë votues u duk se e besuan.
Rëndësia e Turqisë
Sa i përket botës së jashtme, Perëndimi ka nevojë për Erdoganin dhe ai e di mirë.
Turqia është një shtet shumë i rëndësishëm si për sa i përket luftës në Siri, ashtu edhe krizës së refugjatëve në Europë.
Udhëheqësit europianë, privatisht, e kritikojnë fort Erdoganin dhe të kaluarën e tij sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Por ata kanë nevojë për ndihmën e tij, me qëllim menaxhimin e një krize refugjatës që po e kanë shumë të vështirë ta kontrollojnë.
Përpara zgjedhjeve, ata shtynë në kohë botimin e një raporti kritik.
Sado parehat që të ndihen në lidhje me forcimin e Erdoganit, gjasat janë që, privatisht, ata të mirëpresin rikthimin tek një qeveri njëpartiake.
Llogaria e tyre do të jetë që një qeveri e fortë do të jetë më e aftë të arrijë në një marrëveshje që ngadalëson eksodin e refugjatëve nga Turqia.
Në këmbim, presidenti Erdogan do të këmbëngulë në lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit në Europë dhe përshpejtimi e aplikimit të vendit të tij për të hyrë në BE.
Në fund, interesat do të dalin mbmi vlerat dhe Europa do të bëjë kompromise.
Pas këtij rezultati zgjedhor, ambiciet e Erdoganit për ta bërë Turqinë një fuqi rajonale kyçe do të forcohen.
Ia vlen të kujtosh se, vetëm pak kohë më parë, Turqia konsiderohej një demokraci model mes trazirave dhe kryengritjeve në Lindjen e Mesme. /Gavin Hewitt/ BBCNews
Bota.al